E treta: Botëkuptimi i ngushtë dhe i gabuar që ateistët kanë rreth çështjeve të Kaderit (vendimit dhe paracaktimit hyjnor).
Ky botëkuptim i ngushtë dhe i gabuar i tyre shprehet në dy teori të njohura tek ata: në atë që e quajnë “Teoria e së keqes” dhe në “Teorinë e absurditetit”.
Sa i përket të parës, pra teorisë së të keqes, ata shprehen se përderisa në botë ekziston e keqja, përderisa në të kryen vrasje, përderisa ka sëmundje, shqetësime e lëndime, atëherë të gjitha këto janë tregues se Zoti Fuqiplotë e i Mëshirshëm nuk ekziston. Sepse – sipas pretendimit të tyre – nëse do të ekzistonte, nuk do të lejonte që të gjitha këto të ndodhnin.[1]
Ndërsa në lidhje me teorinë e dytë, atë që ata e kanë emërtuar ‘Teoria e absurditetit’, ata shprehen se: Në univers ndodhin gjëra kontradiktore të cilat nuk përputhen me logjikën, kështu që kjo tregon se universi dhe bashkë me të e gjithë ekzistenca është fryt i rastësisë dhe nuk i nënshtrohet asnjë rregulli të vendosur nga Zoti, Krijuesi, Drejtuesi dhe Sistemuesi Fuqiplotë, ashtu siç besojnë besimtarët.
Të dyja këto teori, vijnë si pasojë e një shkaku të vetëm, dhe ai është injoranca, apo të injoruarit qëllimisht e një parimi themelor dhe tepër të rëndësishëm, njohjes së Urtësisë Hyjnore e cila gjendet në çdo vepër prej veprave të Allahut të Madhëruar, si dhe në gjithçka që Ai ka caktuar. Sa bukur e ka sqaruar këtë çështje dijetari i mirënjohur, shkëlqesia e tij Ibën Tejmija (Allahu e mëshiroftë!), në poemën e tij të famshme “Et Taijeh”, në të cilën ka shpjeguar çështjet që kanë të bëjnë me Kaderin[2] (vendimin dhe paracaktimin hyjnor), ku ndër të tjera thotë:
“Zanafilla e lajthitjes së njeriut, të çdo lloji
nis kur caktimin e Zotit si të padrejtë e shikon.
Nuk e kupton urtësinë e Zotit i Cili përsosi dhe krijoi,
por bëhet injorant dhe nuk arsyeton.”
Të gjitha sprovat dhe vështirësitë që ndodhin në jetën e kësaj bote, janë të lidhura ngushtë me parimin e sprovës. Allahu i Madhëruar thotë:
الَّذِي خَلَقَ الْمَوْتَ وَالْحَيَاةَ لِيَبْلُوَكُمْ أَيُّكُمْ أَحْسَنُ عَمَلًا ۚ وَهُوَ الْعَزِيزُ الْغَفُورُ
“Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju sprovuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është Ngadhënjyesi, Mëkatfalësi.” El Mulk, 2.
Kështu pra, Zoti ynë vazhdimisht na sprovon me vështirësi nga më të ndryshmet, në mënyrë që të na pastrojë nga mëkatet, të na edukojë, të na përmirësojë gjendjen, apo të na shpërblejë (ndëshkojë) për atë që kemi punuar. Shumë prej njerëzve tregohen të verbër në lidhje me të gjitha këto, ashtu siç tregohen të verbër në lidhje me faktin se asgjë nga ato që Allahu i Madhëruar ka caktuar, nuk është dhe s’mund të jetë e keqe absolute. Ndërsa në Atë që Allahu i Madhëruar vepron apo gjykon, aty s’ka dhe s’mund të ketë vend e keqja, ashtu siç e ka përmendur këtë Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili gjatë lutjes së tij ka thënë: “Ndërsa e keqja nuk është tek Ti (nuk vjen prej teje).”[3]
Në gjithçka që Allahu i Madhëruar ka caktuar, e keqja në të është e pjesshme dhe jo absolute. Allahu i Madhëruar, i Cili është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë, kur e cakton diçka, e cila edhe mund të jetë e hidhur, nuk e ka caktuar atë veçse për një mirësi dhe dobi, e cila ose do të jetë e tillë për vet personin, ose për dikë apo diçka tjetër, pavarësisht faktit nëse njeriu e kupton apo nuk arrin ta kuptojë urtësinë e saj.
