Kapitulli i moralit, mirësisë dhe lidhjet mes njerëzve (3)

October 27, 2013

41. Transmetohet nga Abdullah bin Mesud se i dërguari i Allahut ka thënë: “A t’ju tregoj ju për atë që është haram për zjarrin dhe zjarri është haram për të? Ç’do njeri i afërt (me njerëzit), i butë dhe i lehtë.”

42. Transmetohet nga Ebu Ej-jub El-ensari se tha: “A të tregoj ty për një sadaka (lëmoshë) që Allahu e do se ku ta çosh? Të pajtosh mes njerëzve, kjo është një sadaka që e do Allahu.”

43. Transmetohet nga Enesi (radiallahu anhu) se Profeti (alejhi selam) kaloi pranë një grupi njerëzish që po grenin një gurë dhe tha: “Ç’farë po bëjnë këta?” Sahabët thanë: Po ngrenë një gurë, duan të tregohen të fortë. Atëherë profeti (alejhi selam) tha: “A t’ju tregoj ju për diçka më të fortë se kjo? –ose diçka të ngjashme me këtë- Ai që e mban veten kur zemërohet.” Dhe në një transmetim tjetër: Profeti (alejhi selam) kaloi pranë një grupi burrash që po bënin mundje dhe tha: Ç’është kjo? Sahabët thanë: O i dërguari i Allahut, ky është filani, mundësi më i mirë, nuk ndeshet me të njeri vetëm se e mund. Atëherë profeti (alejhi selam) tha: “A t’ju tregoj ju për një më të fortë se ky? Një njeri që i ka bërë atij zullum një tjetër dhe ai e mban zemërimin e tij. Kështu e mund atë, mund shejtanin e vet dhe shejtanin e shokut të tij.”

44. Transmetohet nga Ijad bin Himar se Profeti (alejhi selam) tha një ditë në fjalimin e tij: “Zoti im më urdhëroi që t’ju mësoj ju atë që nuk e dini prej asaj që më ka mësuar sot; Ç’do gjë që ia kam dhuruar robit tim është hallall për të. Unë i kam krijuar të gjithë robtë e mi, me besim të drejtë por më pas u erdhën shejtanët dhe i larguan ata nga feja e tyre (rruga e drejtë), ua bënë haram atë që unë ua kisha bërë hallall, i nxitën ata që të më bëjnë shok me ata që nuk u kam dhënë kurrfarë pushteti. Allahu hodhi shikimin te njerëzit e tokës dhe e mërziti gjendja e tyre, arabë apo të huaj, përveç disa pakicave nga Ehli Kitabi (Jehudët dhe të Krishterët). Pastaj tha: Unë të dërgova ty për të provuar ty dhe për të provuar të tjerët me ty. Të zbrita ty një libër që nuk e lan atë uji, ta lexosh në gjumë dhe zgjuar. Allahu më tha ti djeg Kurejshit dhe unë i thashë: O zoti im, atëherë do të ma copëtojnë kokën si copë buke. Allahu tha: Largoi ata nga vendi i tyre ashtu siç të larguan ty, luftoi ata dhe ne do të ndihmojmë ty, jep (nga pasuria jote) dhe ne do të japim ty, nise ushtrinë tënde (për luftë) dhe ne do të çojmë pesë ushtri si ajo (për ndihmë) dhe luftoi bashkë me ata që të ndjekin ty, ata që të refuzojnë ty. Pastaj tha: Banorët e xhenetit janë tre llojesh: Njeri me pushtet, i drejtë, bamirës dhe me sukses; njeri i mëshirshëm, zemërbutë ndaj ç’do të afërmi apo myslimani; njeri i ndershëm që e ruan nderin e tij, bamirës dhe që mban familjen. Pastaj tha: Banorët e zjarrit janë pesë llojesh: I dobëti mendjelehtë; ata që shkojnë pas të tjerëve dhe nuk shikojnë as familje, as pasuri; ai njeri pabesueshëm i cili nuk lakmon gjë – qoftë edhe e vogël – vetëm se e thyen besën; ai njeri që nuk gdhin apo ngrys vetëm se të mashtron në familje dhe pasuri – përmendi koprracinë dhe gënjeshtrën – ; ai i pamoralshmi  dhe vulgar. Allahu më porositi për thjeshtësi në mënyrë që të mos krenohet njeri para tjetrit dhe as ti bëjë atij padrejtësi.”

45. Transmetohet nga Abdullah bin Mesudi se tha: Muhamedi (alejhi selam) ka thënë: “A tu tregoj se kush është përgojimi? Janë thashethemet, mbartja e fjalëve. Dhe në një transmetim tjetër thotë: Thashethemet që prishin zemrat e njerëzve.”

