Mendjemadhësia është ndër gjynahet e para me të cilat është kundërshtuar Allahu.
Allahu ﷻ e urdhëroi Iblisin që t’i bënte sexhde Ademit (alejhis selam), por ai refuzoi duke thënë:
{أَنَا خَيْرٌ مِنْهُ خَلَقْتَنِي مِنْ نَارٍ وَخَلَقْتَهُ مِنْ طِينٍ}
“Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, ndërsa atë e krijove nga balta!”
(Surja A’raf, 12)
Pikërisht kjo fjalë, e mbushur me mendjemadhësi dhe mburrje, u bë shkak për shkatërrimin e Shejtanit dhe largimin e tij të përhershëm nga mëshira e Allahut ﷻ.
Mendjemadhësia është gjithashtu nga shkaqet e shkatërrimit të shumë popujve të mëparshëm, pasi ishte pikërisht ajo që i pengoi të besonin dhe të ndiqnin Profetët që Allahu u dërgoi.
Po kjo mendjemadhësi shkatërron edhe sot shumë njerëz, të cilët vazhdojnë të ndjekin diçka edhe kur e shohin qartë se janë në gabim, vetëm që të mos e thyejnë krenarinë e tyre.
Një tjetër formë e mendjemadhësisë është edhe nënçmimi i të tjerëve, duke menduar se je më i mirë se ata.
Fatkeqësisht, kjo mendësi shfaqet shpesh edhe tek ne, në forma të ndryshme: përmes mburrjes me pasurinë, prejardhjen, pozitën apo arritje të tjera.
Bëj kujdes nëse e sheh veten mbi të tjerët për ndonjë nga këto arsye!
Ndoshta mund të mendosh se je më i devotshëm apo më i mirë se të tjerët në një aspekt të caktuar, por pikërisht ky mendim mund të bëhet shkak që të humbasësh gjithçka, ashtu si Iblisi, i cili humbi pozitën që gëzonte mes melaikeve.
Mjerë për ty nëse mendon se je i vetmi i zgjedhur i Allahut, “shpëtimtari” i njerëzimit, apo i vetmi që di dhe kupton, ndërkohë që të tjerët i konsideron të paditur.
Sufjan eth Theuri (v. 181H) u pyet: “Kush është njeriu më i keq në mesin e atyre që qëndrojnë në sheshin e Arafatit?”
Ai u përgjigj:
“Njeriu më i dëshpëruar është ai që mendon se Allahu nuk ua fal gjynahet njerëzve që qëndrojnë në këtë shesh ditën e Arafatit.”
(Ibn Ebi Dun’ja, 2/330)
Ebu Uthman el Hiri (v. 298H) thotë:
“Frika ndaj Allahut të afron tek Ai. Mendjemadhësia dhe vetëpëlqimi të shkëpusin prej Tij.
Ndërsa nënçmimi i njerëzve në vetvete është një sëmundje që nuk ka shërim.”
(Hiljetul Eulija’, 10/240)
O Allah, na pastro zemrat nga mendjemadhësia dhe vetëpëlqimi, mos na lër të mashtrohemi nga vetja jonë dhe na bëj prej atyre që e njohin veten dhe e pranojnë të vërtetën!
Dosje: Mendjemadhësia
Të Ngjashme
- Shkaqet e dobishme për një jetë të lumtur Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi
- Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi” – 12 – Udha e Besimtarëve
- Komenti i librit “Sëmundja dhe Ilaçi” – 11 – Ibn Kajim el-Xheuzije
- Astrologjia – dega e magjisë që vret teuhidin Udha e Besimtarëve
- Mirësia dhe urtësia e të ngrënit bashkarisht Udha e Besimtarëve