Si përfundim themi: s’ka dyshim se në çdo gjë që Allahu i Madhëruar ka caktuar, ka urtësi dhe dobi. Argumentet që e përforcojnë këtë bindje janë të shumta. Dijetari i mirënjohur Ibnul Kajjim (Allahu e mëshiroftë!), ka thënë se argumentet të cilat tregojnë për urtësinë e Allahut të Madhëruar në gjithçka që Ai vepron, janë më tepër se dhjetëmijë argumente.[4]
E katërta: Disa pretendime absurde dhe të papranueshme logjikisht, tek të cilat bazohen ateistët.
Sa herë që besimtari i përmend ateistit ligjin e shkakësisë[5] (pra që çdo gjë ndodh si pasojë e një shkaku, dhe se çdo vepër ka nevojë për një veprues, sikurse çdo krijesë e cila ekziston, ka nevojë për krijuesin e saj), ai (ateisti) i kundërpërgjigjet me një pretendim absurd dhe të papranueshëm logjikisht duke thënë: “Le të imagjinojmë për një moment se kemi rënë dakord që Allahu është Krijuesi i gjithësisë dhe i gjithçkaje që gjendet në të, kjo sepse çdo krijesë ka nevojë për krijues, mirëpo, duke u nisur po nga ky parim, a mund të më thuash kush e krijoi Allahun? Përse të mos e marrim në konsideratë këtë parim edhe kur flasim për Zotin?”
Kjo pyetje është e papranueshme logjikisht, pasi jobesimtari fillimisht po e pranon se Allahu është Krijuesi, e si pyet pastaj se kush e krijoi Krijuesin?! Ai e quan atë Krijues dhe krijesë në të njëjtën kohë, e kjo s’mund të jetë pasi është kontradiktore. Krijuesi s’mund të jetë i krijuar e as krijesa s’mund të jetë Krijuesi.
Prej dyshimeve të kota dhe pretendimeve absurde që ateistët ngrenë, janë edhe pyetjet e natyrës: “A mundet të krijojë Zoti një shkëmb aq të madh sa që të mos jetë në gjendje ta ngrejë?” Natyrisht që kjo pyetje dhe të tjera të kësaj natyre bëhen për arsye që ta detyrojnë debatuesin të gabojë në çdo përgjigje që jep. Në rastin konkret, nëse ai thotë: “Nuk mundet ta krijojë”, ata thonë: “Atëherë si mund të jetë Zot kur Ai është i kufizuar në fuqinë dhe aftësinë e Tij krijuese?!” – E nëse besimtari thotë: “Po, mundet ta krijojë”, ata thonë: “E si mund të jetë Zot kur Ai nuk është në gjendje ta ngrejë atë?!” – Pra, qëllimi i tyre me këtë pyetje, është ta detyrojnë besimtarin të dyshojë në Fuqinë e Allahut të Madhëruar, e për pasojë, të dyshojë në ekzistencën e Tij.
Nëse mediton pak më thellë rreth pyetjes së tyre, do të kuptosh se ajo nuk është më tepër se një idiotësi, si dhe një argument më tepër që vërteton se doktrina ateiste është e brishtë dhe naive.
Pra siç e thamë, kjo pyetje është absurde dhe e papranueshme logjikisht. Ajo kundërshton dhe hedh poshtë vetveten, pasi fundi i saj bie ndesh me fillimin e saj. Kjo sepse Ai i Cili është në gjendje të krijojë një shkëmb nga hiçi, normalisht që është edhe i aftë e i fuqishëm që ta ngrejë atë nëse dëshiron, e asgjë nuk mund ta pengojë.
Ne besojmë dhe kemi bindje të plotë se Allahu i Madhëruar është i Plotfuqishëm për gjithçka. Ai është në gjendje të krijojë çfarë të dojë, qoftë shkëmb apo diçka tjetër e është në gjendje ta ngrejë atë, nëse dëshiron. Allahu i Madhëruar është i Përsosur në të gjitha cilësitë e Tij, e nëse ateisti e konsideron përsosmërinë si mangësi, atëherë ky është një problem serioz që tregon për keqfunksionim të mendjes dhe logjikës së tij, e cila ka nevojë për kurim.
Prej dyshimeve që ata hedhin, është edhe pretendimi i tyre se në Islam ka gjëra të papranueshme logjikisht, e ndër to veçojnë hadithin në të cilin tregohet se dielli pasi perëndon, shkon dhe bën sexhde nën Arshin[6] (Fronin) e Allahut, e kjo – sipas tyre – është e papranueshme logjikisht.
Muslimani është i bindur se ajo që përmendet në hadith është e vërtetë dhe është prej fjalëve të Profetit fisnik (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pasi hadithi është transmetuar saktësisht. Prej tekstit të hadithit kuptojmë se dielli, në një moment të caktuar të udhëtimit të tij në hapësirë, si dhe në një vend të caktuar, i përulet në sexhde Allahut të Madhëruar, Krijuesit Fuqiplotë.
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), na ka treguar, ashtu siç gjendet në hadithet e tij, se shtatë qiejt si dhe i gjithë universi bashkë me galaktikat madhështore e yjet e panumërt – ku njëri ndër ata yje është dhe dielli ynë – gjenden nën Arshin e Allahut, kështu që s’ka asnjë problem logjik që dielli t’i përulet në sexhde Allahut nën Arshin e Tij, pasi dielli gjithsesi, nën Arshin e Tij është. Ndërsa sa i përket mënyrës dhe formës se si dielli i bën sexhde Allahut, këtë nuk e dimë, por kjo s’do të thotë se është e pamundur të ndodhë.[7]
Ateistët kujtojnë se duke përmendur këtë hadith, po i vënë muslimanët në pozitë të vështirë, mirëpo kjo s’është aspak e vërtetë. Madje, nëse do të gjykonim drejtë, në pozitë të vështirë janë ateistët, të cilët në lidhje me diellin, atë krijesë madhështore që Allahu Fuqiplotë ka krijuar, e të cilit i ka caktuar të notojë në hapësirë – duke mos devijuar udhën e tij – as sa maja e gishtit, në lidhje me atë yll gjigant temperatura e të cilit është jashtëzakonisht e lartë, ata thonë se është krijuar vetvetiu nga hiçi! A është kjo fjalë e tyre më e denjë për t’u pranuar logjikisht, apo ajo që Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na ka treguar në lidhje me diellin, pra, se ai i përulet në sexhde Krijuesit Fuqiplotë?! Allahu i Madhëruar e krijoi diellin dhe i caktoi rrugën që duhet të përshkojë, ashtu siç Ai dëshiroi, si dhe e bëri që në një vend dhe moment të caktuar, t’i përulet i nënshtruar, edhe pse ne nuk e ndjejmë dhe nuk e dimë formën dhe mënyrën se si i përulet. Natyrisht që kjo e dyta është më e pranueshme logjikisht, e sidomos kur na ka lajmëruar për të Profeti fisnik (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili nuk flet nga vetja e tij, por ajo që ai tregon është shpallje nga Zoti i gjithësisë.
Si përfundim themi se kjo metodë që ndjekin ateistët, duke hedhur dyshime dhe duke shtruar pyetje retorike, të fryra në pamje të jashtme por të varfra në arsyetim, nuk është një metodë e cila mbështetet në qasje shkencore, por më tepër ato janë mjegullnaja të ngritura prej tyre për të mbuluar dobësinë e doktrinës ateiste në njërën anë, si dhe për të sulmuar Islamin dhe doktrinën e tij në anën tjetër.
