Prej gjërave që ndihmojnë në të kuptuarit e Kuranit dhe shpjegimin e tij është njohja e ajeteve të zbritura në Meke dhe ato (ajetet) që kanë zbritur në Medine. Sahabët dhe ata që erdhën pas tyre i kanë kushtuar rëndësi të veçantë njohjes së këtyre ajeteve, aq sa Ibën Mesudi ka thënë: “Pasha Allahun që nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Tij, nuk ka asnjë sure nga libri i Allahut që ka zbritur e që unë të mos e di se ku është zbritur. Po ashtu, nuk ka ajet që ka zbritur prej librit të Allahut e që unë të mos e di se për çfarë ka zbritur. Sikur të njihja ndonjë person më të ditur rreth librit të Allahut se unë e që devetë mund të arrijnë tek vendi i tij, do të kisha udhëtuar për tek ai.”[1]
Sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta, e praktikonin atë që mësonin nga Kurani. Për këtë arsye Ibën Mesudi thoshte: “Ndonjëri prej nesh kur i mësonte dhjetë ajete, nuk i tejkalonte ato derisa të mësonte kuptimin e tyre dhe të vepruarin sipas tyre.”[2]
Ky qëndrim është zbatim praktik i fjalës së Profetit, salAllahu alejhi ve sel-lem, që thotë: “Lexojeni Kuranin dhe veproni sipas tij, por mos e përdorni për të ngrënë përmes tij.”[3]
Për shkak të veprimit sipas Kuranit fisnik, Allahu e ndihmoi të dërguarin e Tij dhe sahabët që jetuan më pas. Mirëpo, kur muslimanët e kohës tonë e braktisën veprimin sipas Kuranit fisnik, edhe ndihma e Allahut u vonua derisa muslimanët t’i kthehen mësimit të librit të Zotit dhe praktikimit të tij, në mënyrë që edhe ndihma dhe fitorja të rikthehen.
Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”
Shkroi: Shejh Muhamed Xhemil Zejno
Përktheu: Fatjon Isufi
———————————————–
[1] E përcjell Buhariu.
[2] Senedin e këtij hadithi e ka saktësuar Ahmed Shakir.
[3] Hadithi është i saktë dhe e përcjell Ahmedi.
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi