Kurbani dhe historiku i tij – mësime dhe dobi –

July 7, 2022

Kurbani dhe historiku i tij – mësime dhe dobi –

Vëllezër besimtar, Profeti (alejhi selam) thotë:

“Dita më e madhe tek Allahu i madhëruar është dita e Kurbanit, pastaj dita e qëndrimit (dita pas saj kur njerëzit qëndrojnë në Mina).”

Të therësh kurban për hir të Allahut është formë prej formave të adhurimit të Allahut.

Pra, siç e adhurojmë Allahun e madhëruar me namaz, agjërim, sadaka, dhikr, lutje etj. e adhurojmë Atë gjithashtu dhe me therje kurbanesh për hir të Tij.

Këtë lloj adhurimi Allahu i madhëruar në disa vende në Kuran e ka renditur pas namazit.

Allahu i madhëruar thotë: “Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë për hir të Allahut, Zotit të botëve. * I Cili është pa ortak. Për këtë jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i dorëzohem Atij.” Suretu El-En’am: 162-163.

Dhe thotë gjithashtu:

Ne të kemi dhënë ty lumin e Keutherit. * Prandaj ti falu për hir të Allahut dhe ther kurban për Të!” Suretu El-Keuther: 2-3.

Kurbanet janë adhurim i hershëm që i janë bërë Allahut të madhëruar, prandaj dhe ato i gjejmë të përmendura që në kohën e Ademit -alejhi selam-.

Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Lexoju njerëzve o Muhamed lajmin e vërtetë të dy bijve të Ademit, kur ata bënë kurbanet e tyre dhe njërit iu pranua e tjetrit jo.” Suretu El-Maide: 27.

Ibn Abasi – radiallahu anhu – në komentimin e ajetit thotë: “Njëri prej tyre ishte bari bagëtish të imta dhe bëri kurban një dash të madh, me brirë të mëdhenj dhe të bardhë. Kurse tjetri ishte bujk dhe ofroi për kurban një grumbull me drith. Allahu i madhëruar e pranoi dashin dhe e refuzoi drithin.” E transmeton Ibn Ebi Hatim me zinxhir të saktë.

Për shkakun e refuzimit të drithit thuhet se bujku nuk ofroi atë më të mirin siç bëri bariu. Allahu e di më së miri.

Zanafilla e Kurbanit që do bëjmë këto ditë është Kurbani i Ibrahimit  – alejhi selam -, dhe ne ndjekim shembullin e tij siç na ka urdhëruar Allahu i madhëruar në Kuran.

Ja çfarë thotë Allahu i madhëruar kur tregon për Ibrahimin – alejhi selam – në Kuran. Allahu thotë:

Ai (Ibrahimi) tha: Unë do të shkoj për te Zoti im dhe Ai do të më udhëzojë. *

O Zot më jep prej pasardhësve të mirë! *

Atëherë Ne e përgëzuam atë me një djalë të urtë. *

Ai kur u rrit dhe u bë të ecte me të (Ibrahimi) i tha atij: O biri im, unë shoh në ëndërr sikur po të ther, prandaj ç’mendim ke? Ai (djali) i tha: O babai im, bëje atë që urdhërohesh dhe mua do të më gjesh në dashtë Allahu prej durimtarëve. *

Kur iu dorëzuan (vendimit të Allahut) dhe ai e shtriu atë për toke nga njëra anë e ballit, *

Atëherë Ne i thirrëm: O Ibrahim, ti e vërtetove ëndrrën. Ne kështu i shpërblejmë bamirësit. *

Kjo ishte sprova e madhe. * Dhe Ne ia kompensuam atij djalin me një kurban të madh. *

Ne i lamë atij emër të mirë tek të tjerët që erdhën më pas. * Selami qoftë mbi Ibrahimin. *

Ne kështu i shpërblejmë bamirësit. * Ai ishte prej robëve tanë besimtarë. *

Ne e përgëzuam atë me Is’hakun si profet të mirë. *

Ne i dhamë bereqetin tonë atij dhe Is’hakut, dhe prej pasardhësve të tyre ka edhe bamirës edhe zullumqar të madh të vetes së tij.

Suretu Es-Saffat: 99-113.

