Lamtumirë o mik i shtrenjtë

June 23, 2017

Ky është fundi i Ramazanit, fundi i një historie të shkurtër. Për dikë ishte histori suksesi e për dikë një histori monotone me gjëra të përditshme të përsëritura, pa shpirt. Për atë që punoi mirë dhe e adhuroi Allahun me agjërim e namaz nate, me lexim Kurani e me dua, për atë që e frenoi gjuhën, sytë, veshët, duart, këmbët dhe trupin e tij prej harameve, për atë që kërkoi falje, u pendua dhe qau për gjynahet e tij ishte një histori suksesi. Për të tjerët që nuk ndryshuan asgjë ishte vetëm uri dhe etje.

Ky ishte një mik që erdhi dhe shkoi. Dëshmojmë para Allahut se aspak nuk ishte mik i rëndë për ne, përkundrazi, ishte një mik i lehtë, i këndshëm dhe i dashur për të cilin do të na marrë malli e do na mungojë, dhe do ta kujtojmë gjatë. Kur miqtë e mirë ndahen nga njeri-tjetri nuk ndiejnë veçse keqardhje dhe pikëllim prej ndarjes, sidomos miqtë që kanë kaluar kohë të mrekullueshme me njëri-tjetrin. Ramazani ishte një rast, rasti më i mirë në jetën e njeriut që ai të bënte një kthesë vendimtare në jetën e tij. Një rast tjetër është çdo ditë që i dhurohet njeriut në jetën e tij, çdo ditë është një rast që njeriu të kthehet tek Zoti i tij me pendim, përmirësim dhe adhurim të sinqertë për Allahun.

Ramazani ishte një shkollë, një kurs intensiv që të mbush me eksperiencë të fuqishme shpirtërore. Të jesh i bindur se zemrën siç e pate në Ramazan vështirë ta kesh jashtë tij. Një zemër e butë që kënaqet duke lexuar fjalën e Allahut, një zemër që ndien rehati në namazin e natës, një zemër që rehatohet në sexhde, një shpirt që lidhet me Krijuesin nëpërmjet duave që i dalin nga shpirti dhe ngjiten lart drejt qiejve dhe arrijnë deri tek Arshi (Froni) Madhështor i të Madhërishmit.

Trupi i njeriut lodhet gjatë ditës, i bien bateritë dhe karikohet natën, të cilën (natën) i Plotfuqishmi dhe i Urti me mëshirën e Tij të pakufishme dhe me Urtësinë e Tij që ka përfshirë gjithçka, e ka bërë rehati për trupin. Celulari punon gjatë ditës dhe i harxhohet bateria dhe gjatë natës vendoset në karikim për t’u mbushur.

Ramazani ishte një karikim i gjatë një mujor për shpirtin, karikim që supozohet të mbajë deri në vitin pasardhës. Ramazani supozohet të ketë realizuar disa objektiva tek ne, ku prej tyre janë:

Devotshmëria (et takua). Takua kanë thënë se është që të bësh një pengesë mes teje dhe dënimit të Allahut, pengesë që përbëhet prej largimit nga ndalesat e Allahut dhe  përmbushjes së detyrimeve që Ai ka vendosur. Të ecësh në jetën tënde ashtu siç ecën dikush mes gjembave, ferrave, dhe shkurreve, me kujdes të madh, duke e shikuar me vëmendje se ku po e vendos këmbën, se mos po shpohet e po griset. Ashtu përpiqet muslimani i mirë të eci në jetën e tij, përpiqet të marrë kënaqësitë që gjenden në të por duke u treguar i kujdesshëm të mos e zemërojë Krijuesin. Përpiqet të fitojë kënaqësinë e Tij në mënyrë që të mbushet me lumturi në këtë botë dhe në tjetrën.

A e dini se cilat janë frytet më të mëdha të devotshmërisë?