46. Transmetohet nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) se tha: Hyri Profeti (alejhi selam) në xhami kur brenda ishin disa gra të Ensarëve. Profeti i këshilloi ato, i përkujtoi atyre Allahun dhe i urdhëroi që të japin sadaka (lëmoshë) qoftë dhe nga stolitë e tyre e më pas tha: “A ka ndonjë grua që u tregon të tjerëve se ç’farë bën me burrin e saj kur veçohet me të?! A ka ndonjë burrë që u tregon të tjerëve se ç’farë bën me gruan e tij kur veçohet me të?! U ngrit një grua ezmere dhe tha: Pasha Allahun edhe burrat edhe gratë e bëjnë këtë gjë! Profeti (alejhi selam) tha: Mos e bëni atë gjë! A t’ju tregoj si është shembulli i saj? Shembulli i asaj gjëje është si shembulli i shejtanit që takon në rrugë një shejtane dhe kryen marrëdhënie me të para syve të njerëzve.”

47. Transmetohet nga Enesi (radiallahu anhu) se tha: Kaloi Profeti (alejhi selam) nëpër një lagje të Beni Nexharit dhe pa disa vajza të vogla që po i binin dajres dhe këndonin:

Ne jemi disa vajza nga Beni Nexhar

                                             Sa mirë është kur ke Muhammedin për xhar (komshi)!

Profeti (alejhi selam) tha: “Allahu e din se zemra ime ju do juve.”

48. Transmetohet nga Abdullah bin Amr se tha: Erdhi  njëherë Profeti (alejhi selam) në shtëpinë tonë kur unë isha i vogël dhe desha të dal për të luajtur, ndërkohë nëna ime më thotë: Abdullah, hajde se do të jap diçka! Profeti (alejhi selam) iu drejtua asaj dhe i tha: Ç’farë deshe ti jepje? Ajo i tha: Doja ti jepja një hurmë. Profeti (alejhi selam) i tha: Nëse nuk do ti jepje gjë do të shkruhej ty një gënjeshtër.”

49. Transmetohet nga Ibn Umr se tha: Ka bërë tavaf i dërguari i Allahut hipur në devenë e tij Al-kas’ua ditën e çlirimit të Mekës, përshëndeti këndin e gurit të zi me shkopin e tij dhe nuk u gjet vend për ta ulur devenë në xhami derisa doli në një luginë dhe u ul, pastaj e falënderoi Allahun, e lëvdoi atë dhe tha: “O ju njerëz, Allahu e ka ndaluar arrogancën e kohës së injorancës. Njerëzit janë dy llojesh: I mirë, i devotshëm, i shtrenjtë për Allahun dhe i keq, i shthurur, i pavlerë për Allahun. Pastaj lexoi ajetin: O ju njerëz ne u krijuam juve prej mashkullit dhe femrës dhe u ndamë ju në popuj e fise që të njiheni﴿ derisa e mbaroi ajetin dhe në  përfundim  tha: E them këtë fjalë duke i kërkuar falje Allahut për vete dhe për ju.”

50- Transmetohet nga Bishr bin Akrabe se tha: Babai im ra dëshmor në njërën prej betejave të profetit (alejhi selam) dhe kur kaloi Profeti (alejhi selam) njëherë pranë meje e më pa duke qarë, më tha: Pusho! A nuk je i kënaqur që të jem unë babai yt dhe Aishja nëna jote.”

51. Transmetohet nga Ibn Abasi se Profeti (alejhi selam) nisi njëherë një skuadër për luftë dhe ata fituan shumë plaçka mes tyre edhe një burrë. Ai burri u tha: Unë nuk jam prej tyre por kam dashur një grua dhe dola pas saj, pra më lini ta shoh vetëm njëherë, pastaj bëni me mua ç’farë të doni.  Kërkuan për të dhe e gjetën. Ishte një grua e gjatë dhe ezmere. Atëherë ai i tha asaj: Bëhu myslimane, o Hubejsh para fundit të jetës!

Sikur t’ju  ndiqja pas dhe t’ju arrija

                                                    në Halje[1] apo t’ju arrija te shtigjet e ngushta

A nuk është e drejtë që ti bindesh një të dashuruari

                                                         i cili ka udhëtuar natën dhe ditën nëpër vapë

Ajo i tha: Po, u bëfsha kurban për ty! Ata e morën burrin dhe ia prenë kokën. Pastaj erdhi gruaja dhe qëndroi pranë tij, mori frymë thellë dhe vdiq.

Kur erdhën te profeti (alejhi selam) dhe e informuan për ngjarjen, ai tha: A nuk kishte mes jush njeri të mëshirshëm?

52. Transmetohet nga Sa’d (radiallahu anhu) se tha: Kur u bë çlirimi i Mekës, u fsheh Abdullah bin Sa’d bin Ebu Serh tek Uthman bin Afani, pastaj ai e solli atë te profeti (alejhi selam) dhe i tha: O i dërguari i Allahut jepja besën Abdullahut. Profeti (alejhi selam) ngriti kokën dhe e pa atë tre herë, secilën herë ai refuzonte dhe pas radhës së tretë i dha besën dhe pastaj u kthye nga shokët e tij dhe u tha: Si nuk u tregua dikush prej jush i zgjuar që ta vriste (Abdullahun) kur e patë se nuk ia zgjata dorën për t’ia dhënë besën! Sahabët thanë: O i dërguari i Allahut, si ta dinim se ç’farë ke në zemër? Sikur të na e bëje me sy! Profeti (alejhi selam) tha: “Nuk duhet që profeti të tradhtojë me sy.”