Këto ajete janë prej ajeteve të sures Es-Saffat dhe përmbajnë historinë e kurbanit të Bajramit.

Ajetet tregojnë për kohën pas emigrimit të Ibrahimit – alejhi selam – nga Babilonia për në Sham, kohë kur ai iu lut Allahut të madhëruar t’i dhurojë atij fëmijë.

Ibrahimi -alejhi selam- iu lut Zotit për fëmijë sepse ai nuk kishte fëmijë. Siç ishte para emigrimit mes idhujtarëve ai u gjend sërish edhe në Sham mes tyre, sepse nga historia e kohës së tij dihet se idhujtaria në atë kohë kishte mbuluar gjithë tokën. Atëherë ai i kërkoi Allahut fëmijë me qëllim që të ndërtonte me fëmijët e tij një fole të fortë besimi, sepse fëmijët kanë prirje për të ndjekur baballarët e tyre më shumë sesa të tjerët.

Allahu i madhëruar ia plotësoi atij këtë dëshirë dhe i tha pas lutjes që i bëri:

[Atëherë Ne e përgëzuam atë me një djalë të urtë.]

Ky djalë që cilësohet si i urtë është djali i cili iu kërkua Ibrahimit -alejhi selam- ta bënte kurban sipas ajeteve të Kuranit, mirëpo ky djalë nuk është përmendur me emër. Kështu lind pyetja se për cilin prej dy djemve të Ibrahimit bëhet fjalë: Për Ismailin apo për Is’hakun?

Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në komentimin e ajeteve thotë:

Ehli-Kitabi thonë se ai është Is’haku, sepse në Teurat thuhet se Allahu i tha Ibrahimit: “Bëje kurban birin tënd të vetëm Is’hakun”. Ndërsa në një version tjetër të Teuratit thuhet: “Bëje kurban fëmijën tënd të parë Is’hakun”.

Ibn Kethiri pas këtyre vargjeve komenton: Ehli-Kitabi këtu kanë shpifur nga zilia, duke shtuar fjalën Is’hak dhe duke kundërshtuar kështu edhe librin e tyre. Sepse në Teurat thuhet se Ibrahimi kur i lindi Ismaili ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç, dhe kur i lindi Is’haku ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeç.

Pastaj Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në vazhdim të komentimit të tij thotë:

Edhe disa prej dijetarëve të Islamit kanë thënë se kurbani është Is’haku dhe kjo gjë nuk është as në Kuran dhe as në Sunet. Mendoj se nuk është marrë veçse prej Ehli-Kitabit por ata e kanë marrë këtë lajm prej tyre pa u siguruar në saktësinë e tij. 

Kjo tregon se duhet të jemi të kujdesshëm kur përcjellim lajme nga Ehli-Kitabi, sepse librat e tyre kanë pësuar ndryshime dhe ne kështu mund të kundërshtojmë realitetin.

Ja disa arsye të tjera që tregojnë se kurbani është Ismaili e jo Is’haku -alejhima selam-:

1- Ibrahimi (alejhi selam) në Kuran është përgëzuar dy herë me fëmijë; një herë me një djalë të urtë si në ajetet e lartpërmendura, dhe njëherë tjetër me një djalë të dijshëm si në ajetet që tregojnë për ardhjen e melaikeve për të shkatërruar popullin e Lutit -alejhi selam-. Atje thuhet: “Ai (Ibrahimi) u frikësua prej tyre dhe ata i thanë: Mos u frikëso, – dhe ne e përgëzuam atë me një djalë të dijshëm. * Atëherë gruaja e tij bërtiti duke qëlluar fytyrën e saj, dhe tha: Unë jam e moshuar dhe sterile.” Suretu Edh-Dhariat: 28-29.

Në këtë ajet nuk ka dyshim se bëhet fjalë për Is’hakun sepse Sara ishte ajo që nuk lindte, dhe përshkrimi i djalit këtu është djalë i dijshëm. Kështu që djali tjetër i cili vjen me tjetër përshkrim d.m.th. me përshkrimin i urtë nuk mund të jetë tjetër veçse Ismaili -alejhi selam-, sepse djemtë kanë përshkrime të ndryshme.

