Kurani përmban gjithçka për të cilën njerëzit kanë nevojë

March 7, 2023

16- Kurani përmban gjithçka për të cilën njerëzit kanë nevojë; duke filluar me sistemin e besimit, aktet e adhurimit, ligjet dhe rregulloret, rregullat e ndërveprimit shoqëror, sjelljet dhe etikën, politikën, ekonominë, dhe çështje të tjera të jetës që janë thelbësore për komunitetin. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne nuk kemi harruar asgjë në librin Tonë.” |El En’am: 38|

Gjithashtu ka thënë: “Ne ta zbritëm ty librin si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për muslimanët.” |En Nahl: 89|

a- Kurtubiu në shpjegimin e fjalës së Allahut: “Ne nuk kemi harruar asgjë në librin Tonë”, – thotë: Këtu bëhet fjalë për në librin “Leuh el mahfudh” sepse aty janë vërtetuar të gjitha ngjarjet që do të ndodhin. Gjithashtu kanë thënë: Është për qëllim Kurani, pra ne nuk kemi lënë asgjë nga çështjet e fesë pa udhëzuar drejt saj në këtë Kuran; ose përmes një udhëzimi të shpjeguar qartë ose një udhëzimi të përgjithshëm për të cilin kërkohet shpjegimi përmes thënieve të Profetit salAllahu alejhi ve sel-lem, konsensusit të muslimanëve, ose përmes analogjisë të mbështetur në tekstet e Kuranit.

Më pas ai tha: Prandaj ajo për të cilën njoftoi Allahu është e vërtetë se Ai nuk ka lënë pas dore asgjë në këtë libër, qoftë ajo diçka e përjgithshme apo e hollësishme.

b- Taberiu në shpjegimin e ajetit “Ne ta zbritëm ty librin si shpjegim për çdo çështje”, – thotë: Ne ta zbritëm ty o Muhamed këtë Kuran si sqarim për të gjitha çështjet që njerëzit kanë nevojë; për njohjen e hallallit dhe haramit, shpërblimit dhe ndëshkimit. “Si udhërrëfyes” nga devijimi dhe si “mëshirë” për këdo që beson në të dhe vepron sipas kufijve që ka vendosur Allahu, duke përfshirë urdhërat dhe ndalesat e Tij. Pra, duke bërë të lejueshme atë që Allahu e bëri të lejuar dhe duke ndalur atë që Ai ndaloi. “Dhe si lajm të mirë për muslimanët”, përgëzim për ata që i binden Allahut, i dorëzohen njëshmërisë së Tij dhe i nënshtrohen Atij me bindje. Këta njerëz i përgëzon me shpërblimin e Tij të madh në botën tjetër dhe për vlerësimin e pamasë.[1]

17- Kurani fisnik ka një ndikim të fortë në shpirtrat e njerëzve dhe të xhinëve.

a- Sa u përket njerëzve; shumë prej adhuruesve të idhujve në periudhën e parë të Islamit u ndikuan prej tij dhe e përqafuan Islamin. Ndërsa në kohët e sotme; kam takuar një djalë të ri të krishterë i cili sapo ka përqafuar Islamin, dhe më ka treguar se është prekur shumë nga dëgjimi i Kuranit përmes kasetave.

b- Sa u përket xhinëve; le të kujtojmë fjalët e një grupi prej tyre kur thanë: “Vërtet ne kemi dëgjuar një Kuran të mrekullueshëm që udhëzon në të vërtetën dhe i kemi besuar atij, e vërtet ne nuk do t’i bëjmë shok Zotit tonë.” |El Xhin: 1-2|

c- Sa u përket adhuruesve të idhujve; shumë prej tyre u prekën kur e dëgjuan atë (Kuranin), aq sa Velid ibën Mugirah tha: “Pasha Allahun (ky Kuran) nuk është poezi, as magji, e as bisedë që vjen nga marrëzia. Përkundrazi, fjalët e tij janë fjalë të Allahut që me të vërtetë kanë ëmbëlsi dhe mbi të ka bukuri. Vërtet, ai qëndron lart dhe asgjë nuk do të ngrihet mbi të.[2]

18- Ai që e mëson Kuranin për veten e tij dhe ua mëson edhe të tjerëve konsiderohet prej njerëzve më të mirë. Kjo bazuar në fjalën e Profetit, salAllahu alejhi ve sel-lem, që thotë: “Më i miri nga ju është ai që e mëson Kuranin për vete dhe ua mëson atë edhe të tjerëve.”[3]

19- “Ata që janë të aftë në leximin e Kuranit do të jenë me engjëjt më të mirë. Ndërsa ata që e lexojnë atë me vështirësi do të kenë dy shpërblime për vështirësinë e tyre.”[4]

20- Allahu e ka bërë Kuranin si udhërrëfyes dhe përgëzues. Allahu i madhëruar thotë: “Vërtet, ky Kuran udhëzon në rrugën e vërtetë dhe të drejtë, dhe i përgëzon besimtarët që bëjnë vepra të mira se do të kenë shpërblim të madh.” |El Isra: 9|

Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”

Shkroi: Shejh Muhamed Xhemil Zejno

Përktheu: Fatjon Isufi

————————————————-

[1] “Tefsiri” i Taberiut 14/161.

[2] Shih “Tefsirin” e Ibën Kethirit 4/443.

[3] E përcjell Buhariu.

[4] Muttefekun alejhi.

Dosje: ,

Loading...