Kur jepet sadakaja e Fitrit?

June 22, 2017

Kur jepet sadakaja e Fitrit?

Koha e dhënies së sadakasë së Fitrit fillon me perëndimin e diellit të ditës së fundit të Ramazanit, e cila është nata e Bajramit. Ndërsa caku i mbarimit është koha e namazit të Bajramit. Mirëpo, nëse agjëruesi për arsye të ndryshme e ka të vështirë dhënien e kësaj sadakaje në kohën e lartpërmendur, atëherë i lejohet ta japë atë një ose dy ditë para mbarimit të muajit të Ramazanit. Ashtu siç vepronte sahabiu i nderuar  Ibn Omeri -radiallahu anhu-  i cili e jepte sadakanë e Fitrit një ose dy ditë para Bajramit.[1]

Kush e ka detyrë të japë sadakanë e Fitrit?

Sadakaja e Fitrit është detyrë për çdo person musliman i cili i ka mundësitë që ta japë këtë sadaka. Kryefamiljari duhet të japë për veten dhe për gjithë anëtarët e familjes. Ibn Omeri -radiallahu anhu- ka thënë: “Profeti (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ka obliguar që sadakaja e Fitrit të jepet për çdokënd nga muslimanët, qoftë ai rob apo i lirë, mashkull apo femër, i vogël apo i madh.”[2]

Cilat janë llojet e ushqimeve që jepen për sadaka Fitri?

Duhet të dimë se llojet e ushqimeve që janë të vlefshme për t’u dhënë sadaka Fitri janë ushqimet bazë të cilat konsumohen nga banorët e atij vendi. Në kohën e Profetit (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ushqimet bazë ishin: gruri, elbi, hurma arabe, qumështi pluhur, rrushi i thatë etj.

Në kohën tonë ushqimet bazë janë: orizi, makaronat, mielli, fasulet etj.

Sasia e ushqimit që duhet të jepet për çdo individ të familjes është afërsisht 2.4 kg.

—————————————————————

[1] Shiko Sahihun e Buhariut, hadithi me nr. 1440.

[2] E transmeton Buhariu me nr. 1433 dhe Muslimi me nr. 984.

Dosje: ,

Loading...