2- Në ajetet e lartpërmendura të kurbanit, pasi mbaron historia e kurbanit, Allahu i madhëruar në vazhdim të ajeteve thotë: [Ne e përgëzuam atë me Is’hakun si profet të mirë] çfarë do të thotë se përgëzimi me Is’hakun është pas historisë së kurbanit dhe kështu nuk mbetet tjetër veçse të themi se historia e kurbanit është me Ismailin -alejhi selam-.

3- Ibrahimi -alejhi selam- kur është përgëzuar me Is’hakun ndryshe nga përgëzimi me Ismailin, është përgëzuar njëkohësisht edhe me birin e Is’hakut Jakubin -alejhi selam-, siç ka ardhur në një ajet tjetër ku thuhet:

Përkujto kur të dërguarit tanë i erdhën Ibrahimit me përgëzimin…… dhe gruaja e tij e cila ishte në këmbë qeshi. Atëherë, Ne e përgëzuam atë me Is’hakun dhe pas Is’hakut me Jakubin.” Suratu Hud: 69-71.

Përderisa përgëzimi me Is’hakun mbante edhe përgëzimin me birin e tij Jakubin, atëherë nëse Is’haku do të ishte ai që do të bëhej kurban, sprova e kurbanit në lidhje me të nuk do të vlente. Njoftimi se ky djalë do ketë një pasardhës me emrin Jakub do të thotë se ai do të jetojë.

4- Brirët e dashit që u ther në vend të djalit të Ibrahimit -alejhi selam- kanë qenë në Qabe deri pas kohës së profetit tonë Muhamed -alejhi selam-, siç ka ardhur në hadithin e Othman bin Talhës, portierit të Qabes, se Profeti -alejhi selam- i ka thënë atij:

“Kur hyra në Qabe pashë brirët e dashit dhe harrova të të them që t’i mbulosh, sepse nuk duhet të ketë në shtëpinë e Zotit gjë që e preokupon namazliun.”

Pastaj Sufjan bin Ujejne, dijetari i Mekës në kohën e tabiinëve, thotë: Brirët kanë vazhduar të jenë në Qabe derisa ra një zjarr dhe u dogjën. E transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson sheih Albani.

Këto lajme tregojnë se ngjarja ka ndodhur në Meke dhe në Meke banonte Ismaili e jo Is’haku -alejhima selam-, sepse Is’haku-alejhi selam- banonte në Sham.

5- Pohimi i disa prej Ehli-Kitabit se kurbani është Ismaili.

Imam Taberiu transmeton një ngjarje të ndodhur në kohën e Omer bin Abdulazizit -Allahu e mëshiroftë- dhe thotë: Omeri kërkoi një burrë që jetonte në Sham dhe që kishte qenë prej dijetarëve të Ehli-Kitabit, dhe më pas kishte pranuar islamin dhe ishte bërë mysliman i mirë, dhe e pyeti: Cilin prej dy bijve është urdhëruar Ibrahimi -alejhi selam- për ta therur? Ai i tha: Ismailin. Pasha Allahun o prijësi i besimtarëve dhe hebrenjtë e dinë mirë këtë gjë, por ata kanë smirë ndaj jush arabëve që të jetë babai juaj ai i cili e ka përmendur Allahu për durimin e tij, prandaj e mohojnë këtë gjë dhe pretendojnë se është Is’haku.

Pra djali me të cilin zhvillohet historia e kurbanit është Ismaili -alejhi selam-, biri i parë i Ibrahimit -alejhima selam-. Ajetet në të cilat përmendet historia e tyre përmbajnë shumë dobi.

Dobitë e përfituara nga Historia e Kurbanit.

E para: Ngjarja e Kurbanit zhvillohet pas emigrimit të Ibrahimit, sepse Allahu i madhëruar thotë se Ibrahimi kur mori rrugën e mërgimit tha: “Unë do të shkoj për te Zoti im dhe Ai do të më udhëzojë.” Pastaj tha: “O Zot, më jep prej pasardhësve të mirë.”

Ardhja e fëmijëve pas emigrimit do të thotë se emigrimi e forcoi Ibrahimin -alejhi selam- siç e forcoi edhe Profetin tonë -alejhi selam- kur emigroi për në Medine, sepse fëmijët janë mbështetje pasi ai ishte thuajse i vetëm. Dhe në fakt, kushdo që ka emigruar për hir të Allahut nuk është dobësuar sepse Allahu i madhëruar thotë:

“Ai i cili emigron për hir të Allahut ka për të gjetur në Tokë strehë dhe begati të shumta.” Suretu En-Nisa: 100.

E dyta: Profetët e Allahut nuk e harrojnë asnjëherë mirësinë dhe gjithmonë janë në kulmin e përsosmërisë.

Ibrahimi -alejhi selam- kur u lut për fëmijë nuk iu lut Allahut më jep një djalë çfarëdo, por iu lut t’i jepte një djalë të mirë që të trashëgojë prej tij fenë e drejtë e mirësinë, dhe të bëhet shembull i mirë për njerëzit pas tij.

E treta: Ismailit -alejhi selam- Allahu i madhëruar i dhuroi një cilësi shumë të veçantë, cilësinë e urtësisë e cila bashkon mes logjikës, maturisë dhe durimit që në gjuhën arabe i përmban fjala Halim. Ajo ishte shkaku i përmbushjes së urdhërit të Allahut sepse ky karakter e bëri atë të pranonte caktimin e Allahut për të.

Ibn Abasi në lidhje këtë ngjarje tregon sesi u shfaq urtësia e tij në momentet e fundit para therjes, duke iu dorëzuar plotësisht urdhrit të Allahut dhe në mënyrën më të mirë.

Ai thotë: “Ismaili kishte një këmishë të bardhë dhe i tha Ibrahimit: O babai im, unë nuk kam rrobë tjetër veç saj për të më qefinosur, prandaj hiqma atë për qefin.

Dhe i tha gjithashtu: O babai im, më lidh fort që të mos lëviz dhe të mos spërkatesh me gjak.” E transmeton imam Ahmedi.

Ky përshkrim tregon për urtësi, cilësi kjo që e shoqëroi atë gjatë gjithë jetës së tij, sa Allahu për të në Kuran thotë:

Përkujto në librin e Allahut Ismailin! Ai e mbante premtimin dhe ishte i dërguar dhe profet.” Suretu Merjem: 54.

E katërta: Ëndrrat e profetëve janë shpallje, prandaj dhe Ibrahimi nuk e vuri aspak në dyshim urdhrin e ardhur në ëndërr sepse e dinte se ajo ishte shpallje prej Allahut dhe u hodh menjëherë në zbatim.

E pesta: Nga këto ajete përfitohet edhe forma e therjes së Kurbanit, i cili duhet të shtrihet përtokë nga njëra anë e fytyrës dhe konkretisht nga ana e majtë me drejtim nga kibla, me qëllim që personi ta theri atë me të djathtën dhe ai vet të qëndrojë nga ana e pasme e kurbanit. Kjo sepse Allahu i madhëruar në këto ajete thotë: “Ata kur iu dorëzuan (vendimit të Allahut) dhe ai e shtriu atë përtoke nga njëra anë e ballit… ”

Kjo do të thotë se kurbani dhe forma e therjes së tij janë marrë nga Ibrahimi -alejhi selam-. Prandaj ky ymet ka më të drejtë se çdokush tjetër të jetë ndjekësi i vërtetë i Ibrahimit -alejhi selam-, siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran:

“Pa dyshim, njerëzit më të afërt me Ibrahimin janë ata që e pasuan atë dhe ky Profet me besimtarët (e tij). Allahu është mbrojtës i besimtarëve.” Suretu Ali Imran: 68.

E gjashta:Allahu i madhëruar në urdhrat e Tij dëshiron të shohë devotshmërinë e robit, dhe kur urdhri mori rrugën e zbatimit e kompensoi atë me kurban prej kafshëve. Kjo sepse ajo që deshi Allahu prej Ibrahimit u realizua dhe nuk ishte më e nevojshme që Ismaili të bëhej kurban. Prandaj dhe Allahu i madhëruar kur përmend kurbanet e haxhilerëve thotë: “Nuk arrijnë tek Allahu as mishrat e kurbaneve dhe as gjaku i tyre, por arrin tek Ai devotshmëria juaj.” Suretu El-Haxh: 37.

E shtata: Kjo histori është quajtur sprova e madhe sepse përmbushja e saj ishte shumë e vështirë për Ibrahimin -alejhi selam-, duke pasur parasysh disa gjëra:

Së pari: Ibrahimi -alejhi selam- ishte pa fëmijë deri në moshë të thyer, dhe kur Allahu i madhëruar ia dha atij Ismailin në atë moshë vetkuptohet sesa e lidhur mund të ishte zemra e tij me të.

Së dyti: Urdhri për ta bërë kurban i erdhi pikërisht atëherë kur ky fëmijë arriti në moshën që të ecte me të atin, kohë kjo kur baballarët kanë më shumë se kurdoherë dashuri për fëmijët e tyre.

Së treti: Ibrahimi -alejhi selam- gjatë zbatimit të këtij urdhri u ndoq nga shejtani i cili i hidhte atij herë pas here vesvese, siç thotë Ibn Abasi -radiallahu anhu-: “Kur Ibrahimi -alejhi selam- erdhi te vendi i kurbanit i doli përpara Shejtani te vendi i quajtur [Xhemratul-Akabe e Madhja], dhe ai e gjuajti atë me shtatë guralecë derisa u zhyt në tokë. Pastaj i doli përpara te vendi i quajtur [Xhemratul-Akabe e Mesmja] dhe ai i gjuajti atij me shtatë guralecë derisa u zhyt në tokë. Pastaj i doli përpara te [Xhemratul-Akabe e Vogla] dhe ai i gjuajti sërish atij me shtatë guralecë derisa u zhyt në tokë.

Ibn Abasi u thoshte njerëzve në Haxh kur bënin këtë veprim: Shejtanin po gjuani o njerëz dhe fenë e babait tuaj Ibrahimit po ndiqni.” E transmeton Hakimi dhe e saktëson sheih Albani.

Këtë urdhër pas gjithë këtyre pengesash nuk mund ta kryente veçse një njeri shumë besimtar, shumë i vendosur dhe i lidhur ngushtë me Allahun, prandaj dhe ky është shkaku sepse Allahu i madhëruar thotë:

Allahu e mori Ibrahimin për mik të ngushtë.” Suretu En-Nisa: 125.

E teta: Allahu i madhëruar e ka vlerësuar shumë shembullin e këtyre dy profetëve, duke e bërë shembullin e tyre pjesë të ritit vjetor të haxhit i cili është 1/5 e fesë së njerëzve. Haxhi i cili përmban Kurbanin është një ndër pesë shtyllat e Islamit. Dhe jo vetëm kaq por e ka bërë shembullin e tyre të përsëritet sa herë i lind dikujt një fëmijë për të therur për të një Kurban. Kurbani është lirim për fëmijën siç u lirua me të Ismaili -alejhi selam- pasi ishte caktuar të  flijohej, sepse Profeti -alejhi selam- thotë:

Çdo fëmijë është peng i akikës së tij (kurbanit) i cili theret ditën e shtatë të tij.” E transmeton Ebu Daudi, Ibn Maxhe etj. dhe e saktëson shejh Albani.

Lirimi i fëmijës nga pengu bën që ai të rritet nën kujdesin e Allahut, të mbrohet nga Shejtani dhe t’u bëhet e mundshme prindërve ndërmjetësimi i tij ditën e Kiametit, siç thonë dijetarët e Islamit.

Këto janë disa dobi të përfituara nga kjo histori e famshme e cila u bë shkak që të bëhej pjesë e riteve tona vjetore.

Kjo sakrificë ishte sakrificë e madhe dhe shembull i mirë për njerëzit për t’iu mësuar atyre bindjen ndaj Zotit të botëve. Allahu i madhëruar e shkroi atë në Kuran që të kujtohet shembulli i tij, ku thotë:

“Ne i lamë atij emër të mirë tek të tjerët që erdhën më pas. * Selami qoftë mbi Ibrahimin. * Ne kështu i shpërblejmë bamirësit. * Ai ishte prej robërve tanë besimtarë.”

 

Lus Allahun e madhëruar të na bëjë prej atyre që ndjekin shembullin e mirë të profetëve, dhe të na bëjë gjithashtu prej atyre që vlerësojnë shenjat e fesë sepse aty është begatia dhe shpëtimi! Amin!

 

Dosje: , , ,

Loading...