  • Prej fryteve më të mëdha të devotshmërisë është që Allahu është me ty. “Me të vërtetë Allahu është me ata që janë të devotshëm dhe vepërmirë.” (Nahl: 128) A e di çdo të thotë që Allahu të jetë me ty? Do të thotë që ti nuk je më vetëm por Zoti i Gjithësisë është me ty, në krahun tënd, të ndihmon, të furnizon, të ruan, të orienton. Kur njerëzit arrijnë të bëhen pjesë e rrethit të ngushtë të ndonjë pushtetari, po them të një deputeti apo ministri, apo të kryeministrit, ndihen edhe ata të fuqishëm me krahët të ngrohta. E si është puna nëse Allahu është me ty? Zoti i qiejve dhe i tokës, Sunduesi i gjithçkaje. Ai që posedon çelësat e çdo suksesi, çelësat e çdo pasurie, shëndeti, mirëqënieje, jete të këndshme. Në duart e Tij janë çelësat e lumturisë së çdo krijese në qiej dhe në tokë. Si duhet të ndihet ai njeri që Allahu është me të, e pra dije se Allahu është me të devotshmit prandaj vrapo të bëhesh prej tyre.
  • Devotshmëria të ruan ty dhe familjen tënde. Thotë Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – “Ruaje Allahun (kufijtë e Tij) do të të ruajë Ai ty.”
    Në suren Kehf, i Madhëruari thotë duke cituar fjalët e Hidrit:
    “E sa i takon atij murit
    (që unë e ngrita pa pagesë) ai ishte i dy djemve të vegjël jetimë që jetonin në qytet dhe (u kishte vdekur babai), dhe poshtë tij ishte një thesar i tyre. Babai i tyre ishte i devotshëm. Kështu Zoti yt deshi që ata të dy të arrinin pjekurinë dhe pastaj të nxirrnin thesarin e tyre (trashëgiminë që babai e kishte groposur) poshtë atij muri. E gjithë kjo ishte mëshirë prej Zotit tënd” (Kehf: 82) Mëshirë prej Allahut i Cili kujdeset më shumë dhe është më i Mëshirshëm me robërit e Tij sesa nëna me fëmijën e vet! Po të binte muri dikush mund ta kishte zbuluar pasurinë që fshihej nën të e tua merrte, apo nëse ata e zbulonin atë përpara se të arrinin pjekurinë mund ta kishin shpërdoruar dhe të kishin mbetur shumë shpejt pa asgjë. Kështu, Allahu i Madhëruar u kujdes për pasurinë e jetimëve sepse babai i tyre ishte i devotshëm.
  • Devotshmëria është shkak që njeriut t’i jepet rrugëdalje prej vështirësive, të furnizohet andej nga nuk e pret, t’i lehtësohen të gjitha çështjet, t’i falen gjynahet dhe t’i shumëfishohen shpërblimet. Shikoni si i rendit Allahu i Madhëruar të gjitha këto përfitime madhështore në suren Talak: “… e kush i frikësohet Allahut (kush është i devotshëm) Ai do t’i bëjë atij rrugëdalje dhe do ta furnizojë andej nga nuk e pret. E kush i mbështetet Allahut Ai i mjafton atij. Allahu do ta realizojë planin e Tij dhe për çdo gjë Allahu ka vendosur një afat realizimi.” (Talak: 2-3) Dhe thotë në ajetin më poshtë: “…e kush i frikësohet Allahut Ai do t’ia lehtësojë atij çështjet.” (Talak: 4) Dhe në ajetin më poshtë: “…e kush i frikësohet Allahut Ai ia fal gjynahet dhe ia shumëfishon shpërblimin.” (Talak: 5) Allahu ekber! O Allah na bëj prej të devotshmëve!

