Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi” – 5 –

June 19, 2025

Kapitulli: Prej pengesave që e ndalojnë pranimin e duasë.

Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë:

Prej pengesave që e ndalojnë efektin e duasë dhe pranimin e saj është ngutja e robit dhe padurimi i tij ndaj vonesës së përgjigjes. Kur nuk sheh menjëherë rezultat ai plogështohet dhe e braktis lutjen. Kjo gjendje është e ngjashme me njeriun që mbjell një farë ose një fidanishte për të cilën kujdeset, e ujit dhe e ndjek zhvillimin e saj, por kur vonon të shohë frytet dhe pjekjen e tyre, e lë pas dore dhe e harron.

Në Sahihun e Buhariut Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Duaja do t’i pranohet ndonjërit prej jush përderisa ai nuk ngutet, duke thënë: U luta por nuk u pranua lutja ime.”

Ndërsa në Sahihun e Muslimit po nga Ebu Hurejra transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Lutja, vazhdon t’i pranohet robit përderisa ai nuk lutet për mëkat apo për shkëputje të lidhjeve farefisnore, dhe përderisa nuk ngutet. I thanë: O i Dërguar i Allahut, ç’është ngutja? Tha: Thotë: U luta, u luta, por nuk gjeta përgjigje (pranim), – dhe në atë çast plogështohet dhe ndalon së luturi.”

Po ashtu, në Musnedin e Imam Ahmedit transmetohet nga Enesi se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Robi vazhdon të jetë në mirësi përderisa nuk ngutet. I thanë: O i Dërguar i Allahut, si është ngutja? Tha: Thotë: Iu luta Zotit tim por Ai nuk mu përgjigj.”

Komenti: Autori e vendosi këtë kapitull për të vënë në dukje një rrezik apo epidemi që e pengon efektin e pranimit të duasë. Kjo do të thotë se nëse kjo epidemi ekziston, atëherë ajo bëhet pengesë për pranimin e lutjes.

Me këtë kapitull dhe me ata që do të vijnë, Imam Ibn Kajimi vë theksin dhe sqaron rëndësinë e kujdesit ndaj kushteve dhe etikës së duas, duke theksuar se çdo besimtar sa herë që t’i drejtohet Allahut të Lartësuar duhet të jetë i vetëdijshëm për etikën dhe normat që e shoqërojnë këtë adhurim (duanë), kufijtë dhe rregullat që janë të përmendura në librin e Allahut dhe sunetin e Profetit alejhi selam. Këto kushte dhe rregulla janë thelbësore për fuqinë dhe efektshmërinë e duasë. Kur përmbushen siç duhet duaja bëhet më e fortë dhe më afër pranimit.

Prandaj edhe në hadith thuhet: “Duaja do t’i pranohet ndonjërit prej jush përderisa ai nuk ngutet.”

Kjo do të thotë se nëse duaja është e pastër nga këto mangësi dhe pengesa, atëherë ka më shumë gjasa të pranohet.

Këtë kapitull autori e solli për të na paralajmëruar nga këto mangësi (epidemi) dhe për të na treguar se lutësi duhet të tregohet i kujdesshëm në njohjen e etikës së duasë dhe kushteve të saj, dhe të tregojë interes sa herë që i drejtohet Allahut të Lartësuar me lutjet e tij.

Nisur nga kjo, autori thotë:

“Prej pengesave që e ndalojnë efektin e duasë dhe pranimin e saj është ngutja e robit dhe padurimi ndaj vonesës së përgjigjes. Kur nuk sheh menjëherë rezultat, ai plogështohet dhe e braktis lutjen.”

Ky realitet ndodh shpesh ndër njerëz në shumë prej nevojave që kanë. Luten një apo dy herë, i ngrenë duart drejt qiellit një apo dy herë, dhe kur nuk shohin rezultat të menjëhershëm, thonë me vetet e tyre: “U luta por nuk m’u përgjigj,” – dhe kështu e ndërpret lutjen dhe shkëputet nga kjo mirësi e madhe. Braktisja e lutjes është shenjë e privimit nga një mirësi e madhe.

Ky privim ka depërtuar tek shumë njerëz, sepse kur përballen me ndonjë hall të madh apo vështirësi luten një ose dy herë, dhe kur nuk shohin përgjigje të menjëhershme thonë në vetet e tyre: U luta por nuk gjeta përgjigje, – dhe kështu e braktisin duanë.

