A lejohet lënia e disa suneteve për hir të davetit?

May 1, 2010

Pyetje: Thuhet shpesh se thirrësi në islam nuk duhet të jetë i ashpër në lidhje me çështjet e sunetit, dhe t’iu shmanget sa të mundet situatave në të cilat trajtohen ato. Ai duhet të ketë një strategji në thirrjen e tij duke qenë pothuajse i distancuar nga suneti. A është i drejtë ky pretendim dhe a është i dobishëm në rrugën e davetit? A na lejohet ndjekja e këtij parimi? Si mund të ketë përputhje mes kësaj dhe urdhërit për kapjen me përkushtim pas sunetit?

Përgjigje: Padyshim se muslimanit nuk i lejohet kurrsesi të shmanget nga  suneti apo ta anashkalojë atë, veçanërisht nëse kemi për qëllim sunetin me kuptimin e tij të përgjithshëm gjithëpërfshirës, qoftë dhe në mënyrë të përkohshme. Pra, muslimani dhe veçanërisht ai që quhet thirrës, duhet të thërrasë në islam duke ditur se islami është një i tërë dhe nuk pranon të copëzohet. Duhet t’iu sqarojë njerëzve çdo gjë që ka lidhje me islamin, por ngelet çështja sic thuhet në fjalën e urtë: “Dituria është e shumtë për tu përfshirë e gjitha dhe jeta e njeriut është e shkurtër që të mjaftojë për arritjen e gjithë diturisë. Ndaj jepi përparësi asaj që është më shumë e rëndësishme, mandej asaj që vjen më pas.
Pra, thirrësi duhet të ftojë në atë që është më e rëndësishmja dhe më pas tek ajo që vjen pas saj në rëndësi.
Mirëpo nëse bëhet fjalë që ai ndodhet në një situatë dhe sheh se dikush nga njerëzit bën një gabim, një veprim apo fjalë që kundërshton sheriatin por që nuk është nga bazat e fesë dhe ai moment kërkon sqarim, kërkon urdhërim për të mirë dhe ndalim nga e keqja, atëherë nuk i lejohet ta fshehë të vërtetën në emër të diplomacisë së davetit por thërret në sunetin përkatës që ka të bëjë me atë çështje konkrete, gjithmonë duke u disiplinuar me ajetin Kuranor: “ Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë, dhe polemizo me ta në mënyrën më të mirë.” | En Nahl: 125. Pra, Allahu nuk tha thirr në diçka dhe lër diçka tjetër, por e disiplinoi thirrjen me urtësinë dhe këshillën në formën më të mirë. P.sh.: Nëse një person është duke u falur në xhami, dhe më pas në krah të tij sheh një djalosh në moshën e tij të re i cili po falet duke pasur në dorë një unazë prej floriri. Dikush mund të mendojë se është nga diplomacia e thirrjes që këtij djaloshi të mos i tërhiqet vërejtja për atë shkelje, por të anashkalohet me heshtje, mirëpo më thuaj; kur do e këshilloj atë person ndërkohë që ai mund të largohet dhe të mos e shoh më herë tjetër?!
Shembujt mund të jenë të shumtë dhe të larmishëm, veçanërisht nëse flasim për ata njerëz që e kanë caktuar veten të jenë thirrësa në islam, të cilëve nuk u lejohet të thërrasin tek një pjesë e islamit dhe të lënë një pjesë tjetër. Parimi që duhet të ndjekin është të thërrasin në atë që është më e rëndësishme, pastaj në atë që  vjen pas saj. Ky është parimi bazë dhe i patjetërsushëm. Ndërsa kur shikon diçka gabim dhe hesht ndaj saj një ditë, dy, tre, katër, një muaj, dy etj. me pretendimin se kjo është nga diplomacia në davet, padyshim se kjo nuk ka ekzistuar në kohën e Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem dhe as në kohën e selefëve.
Parimi bazë në këtë çështje nënkupton dy aspekte:
1) Aspekti i parë ka të bëjë me metodën (e këshillimit).
2) Aspekti i dytë ka të bëjë me faktin që thirrja duhet të jetë gjithëpërfshirëse e të gjitha çështjeve fetare, gjë për të cilën kemi shumë argumente, ku më i njohuri i tyre është hadithi: “Kush shikon prej jush një të keqe le ta ndryshojë me dorën e tij, e nëse nuk mundet le ta ndryshojë me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet le ta ndryshojë me zemrën etij, por ky është besimi më i dobët.” Pra, ai sheh një të keqe dhe nuk arrin ta ndryshojë, e atëherë kalon në nivelin e dytë; ndryshimi me fjalë, nëpërmjet këshillës me mënyrën më të mirë, ashtu si tregohet në ajetin e mëparshëm kuranor. E nëse as këtë nuk mundet atëherë e kundërshton me zemrën e tij, por ky është niveli më i dobët i besimit.  Pra, Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem nuk tha: “Nëse urtësia e davetit apo diplomacia në davet kërkojnë që të heshtësh, hesht.” Jo, nuk është kështu, por tha: “Nëse mundesh”, që do të thotë se për sa kohë që mundesh ta ndryshosh të keqen me secilën nga mënyrat, për sa kohë që kemi të bëjmë me kundërshtim të sunetit (siç thuhet në pyetje), atëherë duhet të bëhet sqarimi i duhur këshillues dhe më pas nuk jemi më përgjegjës për vazhdimësinë.
Realisht, problemi  kryesor në thirrje nuk duhet të jetë ndarja e islamit në dy pjesë: Një pjesë që duhet të thërrasim sa më shpejt në të, dhe një pjesë që duhet ta lëmë për më vonë ose të mos thërrasim kurrë në të.
Nuk duhet të jetë ky preokupimi për vetë faktin se; nuk ekziston asnjë libër që e ndan islamin në islamin që duhet të thërrasim sa më shpejt dhe islamin që duhet ta lëmë për më vonë apo të mos thërrasim kurrë në të, me pretendimin se diplomacia e thirrjes e kërkon diçka të tillë. Nuk ekziston një libër i kësaj natyre dhe as nuk mund të ekzistojë. Ai person që pretendon dhe dëshiron ta ndajë islamin në dy pjesë të tilla, nga e nxorri këtë lloj përfundimi dhe me çfarë argumenti?!
Që një person të arrijë në këtë lloj përfundimi duhet të jetë nga dijetarët më të mëdhenj të islamit, në mënyrë që t’ia pranojmë këtë lloj ndarjeje. Pyetja që shtrohet është: Kush janë ata që e kanë këtë pretendim dhe e ndjekin këtë parim? Ne e dimë mirë se ata që i janë përveshur davetit dinë shumë pak nga islami i tërësishëm. Përveç kësaj, vet ata bien në kontraditë me këtë parim. Unë e them hapur dhe me plot gojën se ata që pretendojnë teorikisht në ndarjen e islamit në dy pjesë; një pjesë me të cilën duhet të fillohet dhe një pjesë me të cilën nuk duhet të merremi, ne e dimë mirë se vet ata thërrasin në çështje që ndoshta s’kanë të bëjnë fare me islamin, e jo më që të jenë nga ajo pjesa e parë  e rëndësishme e islamit. Rreth kësaj kemi folur shpesh herë, ndaj le ta mbyllim me kaq sa thamë sepse është e mjaftueshme. Lëvdatat i përkasin Allahut, Zotit të botëve!

 

Përgatiti: Shejhu, muhadithi, el alameh Muhamed Nasirudin el Albani.

Marrë nga kaseta me titull: “Thirrja selefije”

Përktheu: Shuajb Rexha

Dosje:

Loading...