Hutbe – Mbajtja e lidhjeve farefisnore

Mbajtja e lidhjeve farefisnore.

Pasiqë kemi folur në hutben e kaluar për hakun e prindërve, në hutben e kësaj jave do të flasim për mbajtjen e lidhjeve farefisnore.

Mbajtja e lidhjeve farefisnore është nevojë e natyrshme për njeriun, domosdoshmëri shoqërore, gjë që e kërkon natyra e pastër njerëzore. Me anë të lidhjeve farefisnore njeriu gjen kënaqësinë e shoqërimit me njerëzit dhe të mirat në jetën e vet.

Me anë të saj vjen dashuria dhe afrimiteti mes kushërinjve, rritet grada dhe vlera e njeriut dhe e fisit kur ata njihen si fis që mbajnë lidhjet me njëri-tjetrin.

Mbajtja e lidhjeve farefisnore është fisnikëri, moral i lartë dhe edukatë, e më e rëndësishme se të gjitha këto është prej adhurimeve më të mira, më të larta, më të begata e më të dobishme në dunja e ahiret.

Njëkohësisht kjo është ndër adhurimet lënia e të cilave është më e rrezikshme se shumë të tjera, dhe dënimi i saj vjen më shpejt se të tjerët dhe ka dënim të rëndë.

Shumë njerëz sot nuk e përmbushin këtë hak nga mosdija rreth gjykimit të këtij haku, nga hutimi e harresa ndaj vlerës së tij, si dhe ndaj rrezikut të mospërmbushjes së tij.

Madje edhe një pjesë e njerëzve të cilët i mbajnë lidhjet farefisnore i mbajnë sa për syfaqësi dhe sa për dukje: “Na kanë ardhur për vizitë e ngushëllim e gëzim, e duhet t’ua kthejmë me të njëjtën mënyrë.”

Profeti ﷺ ka thënë: “Veprat vlerësohen sipas nijetit dhe secili do shpërblehet për atë që ka pasur për nijet.”

Ai i cili ka nijet vetëm të kthejë vizitën me qëllim të mos flasin keq për të nuk ka shpërblim tek Allahu. Shpërblim ka ai i cili i mban lidhjet farefisnore për hir të Allahut, me nijetin që të marrë shpërblimin e Allahut.

۞۞۞

Lidhjet farefisnore në arabisht quhen Siletu err-Rrahim. Err-Rrahim është barku i nënës dhe prandaj është quajtur e tillë që të mbahen lidhjet me kë ke lidhje prej barkut të nënës e prej barkut të gjysheve. Pra mbajtja e lidhjeve me; babën, nënën, vëllezërit, motrat, gjyshërit, gjyshet, stëgjyshat e stërgjyshet nëse janë gjallë, Mbajtja e lidhjeve gjithashtu me nipa e stërnipa, dajo e xhaxhallarë, teze e halla dhe fëmijët e tyre. Këtu duhet kujdes sepse fëmijët e dajove, hallave, xhaxhallarëve, tezeve etj. nuk lejohet të shohin vajzat e tyre pa shami e as të kenë kontakte më të afërta siç ka njeriu me gjyshen, nënën, hallën, tezen etj.

Njeriu e ka detyrë t’i njohë këto që përmendëm, të mbajë lidhjet me ta, të sillet mirë me ta e të kujdeset për ta sidomos kur kanë nevojë, e të japë aq sa ka mundësi kur ata kanë nevojë.

Gjithashtu fjala Rrahim vjen nga fjala mëshirë, dhe mbajtja e lidhjeve farefisnore është mëshirë mes njeri-tjetrit.

Profeti ﷺ sa herë mbante hutbe ose mbante ndonjë fjalim e ka nisur me përkujtimin e mbajtjes së lidhjeve farefisnore, si në ajetin:

يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُم مِّن نَّفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالًا كَثِيرًا وَنِسَاءً ۚ وَاتَّقُوا اللَّهَ الَّذِي تَسَاءَلُونَ بِهِ وَالْأَرْحَامَ ۚ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًا

“O ju njerëz, kini frikë Zotin tuaj i cili u krijoi nga një person i vetëm (Ademi) dhe krijoi prej tij gruan e tij (Havanë), dhe prej tyre krijoi burra dhe gra të shumta. Kini frikë Allahun dhe mos i shkëputni lidhjet farefisnore. Me të vërtetë që Allahu i’u ka nën mbikëqyrje gjatë gjithë kohës.”