Prandaj, prej rregullave të rëndësishme në dua është që njeriu të jetë i qëndrueshëm në kërkesën e tij dhe të tregojë këmbëngulje duke mos u dëshpëruar nga vonesa e përgjigjes.

Dhe siç u përmend pak më herët, autori solli fjalët e të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Luteni Allahun duke qenë të bindur për përgjigjen.”

Nëse ky besim i palëkundur është i pranishëm në zemër, atëherë kjo sëmundje (ngutja dhe dëshpërimi) nuk ka vend tek ai.

Ai që ka besim dhe siguri të plotë në Allahun e Madhëruar kjo siguri e shtyn të këmbëngulë në lutje, të mos ndalet, të vazhdojë me përulësi dhe shpresë.

Po ashtu, medito në këtë shembull sa i bukur është për sqarimin e kësaj çështjeje:

Ai (që lutet një ose dy herë pastaj lodhet dhe e lë lutjen) është i ngjashëm me njeriun që mbjell një farë ose një fidanishte për të cilën kujdeset, e ujit dhe e ndjek zhvillimin e saj, por kur vonon të shohë frytet dhe pjekjen e tyre, e lë pas dore dhe e harron.

Nëse kjo sjellje është e qortueshme tek njerëzit – pra që një person të mbjellë dhe të lodhet, pastaj kur afrojnë frytet e punës së tij të dorëzohet dhe të thotë: “U lodha me të dhe nuk dha fryte!” – tek njerëzit ky qortohet. E njejta gjë vlen edhe për atë që lutet.

Ka nga ata që ndalojnë së luturi pikërisht në momentet kur përgjigja është më pranë se kurrë sa një hark apo më afër, përgjigja ka qenë pranë dhe afër tij. Pastaj ai largohet dhe e ndërpret lutjen duke thënë: “U luta dhe u luta, por nuk gjeta përgjigje.”

Më pas autori tha: “Në Sahihun e Buhariut nga hadithi i Ebu Hurejrës, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Duaja do t’i pranohet ndonjërit prej jush përderisa nuk ngutet.”

Vini re! “Përderisa nuk ngutet”. Kjo do të thotë se nxitimi në lutje nuk ka asnjë të mirë.

Nxitimi në lutje është një ‘epidemi’ (pengesë) ashtu siç e ka shprehur Ibn Kajimi: “Nxitimi në lutje është një pengesë.”

Ky nxitim nuk e përshpejton dhe nuk e vonon përgjigjen, por nga lutësi kërkohet të këmbëngulë, të lutet, ta përsërisë lutjen dhe të shpresojë dhe të presë përgjigjen.

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Duaja do t’i pranohet ndonjërit prej jush përderisa ai nuk ngutet. Thotë: U luta, por nuk m’u përgjigj.”

Gjithashtu, është transmetuar në Sahihun e Muslimit nga hadithi i Ebu Hurejrës se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Lutja vazhdon t’i pranohet robit përderisa ai nuk lutet për mëkat apo për shkëputje të lidhjeve farefisnore, dhe përderisa nuk ngutet.”

Lutja për mëkat dhe shkëputje të lidhjeve farefisnore konsiderohet prej nxitimit në të keqe, Allahu na ruajt, dhe kjo është në dëm të njeriut.

Allahu i Lartësuar thotë: “Njeriu lutet për të keqen siç lutet për të mirën, e njeriu është shumë i nxituar.”

Kjo është prej pengesave, domethënë që njeriu të lutet kundër vetes ose kundër të afërmve të tij, ose kundër fëmijës së tij, lutet për ta me mëkat apo me shkëputje të farefisnisë. Ky është nxitim nga ai i qortuari dhe kjo lutje nuk i pranohet njeriut.

Ai tha: “Lutja vazhdon t’i pranohet robit përderisa nuk lutet për mëkat apo për shkëputje të lidhjeve farefisnore.” Allahu i Larësuar thotë: “E sikur Allahu t’ua nxitojë njerëzve të keqen ashtu siç nxitojnë të mirën, atyre do t’u përfundohej afati i tyre.”

Pra, nga mëshira e Allahut është që kjo lutje nuk u pranohet (njerëzve).

