Dhjetë ditët më të mëdha

Profeti (paqja dhe lavderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

“Nuk ka ditë më të mëdha tek Allahu sesa këto dhjetë ditë (ditët e para të Dhul-Hixhes), e as ditë në të cilat veprat janë më të dashura tek Allahu sesa këto ditë. Prandaj shpeshtojeni thënien “La ilahe ilAllah”, tekbiret dhe falënderimet ndaj Allahut.” Trasmeton Imam Ahmedi dhe saktësoi muhadithi i madh Ahmed Muhamed Shekir, Allahu i mëshiroftë të dy imamët.

Këto ditë janë ditë në të cilat bëhen shumë tekbire dhe falënderime ndaj Allahut, dhe thuhet shumë shprehja ‘La ilahe ilAllah’.

Buhariu (Allahu e mëshiroftë) transmeton në sahihun e tij 1/329 se Ebu Hurejra dhe Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve) dilnin në treg dhe bënin tekbire e kështu përkujtonin njerëzit për tekbire.

Nuk duhet të kemi turp të madhërojmë Allahun me tekbir në shtëpitë tona. Mos të mungojë tekbiri individual nëpër xhamitë tona. Të bëjmë tekbire duke shkuar për në xhami e kudo që të ndodhemi.

Ndërsa në ditën e Arafatit e cila është dita para Bajramit, fillojnë tekbiret me zë pas cdo namazi në mënyrë individuale, dhe vazhdojnë deri në ditën e tretë pas Bajramit. Deri në ditën e Arafatit bëjmë tekbire kudo që ndodhemi në çdo kohë, prej sabahut të ditës së Arafatit e deri në ditën e fundit të teshrikut, pra deri ditën e tretë pas Bajramit bëjmë tekbire edhe pas namazeve farze.

Tekbiri i këtyre ditëve është:
Allahu ekber Allahu ekber, La ilahe il-lAllah, uAllahu ekber Allahu ekber, ue lil-lahil hamd.
Allahu është më i madhi! Allahu është më i madhi! Nuk meriton të adhurohet askush e asgjë përveç Allahut! Allahu është më i madhi! Allahu është më i madhi! Allahut i takojnë falënderimet dhe lavdërimet absolute.

 

Anis Agovi