Hutbet e Profetit – trashëgimi e ruajtur dhe dëshmi e pakundërshtueshme

August 22, 2025

Ai që thotë se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka kaluar në Medine mbi pesëqind të xhuma, e megjithatë nuk na është transmetuar asnjë hutbe nga hutbet e tij, ai është mashtrues dhe me vetëdije të plotë mashtron.

Nëse do ta lodhte veten qoftë edhe pak me një kërkim të thjeshtë do ta gjente përgjigjen të qartë dhe të dukshme, sepse në librat e Sunetit na janë transmetuar hutbe të plota të Profetit sal-lallahu alejhi ue sel-lem.

Prej tyre është hutbja e Gadirit e cila është transmetuar e plotë; hutbja për robërit e Havazinit e transmetuar e plotë; hutbja e lamtumirës, e transmetuar e plotë; hutbja e sures Kaf e transmetuar e plotë.

Pra, këto hutbe të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem janë transmetuar plotësisht në librat e sunetit.

Madje për shkak të kujdesit të dijetarëve në këtë fushë janë shkruar vepra të posaçme rreth hutbeve të Profetit sal-lallahu alejhi ue sel-lem, që në kohët e hershme e deri në ditët tona.

Nga librat më të njohur janë: “Hutbet e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem” i Muhamed Halil el Hatib, ku ai ka përmendur më shumë se 574 hutbe të plota të Profetit duke përfshirë; hutbet e xhumasë, të bajramit, të eklipsit, të istiskasë dhe të tjera, madje edhe hutbet e lidhura me betejat.

Madje, dijetarët kanë shkruar vepra të hershme në këtë drejtim, si: “Hutbet e Profetit” nga el Madaini, po ashtu nga el-Assal, el-Asbahani, el-Mustagfiri, el-Musiri, Ali el-Karri el-Hanefi, Isa el-Bejanuni dhe el-Adhami.

Të gjithë këta dijetarë iu përkushtuan kësaj fushe dhe i dedikuan libra të posaçëm hutbeve të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Edhe në kohët e fundit janë bërë studime akademike si disertacione masteri dhe doktorature mbi këtë temë, ndër ta: puna e Sheuk Dajf, Hazim Hidr, Xhelil Rashid Falih, Hashim en-Na’, Said Ali Thabit, dhe Ahmed Ebu Sheneb.

Prandaj, sikur kjo temë të mos ishte transmetuar tek myslimanët nuk do ishte shkruar një numër kaq i madh veprash rreth saj.

Po ashtu, si do mund të dinin dijetarët rreth shtyllave dhe suneteve të hutbes, nëse hutbet e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk do ishin transmetuar me hollësi?

Nga çështjet e rëndësishme është se shokët e Profetit ndonjëherë e dëgjonin hutben nga aim por e transmetonin në formën e hadithit pa përmendur se e kishin dëgjuar gjatë hutbes. Për shembull, nëse unë të them: “Kam dëgjuar nga babai im këtë e atë”, – nuk është e domosdoshme të përmend se e kam dëgjuar gjatë një mbledhjeje të caktuar, si p.sh. në një takim familjar. Mjafton që ta transmetojë lajmin pa përmendur vendin ku e dëgjova.

Dëshmia më e qartë për këtë është ajo që e ka transmetuar Imam Ahmedi në Musnedin e tij, se Numan ibn Beshir e dëgjoi Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke thënë gjatë hutbes: “Po ju paralajmëroj nga zjarri, po ju paralajmëroj nga zjarri!”

Ndërsa në një transmetim tjetër, po tek “Musnedi” i Imam Ahmedit thuhet se Numan ibn Beshir tha e ka dëgjuar Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke thënë: “Po ju paralajmëroj nga zjarri, po ju paralajmëroj nga zjarri”, pa përmendur se e kishte dëgjuar këtë gjatë hutbes.

Shokët e Profetit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, ndonjëherë e transmetonin atë që dëgjonin nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem gjatë hutbes pa e theksuar këtë në hadith. Kjo tregon se hutbet janë të ruajtura, të sqaruara dhe të pranishme në librat e hadithit.

Më parë ithtarët e dyshimeve mundoheshin shumë për të gjetur një dyshim, por ithtarët e së vërtetës nuk ua vinin veshin.

Por sot, fatkeqësisht, ithtarët e së kotës nuk lodhen aspak për të shpikur dyshime ndërsa ithtarët e së vërtetës fatkeqësisht i dëgjojnë.

 

Autor: Muhamed Halid

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...