Hipokrizia është burimi i çdo fatkeqësie (Pjesa e tretë)
Po si do të jetë me ta kur të mblidhen për Ditën e Takimit të madh dhe Allahu – lavdëruar qoftë – t’u shfaqet robërve, duke zbuluar kërcirin e Tij dhe ti ftojë në sexhde, ndërsa ata nuk do të jenë gjendje për të bërë sexhde? “Të ulura do të jenë shikimet e tyre dhe do t’i mbulojë poshtërimi, sepse qenë të ftuar të përuleshin në sexhde, sa qenë shëndoshë (dhe nuk kanë pranuar).” (El-Kalem: 43).
Si do të jetë kur të mblidhen mbi urën e Xhehenemit, e cila është më e hollë se floku dhe më e mprehtë se shpata? Ai është vend i rrëshqitshëm dhe i errët, që mund të kalohet vetëm me ndihmën e një drite që tregon vendet ku duhet të vesh këmbët. Por dritat shpërndahen mes njerëzve, dhe njerëzit sipas dritës që marrin do kryejnë edhe kalimin mbi atë urë.
Atyre (munafikëve) u jepet një dritë e jashtme bashkë me myslimanët e tjerë, njësoj siç ishin të përzier me ta në namazin, zekatin, haxhin dhe agjërimin në këtë botë. Por kur të kalojnë mbi urë, era e hipokrizisë ka për të fryrë dhe do ti fikë dritat që mbanin në duar, kështu mbeten të hutuar pa patur mundësi të kalojnë.
Në atë moment do të vendoset një mur me derë ndërmjet tyre dhe besimtarëve, brendësia e tij, që është më afër besimtarëve, mban mëshirën, ndërsa ajo që është më larg prej tyre mban dënimin dhe hakmarrjen. Ata do ti thërrasin besimtarët, delegatët e imanit, që e kanë kaluar urën, ndërkohë që dritat e karvaneve të tyre shfaqen nga larg si yjet që duken tek njerëzit, dhe do të thonë: “Na prisni edhe ne që të marrim nga drita juaj”!. (El-Hadid: 13).
Që ta kalojmë këtë ngushticë, sepse dritat e saj janë shuar dhe sot nuk mund të kalohet veçse përmes fanarëve të dritës.
“Por atyre do t’u thuhet: “Kthehuni prapa e kërkoni tjetër dritë!” El Hadid 13.
Sepse dritat janë ndarë dhe është e pamundur që dikush të ndalet në një rrugë të tillë, e si mund ti kërkohet të ndalet në këtë kalim të ngushtë? A ka njeri që sot ti kthejë sytë nga tjetri (në këtë rrugë)? A ka ndonjë që e kthen shikimin e tij nga shoku në këtë ditë? Por ata fillojnë tu kujtojnë atyre miqësinë dhe shoqërimin që kishin bashkë në këtë botë, siç e kujton një i huaj mikun e tij në udhëtime, duke thënë: “A nuk kemi qenë me ju?” – do të thërrasin ata. –“ [Hadid: 14].
Ne agjëronim siç agjëronit ju, e falnim namazin siç e falnit ju, lexonim siç lexonit ju, dhe jepnim lëmoshë siç jepnit ju, dhe bënim haxh siç bënit ju? Çfarë na ndan sot nga ju që të veçoheni duke kaluar pa ne në këtë rrugë? “Po, – do t’u përgjigjen” [Hadid: 14]. Por, aparenca juaj ishte me ne, ndërsa brendia juaj qëndronte me çdo mohues dhe çdo zullumqar jobesimtar: “Por ju e çuat veten në tundim, pritët, dyshuat dhe u mashtruat nga vetë dëshirat tuaja të kota, derisa arriti urdhri i Allahut, e djalli ju mashtroi për Allahun! Sot nuk pranohet prej jush kurrfarë shpërblese e as prej atyre që nuk kanë besuar: zjarri është vendbanimi juaj, ai është për ju; eh, sa vendbanim i tmerrshëm që është ai!” [Hadid: 14-15].