Ramazani iku por na la disa mësime të mëdha. Ai na mësoi se si të bëhemi të devotshëm, na mësoi se devotshmëria është tek agjërimi dhe atë mund ta bëjmë edhe jashtë Ramazanit ( 6 ditët e Sheualit muajit që vjen pas Ramazanit). Thotë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – : “Kush e agjëron Ramazanin dhe e pason atë duke agjëruar edhe gjashtë ditë nga Sheuali, ky është sikur ka agjëruar gjithë kohën.”[1]Kjo sepse Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë në hadithin tjetër: “Allahu e ka shpërblyer një të mirë dhjetëfish, kështu që një muaj është i barabartë me dhjetë muaj dhe agjërimi i 6 ditëve nga Sheuuali pas Bajramit është një vit i plotë.”[2] Agjëro vetëm një muaj e 6 ditë dhe të quhet sikur e ke kaluar gjithë vitin në agjërim. Kjo është mirësia e Allahut i Cili ia jep kujt të dojë. O Zoti i Botëve mos na privo prej saj! Dhe nëse do të jesh më i sigurt për këtë shpërblim atëherë agjëro të hënë e të enjte, tri ditë në muaj, ditën e Arafatit, ditën e Ashures, agjëro në 10 ditët e para të Dhul-hixhxhes. Këto të ndihmojnë të jesh i devotshëm gjatë gjithë kohës.
Na mësoi se devotshmëria është tek studimi i fjalës së Allahut, Kuranit famëlartë, i vetmi libër i pa manipuluar në tokë. Mesazh i qartë prej Zotit të botëve drejtuar kësaj krijese të brishtë që nuk di, që shpesh nxitohet, harron, gabon, dhe ka nevojë për përkujtim të vazhdueshëm që ta ruajë nga mashtrimi me dynjanë. Libër për të cilin i Urti ka thënë: “Ky është një libër i begatë të cilin e zbritëm në mënyrë që ata të meditojnë në ajetet (argumentet) e tij, dhe të përkujtohen të zotët e mendjes.” (Sad: 29) Dhe në një ajet tjetër thotë: “Dhe ky është një libër i begatë (plotë mirësi e begati), prandaj pasojeni atë dhe bëhuni të devotshëm që të mëshiroheni.” (En’am: 155) Prandaj o musliman, nëse dëshiron të jesh i devotshëm mbaji të forta lidhjet me Kuranin me lexim të vazhdueshëm qoftë edhe pak, me meditim rreth tij, dhe zbato sa të mundesh në mënyrë që të të mëshirojë Zoti yt.

Ramazani iku por na mësoi se devotshmëria dhe zemra e butë arrihen me namaz nate. Namazi i natës është ushqimi i shpirtit të të devotshmëve dhe ai arrihet duke falur 3, 5, 7, 9 apo 11 rekate pas jacie në mënyrë të vazhdueshme. Por edhe 1 rekat ndonjëherë kur je shumë i lodhur, vetëm mos e ler fare dhe mos lejo që 1 rekat të të bëhet rrugë e përhershme, por të paktën fal 3 rekate pas jacisë. E nëse fal më shumë ti je më i miri.
Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – na ka njoftuar se namazi e pastron njeriun nga gjynahet dhe ia shkund mëkatet prej trupit. Thotë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Kur njeriu ngrihet të falet merren gjynahet e tij dhe i vendosen te supet, e sa herë që bie në ruku dhe në sexhde ato bien prej tij.”[3]

Ramazani iku por na mësoi durimin. Ai që duron dhe qëndron pa ngrënë 18 orë apo më shumë ai kalitet për jetën, e kalit durimin e tij dhe është në gjendje të bëjë vepra edhe më të mëdha më pas. Një popull që edukohet me durim dhe sakrificë është një popull i madh që pritet të drejtojë të gjithë popujt e botës.

Ramazani na mësoi disiplinën, dhe ashtu siç na e disiplinoi të ngrënit tonë me orare të caktuara ashtu Islami e disiplinon komplet jetën tonë përmes orientimeve dhe porosive të tij, orientime dhe porosi që janë të vlefshme dhe të dobishme për këtë botë dhe tjetrën. Ju i shihni se ç’janë në gjendje të bëjnë popujt e disiplinuar që janë rreth nesh; gjermanë, japonezë, kinezë etj. Kanë shkuar larg në teknologji dhe rritje të mirëqënies, me punë, disiplinë dhe sakrificë. Suksesi nuk është kupë që e fitojnë dembelët!

Ramazani na mësoi se fitorja arrihet me durim, dhe se pas vështirësisë vjen lehtësimi.

Ramazani iku por na mësoi se devotshmëria nuk arrihet vetëm por me shokë të mirë, me xhemat. Në bashkësi të mirë njeriu plotësohet, përsoset dhe shikohet përpara pasqyrës dhe rregullohet. Besimtari për besimtarin është si pasqyra dhe besimtari është i fortë me vëllanë e tij, kur bashkohet me të në një saff (rresht) dhe së bashku e adhurojnë Allahun. Na mësoi se nga qëllimet më madhore të kësaj feje është bashkimi i të gjithë njerëzve pa dallim rrace, kombësie, ngjyre, gjuhe a dialekti.

Na mësoi se njerëzit kanë nevojë të rrinë bashkë dhe të shkëmbejnë eksperienca, të dëgjojnë prej njëri-tjetrit ashtu që të mirat dhe përfitimet të shpërndahen mes tyre. Të largohet prej tyre smira, urrejtja, braktisja, dhe të vendosen urat e bashkëpunimit dhe njohjes e të ndihmës së ndërsjellë mes veti. Ndryshe me distancim, mbajtje mërish dhe qëndrime ekstreme nuk arrihet gjë, përkundrazi, mbyllen dyert, thërmohen lidhjet vëllazërore dhe nuk arrihen të mirat e mëdha të përbashkëta, dhe shejtani kënaqet.

Ramazani ishte një rast ideal që t’u dha nga Zoti i botëve, ashtu siç është edhe vet jeta jote një rast që të jepet vetëm një herë dhe nuk përsëritet më, prandaj shfrytëzoje mirë atë. Është jeta jote, janë punët e tua, dhe në fund është fitorja apo dështimi yt i përjetshëm. Nuk është lojë, nuk ke ardhur këtu vetëm për argëtim, këtu luhet fati yt. Vendos për jetën tënde dhe të ardhmen tënde. Merr përsipër përgjegjësitë e tua dhe puno që të fitosh lumturinë e përjetshme.

Ramazani na mësoi shumë por mbi të gjitha na mësoi sa shpejt ikën jeta. Kur nisi ky muaj dhe kur mbaroi?! Përpara ardhjes së këtij muaji, dy muaj përpara se të më ftonin të vija sërish këtu u kujtova: Erdhi Ramazani?! Sa shpejt! Sa shpejt iku një vit! Kështu ikën edhe jeta, prandaj o musliman shfrytëzoji si duhet këto çaste, bëhu rob i Allahut dhe jeto si i tillë që Allahu të të japë mirësi të pafundme, në këtë botë dhe në atë të amshueshmen.

E tash çfarë ka mbetur përpara teje o musliman? Të lutesh që Allahu të ta pranojë mundin “sepse me të vërtetë Allahu pranon vetëm prej të devotshmëve”. (Maide: 27) Të japësh maksimumin që ta mbyllësh mirë Ramazanin e kjo arrihet duke kërkuar falje për gjynahet dhe mangësitë. Të dyja këto i gjen tek dy nga robërit më të mirë të Allahut, Ibrahimit dhe Ismailit: “Dhe përkujto kur Ibrahimi dhe Ismaili ngrinin themelet e Shtëpisë (së shenjtë Qabes, dhe thoshin): Zoti ynë pranoje prej nesh, me të vërtetë Ti je Gjithdëgjuesi, i Gjithdijshmi…. dhe (na bëj të pendohemi e) na e prano pendimin. Me të vërtetë Ti je pendim pranues, i Gjithmëshirshëm.” (Bekare: 127) Kur shejh Ibn Bazi – Allahu e mëshiroftë – arriti tek tefsiri i këtyre ajeteve, ka qarë më shumë se 5 minuta dhe nuk ka thënë dot më shumë se këto fjalë: “Urdhër i veçantë, për një rob të veçantë, për një punë të veçantë, në një vend të veçantë, e megjithatë i lutet Allahut që t’ia pranojë!!!”
Shiko o rob i Allahut dhe medito në gjendjen e tyre! Po kryenin punën më fisnike dhe më të ndershme, me urdhër nga Zoti i tyre, drejtuar drejtpëdrejtë atyre të dyve, e megjithatë luteshin: “Zoti ynë, pranoje prej nesh!” Shiko se në çfarë gjendje frike dhe shprese ishin, a do t’u pranohej apo jo vepra e tyre. Kjo ishte gjendja e imamit të njësuesve të Allahut dhe shembullit të përsosur për besimtarët. E si duhet të jetë gjendja jonë?!