Gjithashtu, në fillimet e Islamit kur nuk ishte detyrë akoma namazi, agjërimi e as zekati, Profeti ﷺ ftonte në Teuhid në adhurimin e Allahun të Vetëm e të pashok dhe heqjen dorë nga adhurimi i të tjerëve përveç Allahut, dhe ftonte në mbajtjen e lidhjeve farefisnore.

Allahu i Lartësuar thotë: “Adhurojeni Allahun dhe mos adhuroni të tjerë përveç Tij, dhe silluni mirë me prindërit dhe të afërmit.”

Ky është urdhër prej Allahut në Kuran dhe është i përgjithshëm. Pra çdo lloj sjellje e mirë është detyrë ndaj të afërmve; qoftë fjalë e mirë, vepër e mirë, ndihmë kur kanë nevojë, ndihmë me para, ndihmë me shoqërim, sidomos të vjetrit që kanë nevojë të pijë dikush kafen me të e të bëjë muhabet, të flasë mirë për ta, t’iu kryejë ndonjë punë, të ndërmjetësojë për ta në hajër, si dhe çfarëdo gjëje që është sjellje e mirë dhe përkujdesje.

۞۞۞

Profeti ﷺ ka thënë: “Ai i cili beson Allahun dhe Ditën e Fundit le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”

Mbajtja e lidhjeve farefisnore është vepër që e fut njeriun në Xhenet.

Ebu Ejub el Ensariu (radiAllahu anhu) e ka pyetur Profetin ﷺ: “Më trego për vepra që t’i veproj dhe të më fusin në Xhenet. Profeti ﷺ tha: T’a adhurosh Allahun dhe të mos adhurosh ndokënd tjetër përveç Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, dhe të mbash lidhjet farefisnore.”

Vepra e mirë e njeriut të cilës i fillon shpërblimi që në dunja duke i dhënë Allahu shumë të mira për shkak të saj, është mbajtja e lidhjeve farefisnore. Gjithashtu, vepra e keqe të cilës i fillon dënimi që në këtë botë është padrejtësia ndaj njerëzve dhe shkëputja e lidhjeve farefisnore.

Profeti ﷺ ka thënë: “Vepra të cilës i vjen shpërblimi para të gjithave është mbajtja e lidhjeve farefisnore. Ndërsa vepra të cilës i vjen dënimi më shpejt se të tjerave është padrejtësia dhe shkëputja e lidhjeve farefisnore.”

Mbajtja e lidhjeve farefisnore është shkak për begati, zgjatje të jetës dhe shtim të rrizkut.

Profeti ﷺ ka thënë: “Ai i cili dëshiron t’i zgjatet jeta dhe t’i shtohet rrizku, le të mbajë lidhjet farefisnore.”

Transmeton Aliu (radiAllahu anhu) se Profeti ﷺ ka thënë: “Kush më garanton mua se e zbaton siç duhet një gjë, unë e garantoj se Allahu do t’i japë katër gjëra. Ai i cili i mban lidhjet farefisnore; i zgjatet jeta, e duan njerëzit e tij, i shtohet rrizku dhe do të hyjë në Xhenetin e Allahut.”

Sadakaja më e mirë është sadakaja e dhënë kushërinjve. Profeti ﷺ ka thënë: “Sadakaja e dhënë për të afërmit ka dy shpërblime; shpërblimin e sadakasë dhe shpërblimin e mbajtjes së lidhjeve farefisnore.”

Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk është mbajtje e lidhjeve farefisnore vetëm kur njeriu e kthen vizitën (ngaqë njeriu është i detyruar t’a bëjë këtë). Mbajtja e vërtetë e lidhjeve farefisnore është kur i mban lidhjet megjithëse të tjerët i kanë shkëputur ato.”

Profeti ﷺi ka thënë Ukbeh ibn Amirit (radiAllahu anhu): “Mbaji lidhjet farefisnore me atë që i ka shkëputur, jepu sadaka atyre që s’të japin, mos i’a kthe atij që të ka bërë padrejtësi.”