53. Transmetohet nga Ebu Dherr se tha: “Më ka porositur i dashuri im për shtatë gjëra: 1- Më porositi që t’i dua të varfrit dhe t’u rri afër. 2- Më porositi që të shoh te ata që janë poshtë meje dhe të mos shoh te ata që janë sipër meje. 3- Më porositi që të mbaj lidhjet me farefisin edhe nëse ata nuk i përmbahen. 4- Më porositi që të mos i kërkoj kujt asgjë. 5- Më porositi që të them të drejtën edhe nëse është e hidhur. 6- Më porositi që të mos i frikësohem kujt në rrugën e Allahut. 7- Më porositi që ta shpeshtoj thënien e fjalës: La haule ue la kuete ila bil-lah (që do të thotë: Nuk ka mundësi për të arritur diçka dhe as fuqi për të veçse me ndihmën e Allahut), sepse kjo fjalë është prej një thesari poshtë arshit të Allahut. (Në një transmetim tjetër: Sepse ajo është thesar prej thesareve të xhenetit).

54. Transmetohet nga Ebu Dherr se Profeti (alejhi selam) tha: “Shërbëtorët tuaj janë vëllezërit tuaj, i ka lënë Allahu nën duart tuaja. Dhe kush e ka vëllain e tij poshtë vetes, ta ushqej atë prej asaj që han, ta veshë atë prej asaj që vesh dhe mos e ngarko atë me punë të mundimshme dhe në qoftë se e bëni atëherë ndihmoni ata.”

55. Transmetohet nga Enesi (radiallahu anhu) se Profeti (alejhi selam) tha: “Besimtari me besim më të plotë është ai që ka moralin më të lartë se me moral të lartë arrin gradën e agjërimit dhe të namazit”

56. Transmetohet nga Ijad bin Himar se Profeti (alejhi selam) u foli një ditë dhe tha: “Allahu i madhëruar më ka porositur për thjeshtësi, që të mos krenohet njeri para tjetrit dhe as ti bëjë njeri padrejtësi tjetrit.”

57. Transmetohet nga Sehl bin Sad se Profeti (alejhi selam) tha: “Allahu i madhëruar është bujar dhe e do bujarinë, i do moralet e larta dhe i urren ato të dobëtat.”

58. Transmetohet nga Ebu Hurejra se Profeti (alejhi selam) tha: “Kur Allahu i madhëruar i krijoi krijesat u ngrit farefisnia dhe u kap pas mesit të Mëshiruesit (Allahut). Allahu i tha: Përmbahu! Farefisnia i tha: Kjo është pozita e atij që kërkon mbrojtjen tënde prej prishjes së mardhënieve farefisnore. Allahu tha: Po, a je e kënaqur që ta afroj atë që i mban lidhjet farefisnore dhe ta largoj atë që i pret ato? Ajo i tha: Sigurisht, o Zot! Allahu i tha: Atëherë u bëftë! Thotë Ebu Hurejra (radiallahu anhu): Pastaj profeti (alejhi selam) tha: Lexojeni nëse doni (fjalën e Allahut): E ç’farë pritet prej jush’ nëse u jepet sundimi veçse të bëni shkatërrime në tokë dhe të prishnit lidhjet farefisnore* Të tillët janë ata të cilët Allahu i ka mallkuar, i bëri të shurdhët dhe ua ka verbuar sytë* A nuk meditojnë në Kuran, apo zemrat e tyre janë të kyçura﴿

59. Transmetohet nga Enesi, Ibn Abasi dhe nga Hasen El-basri se Profeti (alejhi selam) i tha një burri: “O filan! E ke bërë këtë gjë? Ai i tha: Jo, pasha atë që nuk ka Zot tjetër veç tij! Ndërkohë profeti e dinte se ai e kishte bërë dhe i tha: Allahu ta fali gënjeshtrën tënde për shkak të besimit tënd në La ilahe ila Allah

60. Transmetohet nga Abdullahi se Profeti (alejhi selam) tha: “Allahu i madhëruar i ka ndarë mes jush moralet tuaja, siç i ka ndarë risqet tuaja. Allahu ia jep të mirat e kësaj bote atij që e do dhe atij që nuk e do dhe nuk ia jep besimin vetëm atij që e do. Dhe kush e mban pasurinë e nuk e jep atë, apo ka frikë armikun dhe nuk bën xhihad, apo ka frikë natën nga trishtimi atëherë le të thojë shpesh: Subhan Allah ue El-hamdu lilah ue La ilahe ila Allah ue Allahu Ekber (I lartësuar qoftë Allahu, falënderimet i qofshin Allahut, nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe Allahu është më i madhi)”

Es Silsiletul Ehadithi es Sahihah
Autor: Imam Albani (Allahu e mëshiroftë!)
Nën kujdesin e shejh Mesh’hur Al Selman (Allahu e ruajtë)

Përktheu: Dr. Abdullah Nabolli



[1] Halje emër vendi në gadishullin arabik

Dosje:

Loading...