Për këtë arsye transmetohet prej Uhejb ibn Uerdit, se kur lexoi këtë ajet ka qarë dhe ka thënë: O miku i ngushtë i Rrahmanit! (sh.p.: Halilu Rrahman, gradë e lartë që nuk e kanë arritur veçse dy njerëz; ai dhe i Dërguari ynë – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ) O Halilu Rrahman, po ngre themelet e shtëpisë së Rrahmanit dhe ke frikë se mos nuk po të pranohet?!’[4]

Të kujdeset secili prej nesh që të japë sadakatul fitr, lëmoshën e festës së fitër Bajramit, sepse ajo është detyrë për çdo musliman që ka agjëruar apo jo, të madh e të vogël. Thotë Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij): “E ka bërë detyrë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – sadakanë e fitrit një saa’[5] hurma, apo një saa’ elb për skllavin dhe për atë që është njeri i lirë, mashkullin dhe femrën, të voglin dhe të madhin prej muslimanëve. Dhe urdhëroi që të jepet përpara se njerëzit të dalin për të falur namazin (e Bajramit).”[6]

Masa e saj është afërsisht 3 kg, e kush jep më tepër është edhe më mirë, prej ushqimit bazë të një populli, ushqim që mund të rezervohet dhe që nuk prishet kollaj siç janë; hurmat, orizi, makaronat, fasulet, thjerrëzat etj. të ngjashme me to. E kush e bën atë në formë të një pakoje të kompletuar me disa lloje ushqimesh është edhe më e dobishme, në mënyrë që të zbusim sadopak barrën e atyre familjeve që u dhemb koka e mendojnë si ta fitojnë qoftë edhe ushqimin bazë. Kjo sadaka u jepet të varfërve muslimanë.

Cila është urtësia e kësaj sadakaje?

Ibn Abasi (radijallahu anhu) thotë: “I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të –  e ka bërë detyrim zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe të pahijshme, dhe ushqim për të varfrit. Kush e paguan atë përpara namazit (të Bajramit) ajo është sadaka e pranuar, ndërsa kush e jep pas namazit ajo është sadaka e zakonshme.”[7]

Dhe është detyrë të jepet për këdo prej muslimanëve që ke në varësi d.m.th. që ti i ushqen dhe e ke detyrë të kujdesesh për ta. Kjo është një sadaka që duhet t’u shkojë në veçanti të varfërve në formë ushqimi sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, dhe jo tetë grupeve që meritojnë zekatin. Qëllimi i saj është ushqimi i të varfrit dhe gëzimi i tij bashkë me të tjerët në ditën e festës së Bajramit, dhe ajo është një sadaka që e pastron agjërimin e muslimanit nga gjërat që nuk i kanë hije, me shpresën që të ngrihet tek Allahu dhe Ai ta pranojë atë.

Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

——————————————————-

[1] Muslimi (1164) etj.

[2] “Sahihut terghib uet terhib” (993) dhe “El Irua” (107/4)l

[3] “Silsiletul ehadith es sahihah” (1398).

[4] Tefsir Ibn Kethir: 254/1.

[5] Katër grushta.

[6] Buhari (1503) dhe Muslimi (984).

[7] “Sahih sunen Ebi Daud” (1420) etj.

Loading...