Kurani është fjala e Allahut e zbritur në muajin e Ramazanit, në natën e Kadrit e cila është në dhjetë netët e fundit të Ramazanit. Allahu i Madhëruar thotë: “Muaji Ramazan është ai në të cilin ka zbritur Kurani.” | El Bekare: 185.
Gjithashtu ka thënë: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në natën e Kadrit.” | El Kadr: 1.
Çdo herë në muajin e Ramazanit profeti Muhamed sal-lallahu alejhi ve sel-lem e përsëriste Kuranin famëlartë dhe e studionte atë së bashku me engjëllin Xhibril, ndërsa në vitin e fundit të jetës së tij ata e përsëritën Kuranin dy herë.
Për të përfituar sa më shumë nga bereqeti i këtij muaji kërkohet një përkushtim i veçantë ndaj Kuranit. Agjëruesi duhet të lexojë sa më shumë Kuran duke ndërthurur ndërmjet agjërimit dhe leximit të Kuranit, këtyre dy adhurimeve madhështore të cilat e gjallërojnë jetën shpirtërore.
Kurani gjatë muajit të Ramazanit është kënaqësi dhe freski për shpirtin dhe bëhet shkak për rritjen e besimit. Leximi i Kuranit gjatë muajit të Ramazanit shpërblehet me sevape të shumta. I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kush lexon një shkronjë nga libri i Allahut fiton një sevap (shpërblim) dhe ky sevap i shumëfishohet dhjetë fish.” E transmeton Tirmidhiu me nr. 2910. Albani e ka vlerësuar si hadith të mirë në “Silsiletu es Sahiha” 2/267.
Në ditën e gjykimit Kurani do ndërmjetësojë për lexuesin e tij. I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Lexojeni Kuranin, sepse në ditën e gjykimit ai vjen si ndërmjetësues për ata që e lexojnë atë.” E transmeton Muslimi me nr. 1343.
Gjithashtu ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani do ndërmjetësojnë për njeriun në ditën e gjykimit. Agjërimi do thotë: O Zot! E kam privuar nga ushqimi dhe pija, prandaj më lejo të ndërmjetësoj për të! Ndërsa Kurani do thotë: E kam privuar nga gjumi i natës, prandaj më lejo të ndërmjetësoj për të! Kështu që ata të dy do ndërmjetësojnë.” E transmeton Ahmedi me nr. 6589. Albani e ka vlerësuar si hadith të saktë në “Sahihul Xhami” me nr. 7329.
Dosje: Kurani
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi