Kategoritë e teuhidit

February 7, 2023

Fetvaja nr. 8943, pyetja nr. 1.

Pyetje: Cilat janë llojet e teuhidit (njësimit të Allahut) duke përmendur përkufizimin e secilit?

Përgjigja: Llojet e teuhidit janë tre:

1- Teuhidi Rububije (njësimi i Allahut të Madhëruar në zotërimin e Tij).
2- Teuhidi Uluhije (njësimi i Allahut si i vetmi i Adhuruar i vërtetë).
3- Teuhidi el esma ue sifat (njësimi i të Lartmadhëruarit duke e veçuar Atë me emrat dhe cilësitë e Tij).

Teuhidi Rububije – Njësimi i Allahut në zotërim. Me të është për qëllim të pohosh me bindje të thellë dhe besim të plotë se Allahu është i vetmi Krijues. Ai është i vetmi Furnizues. S’ka kush që jep jetë dhe përcakton vdekje përveç Tij, dhe askush përveç Allahut nuk komandon në gjithësi.

Furnizuesi, Mirëbërësi, Drejtuesi, Sistemuesi i të gjitha çështjeve të cilat kanë të bëjnë me krijesat e Tij.

Allahu është i Vetmi gjykimi i të Cilit është absolut. Ai ka caktuar ligje dhe dispozita të përkryera, ka dërgur pejgamberë (profetë) dhe ka zbritur libra. Allahu i Madhëruar thotë:

أَلَا لَهُ الْخَلْقُ وَالْأَمْرُ ۗ تَبَارَكَ اللَّهُ رَبُّ الْعَالَمِينَ

“Vetëm Atij i përket krijimi dhe urdhërimi. Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve!” |El A’raf: 54|

Teuhidi Uluhije nënkupton ta njësojmë Allahun si i vetmi i adhuruar i vërtetë. Askush tjetër përveç Tij nuk meriton të adhurohet. Nuk lejohet t’i lutemi askujt tjetër përveç Tij. Nuk kërkojmë ndihmë e as shpëtim nga e keqja te askush tjetër përveç Tij. Nuk presim kurban e nuk ofrojmë diçka në formë adhurimi për askënd e asgjë tjetër përveç Tij. Të gjitha adhurimet i takojnë vetëm Allahut. I Lartmadhëruari thotë:

قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ لَا شَرِيكَ لَهُ ۖ وَبِذَٰلِكَ أُمِرْتُ

 وَأَنَا أَوَّلُ الْمُسْلِمِينَ

“Thuaj: Në të vërtetë namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.” |El En’am: 162-163|

Gjithashtu thotë:  فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ

“Andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban!” |El Keuther: 2|

Teuhidi el esma ue sifat – Njësimi i Allahut duke e veçuar atë me emrat dhe cilësitë e Tij. Ta emërtojmë Allahun me ato emra dhë cilësi me të cilat Ai e ka emërtuar dhe e ka cilësuar Veten e Tij, si dhe me ato emra dhe cilësi me të cilat e ka emërtuar dhe e ka cilësuar i dërguari i Tij Muhamedi, paqja qoftë mbi të, në hadithet e sakta.

Të gjithë emrat dhe cilësitë e Allahut duhet t’i pohojmë por pa i përngjasuar me cilësitë e krijesave, pa i shëmbëllyer, pa ua shtrembëruar kuptimin dhe pa i mohuar.

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ

“Asgjë nuk është si Ai, Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” | Esh Shura: 11 |

Në Dorën e Allahut është i gjithë suksesi! Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij!

 

Komisioni i përhershëm për kërkime shkencore dhe fetva.

 Përktheu: Edmond Ajdini

Dosje: ,

Loading...