Mos tu duket i gjatë përshkrimi i këtyre njerëzve, sepse vallahi gjërat që nuk kemi përmendur janë më të shumta se ato që kemi përmendur. Kurani thuajse të gjitha pjesët e tij do ti kishte për ta, për shkak të numrit të tyre të madh mbi sipërfaqen e tokës dhe në thellësitë e varreve.
Nuk ka ndonjë vend në tokë që të jetë i zbrazur prej tyre. Ata ekzistojnë në mënyrë që besimtari të mos ndjejë frikë kur të kalojë në rrugë, që të mos i prishen shkaqet e jetesës dhe të mos i rrëmbejnë egërsirat dhe kafshët në shkretëtira.
Hudhejfe Ibën El Jeman dëgjoi një burrë duke thënë: O Allah shkatërroi munafikët! Ai i tha: o djali i vëllait tim, nëse do të zhdukeshin muanfikët do të frikësosheshit të ecnit në rrugë për shkak të njerëzve të pakët.
Pasha Allahun, frika prej hipokrizisë i ka copëtuar zemrat e të parëve tanë të mirë, sepse kishin njohuri për detajet e kësaj sëmundjeje të rrezikshme. Prandaj e qortonin veten aq sa frikësoheshin se mos ishin të përfshirë në rradhët e hipokritëve.
Umer bin Hattabi, radijallahu anhu, i thoshte Hudhejfes, radijallahu anhu: “O Hudhejfe, të lutem për hir të Allahut, a më ka emëruar Profeti ﷺ tek Munafikët?” Ai i tha: “Jo, dhe nuk kam për të dëshmuar për asnjë njeri tjetër pas teje.”
Ibn Ebi Mulejke thoshte: “Kam arritur të shoh tridhjetë nga shokët e Muhamedit ﷺ, dhe të gjithë friksoheshin nga hipokrizia për veten e tyre; askush prej tyre nuk thoshte se besimi i tij është si besimi i Xhibrilit dhe Mikailit.” Këtë thënie e ka përmendur Buhariu.[1]
Po ashtu, është cituar nga Hasan el-Basriu: “Nuk e ndjen sigurinë nga hipokrizia përveçse një hipokriti, dhe nuk frikësohet prej saj përveçse një besimtar.”
Është raportuar gjithashtu nga disa shokë të Profetit ﷺ që thoshin në lutjet e tyre: “O Allah, unë kërkoj të më ruash nga hipokrizia e përulësisë.” Ata pyetën: “Çfarë është hipokrizia e përulësisë?” Ai tha: “Kur trupi duket i përulur, ndërsa zemra nuk është e tillë.”
Për Allahun, zemrat e këtyre njerëzve ishin të mbushura plot me besim dhe vërtetësi, e megjithatë frika e tyre nga hipokrizia ishte e madhe, ndërsa shqetësimi i tyre ndaj saj ishte i rëndë. Ndërkohë, shumë të tjerëve nuk u kalon besimi përtej fytit e megjithatë pretendojnë se e kanë imanin si të Xhibrilit dhe Mikailit.
Rrënjët e hipokrizisë rriten nga dy burime: burimi i gënjeshtrës dhe burimi i dyfytyrësisë. Dalja e këtyre dy lëndëve nxirret përsëri prej dy burimeve: Burimi i perceptimit të dobët dhe burini i dobësisë në vendosmëri. Kur këto katër elemente plotësohen, atëherë edhe hipokrizia forcohet dhe ndërtohet, por është si ai guri i rënë mbi një tokë të paqëndrueshme që e marrin ujërat buzë një gërmine. Kur ti shohin hipokritët rrëmet e të vërtetës në Ditën e Kijametit, atë ditë kur të fshehtat të zbulohen, dhe kur të gjitha sekretet të shfaqen dhe kur të varrosurit të çohen dhe të tubohen gjërat që mbanin kraharorët dhe të hapen, e gjithë jeta e tyre do të jenë si një iluzion: ” “Sa për ata që nuk besojnë, veprat e tyre janë si mirazhi në shkretëtirë e të cilin i etshmi e kujton për ujë, por, kur arrin tek ai vend, nuk gjen asgjë. Aty do të hasë në dënimin e Allahut, i Cili ia paguan llogarinë e tij të plotë, se Allahu është i shpejtë në llogari. (En-Nur: 39).