Për këtë arsye, ata me këmbëngulje e vazhdojnë ofensivën e tyre të ashpër duke u përqëndruar sidomos në disa çështje të cilat edhe mes muslimanëve nuk janë unanime, apo përkundrazi, te shumica e tyre mund të jenë çështje të refuzuara, mirëpo ata qëllimisht e identifikojnë Islamin pikërisht me ato çështje. Kështu veprojnë kur sjellin si shembuj disa nga pikëpamjet e devijuara të ndonjë sekti i cili pretendon se përfaqëson Islamin, por që në realitet është në kundërshtim të plotë me parimet e Kuranit dhe traditës profetike. Ateistët shpesh herë fokusohen tek ato pikëpamje të tyre të gabuara duke i etiketuar ato si parime islame, ndërkohë që dijetarët muslimanë të të gjitha kohërave i kanë demaskuar dhe i kanë hedhur poshtë ato pikëpamje dhe kanë sqaruar se ato s’kanë asnjë lidhje me Islamin burimor. Të njëjtën gjë bëjnë edhe me pikëpamjet e ndonjë individi të caktuar, ndërkohë që ai individ s’është dhe s’mund të jetë Islami, pasi njeriu – cilido qoftë – ai është gabimtar ndërsa Islami është i plotësuar dhe i përsosur prej Zotit të gjithësisë.
Në shumë raste të tjera, ata fokusohen në disa hadithe shumë të dobëta apo të trilluara, pa i kushtuar aspak rëndësi faktit se dijetarët e hadithit i kanë refuzuar ato thënie dhe se nuk lejohet të konsiderohen prej thënieve profetike. Ata u kundërvihen këtyre haditheve të dobëta, duke pretenduar se po gjejnë të meta dhe kontradikta në thëniet profetike, ndërkohë që nuk e dinë, apo nuk duan t’ia dinë (apo hiqen sikur s’e dinë) se të gjitha hadithet duhet të verifikohen më parë nga dijetarët e hadithit, dhe jo çdo hadith i përmendur në libra apo në traditën islame është prej thënieve të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kështu pra, ata përziejnë midis asaj që është islame dhe asaj që nuk është prej tij, përziejnë të saktën me të gabuarën dhe të vërtetën me të kotën.
Ata trumbetojnë me të madhe se Islami dhe shkenca nuk mundet të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën. Si dhe fokusohen te prapambetja që i karakterizon sot shumë prej vendeve me popullsi muslimane, duke aluduar se është Islami ai që i ka penguar nga zhvillimi teknologjik dhe jo vetëm.[8]
S’ka dyshim se ajo mënyrë e vlerësimit nuk është aspak e drejtë dhe e justifikuar, pasi drejtësia e kërkon që Islami të vlerësohet prej parimeve të tij dhe për atë çfarë është në vetvete dhe jo duke u nisur nga sjelljet dhe veprimet e njerëzve të cilët janë – apo pretendojnë se janë – ithtarë të tij. E nëse duhet patjetër ta vlerësojnë fenë islame nëpërmjet pasuesve dhe ithtarëve të tij, atëherë le të merren si shembull ata të cilët e kuptuan dhe zbatuan drejtë atë, siç ishte brezi i parë të këtij umeti, brezi i shokëve të Profetit si dhe i atyre që i pasuan ata duke ecur gjurmëve të tyre. Ata jo vetëm që jetuan krenarë në tokë, por, me trimërinë e tyre, me drejtësinë e tyre, me modestinë dhe zellshmërinë e tyre, mbetën shembulli më i mirë për të gjitha gjeneratat që erdhën dhe do të vijnë pas tyre.
[1] Tregohet se një besimtar kishte shkuar te berberi për të prerë flokët. Gjatë tërë kohës sa qëndroi aty bisedonte me berberin. Biseduan për gjëra dhe tema të ndryshme, ndër to biseduan edhe për Zotin. Berberi tha: Shiko o njeri, unë nuk besoj se Zoti ekziston, siç thua ti. Pse thua kështu?, – e pyeti besimtari. – Po kjo është shumë e thjeshtë, vetëm duhet të dalësh në rrugë dhe e kupton se Zoti nuk ekziston. Më thuaj po të ekzistonte Zoti a do të kishte kaq të sëmurë? A do të kishte fëmijë të braktisur? Po të ekzistonte Zoti nuk do të kishte vuajtje dhe dhimbje. Unë nuk mund ta paramendoj Zotin i cili i lejon këto gjëra – ia ktheu berberi. – Besimtari heshti për një kohë duke u menduar. Donte të replikonte, por nuk po gjente ndonjë metodë të fortë për t’iu përgjigjur berberit. Berberi kreu punën e tij dhe besimtari doli nga rrojtorja. Me të dalë në rrugë e pa një njeri i cili kishte flokë të gjatë, ishte i palarë, i pakrehur dhe dukej shumë keq. Besimtari u kthye sërish te berberi dhe i tha atij: E di çka, berberët nuk ekzistojnë! – Si nuk ekzistojnë? – pyeti berberi. – Jo!, – ngriti zërin besimtari. – Ata nuk ekzistojnë, se po të ekzistonin nuk do të kishte njerëz sikurse ai atje në rrugë! – Berberi tha: Ah, berberët ekzistojnë vetëm se njerëzit nuk vijnë tek ne. – Ashtu është! – tha besimtari. – Kjo pra, është esenca. Zoti ekziston, porse njerëzit nuk kthehen tek Ai, nuk i falen dhe luten Atij dhe për këtë arsye ka plot parregullsi në tokë!” (Shënim i përkthyesit).