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Lutja vazhdon t’i pranohet robit përderisa ai nuk lutet për mëkat apo për shkëputje të lidhjeve farefisnore, dhe përderisa nuk ngutet. I thanë: O i Dërguar i Allahut, ç’është ngutja? Tha: Thotë: U luta, u luta, por nuk gjeta përgjigje (pranim), – dhe në atë çast plogështohet dhe ndalon së luturi.”

Plogështohet, bie në pesimizëm dhe dëshpërim dhe e braktis lutjen.

Kjo konsiderohet ashtu siç u shpreh Ibn Kajimi një “pengesë” nga e cila lutësi duhet të ruhet.

Pastaj ai solli transmetimin që gjendet në Musnedin e Imam Ahmedit që është me kuptim të ngjashëm me hadithin e Enesit, ku tha: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Robi vazhdon të jetë në mirësi përderisa nuk ngutet. I thanë: O i Dërguar i Allahut, si është ngutja? Tha: “Thotë: Iu luta Zotit tim, por Ai nuk mu përgjigj.”

Kapitulli: Kohët e pranimit të lutjes.

Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë:

Nëse gjatë lutjes bashkohet prania e zemrës dhe përqëndrimi i saj i plotë tek ajo që kërkon, dhe kjo përkon me një kohë prej kohëve të pranimit të lutjes të cilat janë gjashtë:

1. Një e treta e fundit të natës.

2. Në kohën e ezanit.

3. Ndërmjet ezanit dhe ikametit.

4. Pas namazeve të detyrueshme.

5. Gjatë hutbes së xhumasë, që nga ngjitja e imamit në minber deri në përfundim të namazit të ditës së xhuma.

6. Ora e fundit pas ikindisë (në ditën e xhuma).

Nëse (këtyre kohëve) u bashkohet edhe përulja e thellë në zemër, nënshtrimi i sinqertë para Zotit, butësia dhe ndjenja e thellë dhe kërkimi i sinqertë, ndërkohë që lutësi kthehet me fytyrë nga kibla duke qenë në gjendje të pastër (me abdes) dhe i ngre duart drejt Allahut. Fillon me falënderimin dhe lavdërimin ndaj Tij, pastaj duke dërguar salavate mbi Muhamedin, shërbëtorin dhe të dërguarin e Tij ﷺ, pastaj e paraprin kërkesën me pendim dhe kërkim faljeje. Më pas i drejtohet Allahut, i lutet me këmbëngulje, e lavdëron dhe i lutet Atij me frikë dhe shpresë duke ndërmjetësuar tek Ai me emrat dhe cilësitë e Tij dhe me teuhidin (njëshmërinë) e Tij, jep sadaka para lutjes, atëherë kjo lutje është pothuajse e pamundur të refuzohet sidomos nëse përputhet me ato për të cilat Profeti ﷺ ka njoftuar se janë të pranueshme ose që përmbajnë emrin më të Madh të Allahut.

Komenti: Këto fjalë janë me të vërtetë madhështore dhe përmbajnë një përmbledhje të mrekullueshme të edukatës së lutjes dhe kushteve të saj. Autori i ka bashkuar në mënyrën më të bukur dhe më të dobishme këto çështje, dhe siç thotë ai:

“Nëse këto gjëra bëhen bashkë në lutjen e robit është pothuajse e pamundur që ajo (lutje) të mos pranohet.”

Kjo është prej atyre thënieve që duhen shpërndarë nëse i merr këto fjalë dhe thua: Ibn Kajimi në librin e tij “Sëmundja dhe ilaçi” thotë kështu.

Nëse ia dërgon dikujt këtë dobi, me siguri do të gëzohet dhe do ta dojë këtë libër.

Në këtë mënyrë do bashkosh mes dy të mirave: ta udhëzosh dikë në këtë dobi të çmuar dhe ta bësh të lidhet me këtë libër të bekuar.

Këto mjete në të vërtetë janë të rëndësishme për t’u angazhuar dhe bashkëpunuar në përhapjen e kuptimeve dhe mirësive të tilla, në mënyrë që njerëzit të përfitojnë me lejen e Allahut.

Sqarimet e mëtejshme të këtij kapitulli do t’i trajtojmë në takimin tonë të ardhshëm në dashtë Allahu i Lartësuar.

I lutemi Allahut të Lartësuar të na jap sukses të gjjthëve në çdo mirësi!

Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi”.

Autor: Abdurrezak el Bedr

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...