Historia dhe vlera e agjërimit të ditës së Ashures

January 15, 2008

 

 

Historia dhe vlera e agjërimit të ditës së Ashures

 

 Falënderimet i takon Allahut Zotit të botrave, i Cili në Librin e Tij Famëlartë ka thënë:

 “Ne do i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe ata që kanë besuar, si në këtë dynja dhe në ditën kur paraqiten dëshmitë” (Gafir 51).

 Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut, Një të pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij si mëshirë për njerëzimin dhe argument ndaj të gjitha krijesave. E  më pas:

 O ju njerëz! Kijeni frikë Allahun dhe meditoni në atë që Allahu tregon në Librin e Tij rreth profetëve dhe pasuesve të tyre, rreth triumfit dhe ndihmës që arritën. Në të njëjtën kohë na tregon rreth armiqve mohues, dënimit dhe poshtërimit që ata shijuan:

 “Vërtetë në historitë e tyre ka mësim për të zotët e mendjes” ( Jusuf 111).

 Ndër historitë që Allahu na tregon në librin fisnik është edhe historia e Musait dhe Faraonit, ajo histori që nxjerr në pah ngadhënjimin e të vërtetës ndaj së kotës. Histori e cila nxit tek zemrat e besimtarëve qëndresën përball armikut të tyre sado që ai të ketë arritur nivel të lartë force në aparencën e jashtme, kjo ngase forcat e së kotës nuk mund t’i rezistojnë forcave të së vërtetës sepse force e së kotës është e ndërtuar mbi themele të shkërmoqura ndërsa forca e së vërtetës është e bazuar mbi themele të shëndosha:

 “A është më i mirë ai që e themelon ndërtesën e tij mbi devotshmërinë ndaj Allahut dhe kënaqësinë e Tij, apo ai që e themelon ndërtesën e tij në buzë të greminës e cila shembet së bashku me të duke e futu në zjarr të xhehenemit. Vërtetë Allahu nuk e udhëzon popullin zullumqarë” ( Teubeh 109).

 Faraoni me gjithë forcën dhe arrogancën që posedonte kishte frikë se do të triumfonte e vërteta që predikohej nga armiku i tij që i përkiste Beni Israilëve ndaj ndërmori çdo masë që ishte e mundur për të siguruar veten. Ndër këto masa ishte dobësimi i armikut të tij duke i vrarë fëmijët e tyre dhe duke i lënë gratë të jetojnë, po me gjithë këtë dëshira e Allahut do të realizohet dhe fuqia e tij është mbizotëruese. Allahu dëshiroi që të lindte Musai nga mesi i Beni Israilëve dhe që të shpëtonte nga vrasja, bile të rritej dhe edukohej në shtëpinë e faraonit i mbrojtur nga përkujdesja e Allahut dhe i rrethuar nga pushteti i Tij derisa u rrit dhe hodhi shtat. Në një ditë prej ditëve ai vret pa dashje një person nga populli faraonit dhe duke u frikësuar nga kërkesa që mund të vinte për hakmarrje ua arratis në tokën e Medjenit, ku qëndroi disa vite dhe u martua gjatë kësaj kohe. Më pas u kthye në tokën e Egjiptit ku gjatë kësaj rruge Allahu i fletë me shpallej dhe e dërgon me mesazhin e Tij drejtuar Faraonit, duke e mbështetur me fakte dhe argumente që tregonin për vërtetësinë e Musait, por Faraoni u tregua kryeneç dhe arrogant:

 “Përgënjeshtroi dhe kundërshtoi, u zmbraps me të shpejt, i tuboi duke thërritur dhe thënë: Unë jam Zoti juaj më i larët” (Naziat 21-24).

Ai pretendoi se ajo që solli Musai ishte magji dhe se vetë (Faraoni) posedonte magji tjetër më të fortë që e shkatërronte, ndaj për këtë qëllim i mblodhi magjistarët nga e gjithë mbretëria e tij. Të dy palët shpalosën atë që kishin, magjistarët magjinë e tyre ndërsa Musai argumentet e qarta:

 “Aty u realizua e vërteta dhe u zhvlerësua ajo që ata veproni. Magjistarët u mundën atje dhe u tërhoqën të poshtëruar. Më pas ata u lëshuan në sexhde dhe thanë: I besuam Zotit të botrave, Zotit të Musait dhe Harunit” (Araf 118-122).

 Atëherë Faraoni iu drejtua gjuhës së forcës dhe despotizmit duke kërcënuar dhe u hakërryer. Allahu i shpalli Musai që të dilte së bashku me besimtarët dhe t’i drejtonte ata për aty ku e urdhëroi. Në atë kohë faraoni jep kushtrimin tek ushtarët e tij duke tubuar të gjithë forcën ushtarake dhe doli për t’i ndjekur dhe gjurmuar duke pasur si qëllim shfarosjen e tyre totale. Kjo vazhdoi derisa Musai së bashku me besimtarët që ishin me të arritën në det. Aty u arritën nga faraoni dhe ushtria e tij, gjë e cila shtoi frikën tek besimtarët sepse nuk kishin alternativë shpëtimi: Përpara ishte deti dhe pas tyre qëndronte armiku:

 “Përkujto kur dy grupet e panë njëri tjetrin, pasuesi e Musait thanë: Tani do na zënë. Ai (Musai) tha: Jo kurrë sesi vërtetë me mua është Zoti im, Ai do të më udhëzojë (për shpëtim)” (Shuara 61-62).

