Lutjet për të sëmurin në hadithet e Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Prej lutjeve që transmetohet nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, është: “La bas tahurun inshaAllah. (Nuk ka problem, pastrim në dashtë Allahu!)” E përcjell Buhariu.
O Allah! Shëroje filanin! – duke përmendur emrin e të sëmurit.
Buhariu transmeton në “Koleksionin e haditheve autentike” se: Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem hyri te Sadi në kohën që ai ishte i sëmurë dhe tha: “O Allah! Shëroje Sadin!”
Transmetohet nga Aisha radijAllahu anha se ka thënë: Kur ndonjëri nga ne ankohej, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e prekte me të djathtën e tij e pastaj thoshte: “Edh-hib el-ba’s rabbe en-nas. Ueshfi ente esh-shafi, la shifae il-la shifauke, shifaen la jugadiru sekama. – O Zoti i njerëzve! Largoja këtë sëmundje dhe shëroje. Me të vërtetë Ti je Shëruesi. Nuk ka shërim përveç shërimit Tënd, shërim që nuk lë asnjë sëmundje pas.” Transmeton Muslimi.
Transmetohet nga Abdullah bin Abasi radijAllahu anhuma nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, se ka thënë: “Kush viziton një të sëmurë pa i ardhur akoma vdekja dhe thotë tek ai shtatë herë: Es’elullahel adhim Rabbel arshil adhim en jeshfijek. – Lus Allahun e Madhërishëm, Zotin e Arshit madhështor që të të shërojë!” – veçse Allahu i Lartësuar e shëron atë nga ajo sëmundje.” Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi.
Këto lutje dhe të tjera përveç tyre që saktësohen nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në lidhje me këtë janë më të mirat për të sëmurin. E nëse bëhet ndonjë lutje tjetër përveç tyre të gjitha janë të mira, por më të mirat janë ato (lutje) që saktësohen nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Shejh Abdulaziz es-Sed’han
Përktheu: Unejs Sheme