Zemrat e tyre ndaj mirësive janë të hutuara, ndërsa me trupat e tyre bëjnë si të angazhuar. E keqja është e përhapur mes tyre dhe kur dëgjojnë të vërtetën, zemrat u ngurtësohen nga dëgjimi i saj. Kur janë të pranishëm tek e kota dhe dëshmojnë gënjeshtrat, sytë e zemrave u hapen dhe dëgjimet e tyre bëhen të vëmendshëm.
Këto janë – për Zotin – shenjat e hipokrizisë, prandaj ki kujdes, o njeri, para se të të vijë fundi i pashmangshëm.
Kur premtojnë, nuk i mbajnë premtimet, kur bëjnë marrëveshje, i shkelin ato, kur flasin, nuk janë të drejtë, kur thirren në bindje, ndalen, dhe kur u thuhet: “Ejani tek ajo që ka zbritur Allahu dhe te i Dërguari”, ata shmangen. Por kur dëshirat dhe epshet i thërrasin drejt qëllimeve të tyre, ata shpejtojnë dhe largohen.
Lëri ata me atë që kanë zgjedhur për veten e tyre prej poshtërimit, turpit dhe humbjes. Mos u beso premtimeve që bëjnë dhe mos ji i sigurt ndaj zotimeve që japin, sepse janë gënjeshtarë dhe për të tjerat janë kundërshtues.
“Ka nga ata (hipokritë) që kanë bërë besëlidhjen me Allahun, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga dhuntitë e Tij, sigurisht që do të japim lëmoshë dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë”! Por kur Ai u dha atyre nga dhuntitë e Veta, ata u bënë koprracë dhe kthyen shpinën, duke u larguar. Prandaj, Ai ua lidhi hipokrizinë në zemrat e tyre, deri në ditën kur do të dalin para Tij, sepse e shkelën premtimin dhënë Allahut. Ata e kishin zakon gënjeshtrën.” (Sure “Tevbe”, ajetet 75-77).
Ibn Kajim el Xheuzije në veprën e tij ‘Medarixh es-Salikin’ (vëllimi 1, faqet 347-359).
Përktheu: Fatjon Isufi
[1] Ibën Haxher në Fet’h el Bari (1/110-111) ka thënë: Sahabët më të shquar që arriti ti takonte Ibën Ebi Mulejke ishin: Aisha, motra e saj Esmaja, Umu Seleme, Katër Sahabët me emrat Abdullah, Ebu Hurejra, Ukbe bin Harith, el Musever bin Mahrame. Prej të gjithë këtyre ai ka dëgjuar hadithe dhe për shkak të moshës së tij ai ka arritur të takojë edhe sahabë të tjerë më me vlera si psh: Ali bin Ebi Talib, Sead bin Ebi Vekas etj. Ai e thoshte me siguri të plotë se këta sahabë frikësoheshin nga hipokrizia në vepra dhe nuk është tranmetuar nga dikush tjetër diçka që ta kundërshtojë. Pra duket sikur ka consensus rreth kësaj, sepse besimtari mund të përballet në veprimet e tij me diçka që i prish sinqeritetin, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se frika e tyre (sahabëve) për këtë gjë tu ketë ndodhur edhe atyre. Kjo tregon për përkushtimin e tyre të tepërt në devocion dhe frikën ndaj Zotit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.”
Dosje: Hipokrizia
Të Ngjashme
- Hipokrizia është burimi i çdo fatkeqësie (Pjesa e dytë) Ibn Kajim el-Xheuzije
- Hipokrizia është burimi i çdo fatkeqësie (Pjesa e parë) Ibn Kajim el-Xheuzije
- Fillimi i devijimit në çështjet e akides Udha e Besimtarëve
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë sqaruar besimin në mënyrën më të qartë Udha e Besimtarëve
- Përsosmëria e udhëzimit dhe plotësimi i mirësisë ndaj këtij umeti Udha e Besimtarëve