 Allahu e urdhëroi Musain që të godiste me shkopin e tij detin gjigant e të valëzuar, e goditi dhe u hapën rrugë të thata, të mjaftueshme vetëm për ta. Musai dhe populli I tij kaluan aty duke mos u frikësuar aspak nga përmbytja, të ndjekur nga pas nga faraoni dhe ushtarët e tij. Kur i gjithë populli i Musai kishte dalë matanë plotësisht dhe e gjithë ushtria e faronit kishte hyrë brenda, Allahu e urdhëroi detin të mbyllte rrugët në të duke i përmbytur të gjithë. Kështu triumfoi e vërteta ndaj së kotës, Allahu e vërtetoi premtimin e Tij, e nderoi palën e Tij, dhe ndodhi ajo që Musai kur i tha popullit të tij:

 “Shpresohet që së afërmi Zoti juaj ta shkatërrojë armikun tuaj dhe tu bëj juve mbizotërues në tokë dhe tu shohë se si do të veproni” (Araf 129).

 Kështu pra u realizua dëshira e Allahut për të cilën kishte lajmëruar duke thënë:

 “Ne duam te bëjmë mirësi ndaj atyre qe u persekutuan ne toke dhe t’i bëjmë ata prijësa dhe trashëgues (te vendeve dhe pasurive te popullit armik). T’i bëjmë sundues në tokë dhe në të njëjtën kohë t’i tregojmë Faraonit, Hamanit dhe ushtareve te tyre atë së cilës i druheshin” (Kasas 5-6).

 O robër te Allahut:

 Kjo ngjarje madhështore ka ndodhur ne ditën e dhjetë të muajit të Allahut, Muharrem (të atij viti para shumë shekujsh) dita e cila quhet Ashura, ditë e cila ka vlerë të madhe dhe shenjtëri të lashtë. Kjo ditë është agjëruar nga Musai në formë falënderimi ndaj Allahut. Gjithashtu e ka agjëruar profeti dhe ka urdhëruar që të agjërohet duke bashkangjitur një dite para ose pas. Transmetohet në dy Sahihet nga Ibn Abasi i cili ka thënë:

 “Profeti erdhi në Medine (si emigrues) dhe i gjeti çifutët që agjëronin në ditën e Ashurasë, u tha atyre: Çfarë është kjo ditë që ju po agjëroni? Thanë: Kjo është ditë madhështore në të cilën Allahu ka shpëtuar Musain dhe popullin e tij dhe përmbyti faraonin dhe popullin e tij, Musai e agjëroi si falënderim ndaj dhe ne e agjërojmë. Atëherë profeti tha: “Ne jemi më të merituar dhe më të afërt me Musain sesa ata, ndaj profeti e agjëroi dhe urdhëroi që të agjërohet”.

 Transmetohet në Sahihul Muslim nga Ebu Katadeh se një person e pyeti Profetin rreth agjërimit të Ashurasë, ai tha:

 “ Shpresoj tek Allahu që të jetë shlyerës e mëkateve të vitit që kaloi”. Në fund të jetës të tij profeti vendosi të mos e agjëronte të vetme por duke i bashkangjitur një ditë tjetër si shenjë dallimi nga agjërimi i ehlil Kitabit (çifutët). Transmetohet në Sahihul Muslim nga Ibn Abasi se ai ka thënë:

 “Kur profeti agjëroi Ashuranë dhe urdhëroi të agjërohet, thanë o resulalllah, ajo është ditë që e madhërojnë çifutët edhe të krishterët. Profeti tha: “ Kur të vij viti tjetër inshaAllahu do e agjërojmë edhe ditën e nëntë” Tha (Ibn Abasi) por viti tjetër nuk erdhi për profetin sepse vdiq”.

 Transmetohet në Musnedin e Ahmedit nga Ibn Abasi nga profeti i cili ka thënë:

 “Agjërojeni ditën e Ashurasë dhe dallohuni nga çifutët dhe të krishterët duke agjëruar një ditë para dhe një ditë pas”. Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet “ose një ditë pas”.

 Ndaj pëlqehet agjërimi i asaj dite dhe një dite para ose pas saj duke marrë si shembull profetin e Allahut dhe duke kërkuar shpërblimin e Tij (Allahut). Shumica e dijetarëve janë të mendimit se agjërimi i saj është i pëlqyeshëm.

 E lusim Allahun të na jap bereqet ne dhe juve.

 

 

Autor Salih El Feuzan

Përktheu Shuajb Rexha

Loading...