Libri dhe urtësia

March 22, 2025

“Dhe (përkujto) kur Allahu mori premtim prej profetëve: Nëse Unë u jap Librin dhe urtësinë pastaj ju vjen një i Dërguar vërtetues i asaj që keni, do ta besoni atë dhe do ta ndihmoni…” | Ali Imran: 81.

Për Profetin tonë sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “… dhe do t’ua mësojë atyre Librin dhe urtësinë…” | El Bekare: 129.

Për Isain gjithashtu thotë: “Dhe do t’i mësojë atij Librin dhe urtësinë.” | Ali Imran: 48.

Për çdo profet Allahu i Madhëruar përmend se do t’i japë përveç Librit të Tij edhe urtësinë. E çfarë mund të jetë tjetër urtësia përveç kuptimit të saktë të Librit të Allahut dhe mënyra se si duhet zbatuar ai. Ku duhet vendosur çdo ajet, çdo gjykim që gjendet në Librin e Allahut, ku e ka vendin çdo urdhër hyjnor e si duhet zbatuar.

Pra nuk u mjaftua vetëm me mësimin teorik por edhe praktikisht si do të gjente vend në jetën njerëzore ai Libër hyjnor, në mënyrë që të mos ndërhynin këndvështrimet e ndryshme njerëzore dhe të shndërrohej pastaj Libri i Allahut në shkak për kundërshtime dhe divergjenca.

Këtë urtësi që ua mësoi profetëve ata e zbatuan sa ishin gjallë dhe ua mësuan shokëve të tyre. Pra, bashkëkohësit e profetëve që jetuan me ta e kuptuan shumë mirë këtë urtësi.

Problemi qëndroi tek brezat e tjerë mbas tyre se sa e ruajtën urtësinë për të vendosur çdo gjë në vendin e vet, dhe nga ana tjetër sa donte Allahu i Gjithëdijshëm dhe i Urtë që ato urtësi të ishin ligje të përjetshme apo të përkohshme. Sa donte Ai që ato ligje të ishin të pakufizuara në kufij tokësore apo të ishin lokale, për një popull apo për të gjithë popujt.

E sigurisht që fatin për të qenë një sistem i plotë vlerash për çdo kohë, për çdo vend e çdo popull, e pati Kurani dhe mënyra si duhej kuptuar e zbatuar ai (thënë ndryshe; tradita apo praktika profetike Muhamedane). Këto të dyja ishin përcaktuar qysh para 50000 vjetësh për të qenë ligji i Allahut në tokë dhe Urtësia e Tij që do të rregullonin jetën njerëzore deri në Kiamet.

Ata do t’iu tregonin njerëzve si fanar ndriçues se kah duhet të shkonin në rrugëtimin e tyre të përkohshëm në këtë botë. Si ta kalonin provimin që quhet “jeta e kësaj bote” për të fituar të amshueshmen, madje për t’i fituar të dyja.

Është e pamundur që gjithë ajo urtësi hyjnore, gjithë ajo eksperiencë e vyer dhe unike e asaj jete të orientuar nga lart prej vet Zotit të botëve, të lihej të humbiste e ta harronte koha!? Kurrsesi jo! Kjo nuk i ka hije mëshirës hyjnore për njerëzit!

Si mundet t’i krijonte Allahu krijesat dhe t’i linte pa orientim, pa i mësuar si duhet të jetonin dhe çfarë rruge të ndiqnin?!

Prandaj Libri dhe urtësia do të mbeten si rrugë e qartë dhe e ndriçuar për këdo që dëshiron ta ndjekë atë për të shkuar në Xhenet. Do të mbeten deri kur të vijë çasti për tu shkatërruar universi apo pak përpara asaj, kur askush të mos ja vërë më veshin e ta hedhin pas shpine. Me ngritjen e Librit dhe urtësisë të cilat ishin edhe siguria e tyre për të mos u shkatërruar, banorët e tokës do ta meritojnë shkatërrimin.

Pikërisht aty mbaron afati i punës dhe fillon afati i shpërblimit!

 

Emin Bilali

Dosje: ,

Loading...