Ndjenjat e lamtumirës kur shoqërohen me një vepër, e shtojnë kujdesin dhe përkushtimin e atij që e kryen atë vepër duke e bërë të shfrytëzojë çdo mundësi. Ky është parimi i “mundësisë së fundit” i cili na shfaqet qartë në jetën e të Dërguarit më të mirë, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Irbad ibn Sarijeh tregon: “Një ditë Profeti ﷺ fali namazin me ne, pastaj u kthye dhe na mbajti një fjalim prekës nga i cili lotët na rridhnin dhe zemrat na dridheshin. Dikush tha: O i Dërguari i Allahut, duket sikur kjo është një këshillë lamtumire, çfarë na porosit?”
Sahabët e kuptuan thellësinë e këshillës dhe e perceptuan aromën e lamtumirës, ndaj u përlotën dhe zemrat e tyre u mbushën me frikë. Ata u bënë më të kujdesshëm për të bërë mirë dhe për të përfituar nga ky moment duke i kërkuar këshilla të Dërguarit të Allahut ﷺ.
Ndërsa në haxhin e lamtumirës, përballë turmave të mëdha që kishin hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe, profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u përmblodhi thelbin e këshillave të tij pas një rrugëtimi të gjatë të përpjekjeve dhe mundimeve, duke e ndier afrimin e fundit të tij dhe tha: “Ndoshta nuk do t’ju takoj më pas këtij viti.”
Kjo e vërtetë e nxiti atë të jepte këshillat më të vyera për besimtarët: “Kur të falesh, fale namazin sikur të ishte i fundit për ty.”
Sa shumë kemi nevojë për këtë qasje në muajin e Ramazanit, duke u gëzuar për ardhjen e tij por në të njëjtën kohë duke kujtuar se ndoshta nuk do ta arrijmë vitin e ardhshëm.
Prandaj, jetoje këtë muaj si të ishte i fundit për ty!
Agjëro në Ramazan si dikush që po i thotë lamtumirë këtij muaji. Kupto se kjo mund të jetë hera e fundit që agjëron. Shfrytëzoje këtë mundësi për të përjetuar kuptimin e vërtetë të agjërimit. Për herë të fundit do të agjërojë gjuha jote, do të agjërojnë sytë e tu, veshët, duart dhe këmbët e tua. Para së gjithash zemra jote do të agjërojë. Do të ndahesh nga çdo e keqe duke i thënë: “Kjo është ndarja mes meje dhe mes teje!”
Falu në Ramazan si dikush që i thotë lamtumirë. Hyr në namaz pa shpresë se do të kesh një rast tjetër. Shikoje vdekjen si diçka që të vëzhgon dhe të pret të mbarosh për të të marrë.
Lidhu me Kuranin në Ramazan si dikush që po i jep lamtumirën. Do të ndiesh keqardhje për çdo ajet që ke lexuar pa vëmendje dhe për çdo kuptim që nuk e ke kuptuar, do të ndiesh mungesën e atyre ndjesive të thella që vijnë nga meditimi i Kuranit.
Jep sadaka në Ramazan si dikush që po i jep lamtumirën kësaj vepre madhështore. Kije parasysh këtë ajet: “Nuk më bëri dobi pasuria ime.” | El Hakka: 28. A nuk të ndodh që vetja jote të të pengojë nga dhënia e lëmoshës? A nuk do doje që po të vinte vdekja të kishe dhënë gjithçka për të shpëtuar nga dënimi i Allahut? Prandaj, jep për hir të Allahut me zemër të pastër dhe pa u penduar.
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: agjerimi, Muaji i Ramazanit
Të Ngjashme
- Ngushëllimi i natës së fundit Udha e Besimtarëve
- Si të përfitosh nga Nata e 27-të e muajit Ramazan? Udha e Besimtarëve
- Jemi në ditët më me vlerë të muajit Ramazan Emin Bilali
- Gëzohu që je në këto dhjetë netë të bekuara Udha e Besimtarëve
- Muaji i Ramazanit sezon i ahiretit andaj le ta shrytëzojnë muslimanët Shejh Abdulmuhsin Abad