  • Hutbja e dytë

Rreziku i mosmbajtjes së lidhjeve farefisnore.

Profeti ﷺ ka thënë: “Mbajtja e lidhjeve farefisnore është e lidhur me Allahun. Ai i cili i shkëput lidhjet farefisnore, Allahu i shkëput lidhjet me të.”

Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk hyn në xhenet ai i cili ka shkëputur lidhjet farefisnore.”

Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk zbret mëshira e Allahut në një popull i cili i ka shkëputur lidhjet farefisnore.”

Si mbahen lidhjet farefisnore?

Një prej dijetarëve të brezave të parë të Islamit, Ibn Ebi Hamza ka thënë: Lidhjet farefisnore mbahen duke dhënë para për ta, duke i ndihmuar kur kanë nevojë, duke ua larguar të keqen, duke i folur me çehre të mirë, duke u folur me të mirë dhe duke bërë dua për ta.

Imam Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Lidhjet farefisnore janë detyrë. Ato mbahen duke u dashur mes vete e duke patur sinqeritet dhe këshillim mes vete. Duke mbajtur drejtësi me njëri-tjetrin dhe duke përmbushur hakun dhe detyrimet ndaj njëri-tjetrit. Duke dhënë para për njëri-tjetrin, duke u interesuar për të mirën e njëri-tjetrit, duke pyetur për shëndetin dhe gjendjen e njëri-tjetrit, si dhe duke mbyllur sy e veshë ndaj të metave të njëri-tjetrit.

Dijetarët e tjerë kanë thënë që lidhjet farefisnore mbahen gjithashtu me vizita, duke e marrë hapin vetë njeriu t’u bëjë vizita të afërmve sidomos kur janë të sëmurë. Gjithashtu, lidhjet farefisnore mbahen duke u dhënë përparësi në përgjigje ftesave, dhe duke u dhënë përparësi në ftesën e tyre para të tjerëve. Dhënia përparësi atyre në çdo gjë sidomos në shoqërim, ndenjë me ta dhe në sadaka.

Kujt i jepet përparësi në mbajtjen e lidhjeve farefisnore, p.sh. nëse nëna të fton për kafe dhe njëkohësisht të fton djali i xhaxhait? Normalisht që nënës duhet t’i përgjigjesh. Kur ka folur për përparësitë në mbajtje të lidhjeve farefisnore Imam Neueuiu ka thënë: I jepet përparësi nënës, më pas babait, më pas fëmijëve, më pas gjyshërve e gjysheve, më pas vëllezërve dhe motrave, më pas xhaxhallarëve, hallave, dajove, tezeve, e më pas fëmijëve të tyre.

A mbahen lidhjet farefisnore me të afërmit jobesimtarë? Po, mbahen lidhjet por duke patur kujdes të mos marrim pjesë në adhurimet e tyre krahas Allahut, e as në festat e tyre e as duke pirë alkool me ta apo duke ngrënë haram etj. Profeti ﷺ i ka lejuar sahabët të mbajnë lidhjet me të afërmit jobesimtarë dhe Allahu ka urdhëruar përkujdesjen ndaj prindërve jobesimtarë, por ka ndaluar bindjen ndaj tyre kur na kërkojnë të adhurojmë dikë tjetër përveç Allahut, ose të veprojmë ndonje gjë që e ka ndaluar Allahu.

Lidhjet farefisnore mbahen edhe me kushërinjtë e largët kur është nevoja dhe kur është situata e tillë, si p.sh. kur vijnë nga një qytet tjetër dhe i pret mysafirë, kur kanë nevojë etj.

Profeti ﷺ nuk i ka harruar kurrë lidhjet farefisnore të tij sado të largëta që kanë qenë. Profeti ﷺ u ka thënë sahabëve: “Ju do t’a çlironi një ditë Egjiptin. Kur të çlironi zonën e quajtur Kijraat silluni mirë me ta e bëni kujdes sepse i kemi dajallarë.”

Prej asaj zone ka qenë Haxherja, gruaja e Ibrahimit ﷺ, nëna e Ismailit ﷺ, prej të cilit e ka prejardhjen Profeti ﷺ. Pra, ai nuk i ka harruar dajallarët e Ismailit ﷺ megjithëse mes tij dhe Ismailit ﷺ janë dhjetëra mijëra vite.