“Ateizmi” Dr. Salih Sindi
Përktheu: Edmond Ajdini
[2] “Mexhmu’ul fetaua”, vëllimi: 8, faqja: 246.
[3] E transmeton imam Muslimi me nr 771.
[4] Shiko librin “Shifau el alil” vëllimi: 2, faqja: 573.
[5] Lidhje objektive, e domosdoshme ndërmjet shkakut e pasojës. (Fjalori shqip-shqip).
[6] Hadithin e transmeton imam Buhariu me nr 4802, prej haditheve të Ebu Dherrit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Teksti i tij fillon me fjalët e Ebu Dherrit i cili thotë: “Isha në xhami bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ndërkohë që dielli po perëndonte. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më tha: “O Ebu Dherr, a e di se ku po shkon dielli?” – Thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Tha: “Ai shkon dhe bën sexhde poshtë Arshit, ashtu siç tregohet në Fjalën e Allahut të Madhëruar: وَالشَّمْسُ تَجْرِي لِمُسْتَقَرٍّ لَّهَا ۚ ذَٰلِكَ تَقْدِيرُ الْعَزِيزِ الْعَلِيمِ “Edhe dielli udhëton për në cakun e tij të përcaktuar. Ai është (udhëtim) përcaktim i Ngadhnjyesit, të Dijshmit.” (Jasin: 38)
[7] Nëse para disa shekujsh dikujt do t’i thuhej se do të vijë një kohë kur njerëzit do komunikojnë, duke e parë dhe duke e dëgjuar njeri-tjetrin në kohë reale, edhe pse fizikisht do të jenë mijëra kilometra larg, do t’i dukej absurde dhe e papranueshme logjikisht, por ja që sot kjo është bërë gjëja më normale falë zhvillimit të teknologjisë. Fakti që diçka mund të të duket si e pakonceptueshme dhe e papranueshme logjikisht, nuk do të thotë me patjetër se s’mund të ndodhë, por ndoshta ti nuk arrin të perceptosh mënyrën se si ajo gjë do të ndodhë. (shënim i përkthyesit)
[8] E vërteta është krejt e kundërt me atë që ata thonë. Gjendja e muslimanëve sot është e tillë sepse ata janë larg prej parimeve dhe mësimeve të fesë së tyre. Kur muslimanët ishin muslimanë të vërtetë, muslimanë me punë dhe me zemër dhe jo vetëm muslimanë me emër siç janë sot, gjendja e tyre ishte ndryshe. A nuk ishin muslimanët ata që vendosën bazat e matematikës, algjebrës, kimisë, inxhinierisë, mjekësisë etj?! A nuk ishin muslimanët ndriçuesit e mesjetës së errët, e asaj errësire të kobshme që kishte pllakosur Evropën e atëhershme (të krishterë)? A nuk ishte Andaluzia islame (Spanja) e mbushur me pallate përrallore, shkolla e biblioteka, me rrugë e oborre të shtruara me kalldrëm, e lulëzuar nga kopshtet me lule dhe e zbukuruar me shatërvanët magjepsës?! Për të mos harruar Perandorinë Osmane, e cila ishte një superfuqi shumëshekullore, brenda së cilës, muslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët jetonin në paqe dhe harmoni me njeri-tjetrin? Nuk është Islami ai që na ka lënë të prapambetur, por jemi ne që kemi braktisur mësimet islame, prandaj gjendja jonë është e mjeruar. (shënim i përkthyesit).
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve