O i suksesshëm (me ndihmën e Allahut)!
Tek Tirmidhiu dhe të tjerë përcillet se Profeti Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Asgjë nuk është më e dashur për Allahun sesa lutja.” Allahu i Lartësuar e do lutjen dhe dëshiron që robi i Tij t’i lutet, dhe Ai ka dëshirë që robi t’i drejtohet me duar të ngritura.
Për këtë arsye lutja jote drejtuar Allahut është një formë adhurimi, edhe nëse lutja nuk gjen përgjigje menjëherë. Në nje hadith autentik, Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Çdo njeri që bën lutje ose do t’i plotësohet menjëherë kërkesa e tij, ose do t’i largohet ndonjë fatkeqësi në përpjestim me lutjen që bën, për sa kohë që nuk lutet për diçka të ndaluar apo për ndërprerjen e lidhjeve farefisnore.”
Ky hadith na mëson dy gjëra të rëndësishme:
1. Besimtari e adhuron Allahun përmes lutjes (duasë). Qëllimi nuk është vetëm pranimi dhe plotësimi i lutjes paçka se është diçka e synuar nga ai që lutet, por duaja ka dhe qëllime dhe synime të tjera ku kryesorja është që ta adhurosh Allahun përmes lutjes. Kështu ajo (duaja) mbetet një akt adhurimi që shpërblehet edhe nëse lutja nuk gjen përgjigje. Pra edhe nëse duaja jote nuk gjen përgjigje, duhet të dish se do të shpërblehesh për lutjen që ke bërë. Nisur nga kjo është saktësuar se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Lutja është vetë adhurimi.”
Kjo shprehje tregon ekskluzivitetin e lutjes si akt adhurimi pasi në fjali i është dhënë përparësi aktit ndaj foljes. Forma e rregullt e kësaj fjalie do të ishte: “Adhurimi është lutja.” Por vendosja e aktit para foljes nënkupton ekskluzivitetin dhe rëndësinë e veçantë të lutjes në adhurim. Kjo na tregon dobinë thelbësore se; një nga adhurimet më madhore që duhet t’i kushtohet vetëm Allahut të Lartësuar, është lutja.
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve.”
Si mund të jetë i sinqertë dikush në lutjen e tij ndaj Allahut, nëse një herë kërkon falje nga Allahu dhe herë të tjera nga dikush tjetër? Si mund të thotë njëherë: “O Allah, më fal!” e më pas: “O filan, më fal!”? Si mund të kërkojë furnizim nga Allahu, e pastaj t’i drejtohet një njeriu tjetër duke thënë: “O filan, më jep fëmijë!”? A mund të jetë ky person i sinqertë në lutjen e tij drejtuar Allahut të Lartësuar? A e ka bërë vërtet adhurimin vetëm për Allahun e Lartësuar? A e ka zbatuar fjalën e Allahut të Lartësuar? “Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve.”
Prandaj lutja i takon vetëm Allahut. Mos i shtrij duart tek askush tjetër, veçse tek Ai, i Lartësuari dhe i Madhëruari. Sa më e fortë të jetë lidhja jote me Zotin, aq më e mundshme është që lutja të pranohet me lejen e Allahut të Lartësuar.
Pra, çështja e parë është se lutja është adhurim. Për këtë arsye atij që i është hapur dera e lutjes ai është i bekuar. Ai është vërtet njeri që meriton të lakmohet për këtë mirësi.
Umeri, shoqëruesi i Profetit ﷺ pranë varrit të tij ka thënë:
“Unë nuk shqetësohem për pranimin e lutjes, por shqetësohem për vetë lutjen.”
Suneti ka ardhur duke e lejuar dhe inkurajuar lutjen gjatë gjithë muajit të Ramazanit. Megjithatë, ai e ka përcaktuar dhe theksuar në disa çështje specifike të cilat janë më të pëlqyeshme dhe më të vlefshme se të tjerat, si në shprehjen e tyre ashtu edhe në kohën kur bëhen.
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Me të vërtetë ju keni një shembull të shkëlqyer te i Dërguari i Allahut, për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit.”
Të ndjekësh shembullin e Profetit ﷺ do të thotë të veprosh ashtu siç ka vepruar ai, në mënyrën si e ka bërë ai dhe për faktin se ai e ka vcepruar atë. Profeti ﷺ na ka udhëzuar, si me fjalët e tij ashtu dhe me veprat e tij në lidhje me çështjet e lutjes, veçanërisht në këtë gjendje dhe në këtë muaj të bekuar. Ndërsa Profeti ﷺ bënte përpjekje të mëdha në lutje gjatë gjithë muajit të Ramazanit dhe me të gjitha llojet e lutjeve, ku disa lutje ishin më të theksuara dhe më të preferuara në këtë kohë sesa të tjerat.
Tek Ibn Huzejme dhe Bejhakiu është transmetuar një hadith nga Selmani, të cilin dijetarët vazhdojnë ta përmendin kur flasin për vlerat e muajit Ramazan. Në këtë hadith Profeti ﷺ ka thënë: “Ju ka ardhur një muaj i bekuar ndaj shtoni në të dy vepra të cilat nuk mund të bëni pa to, dhe dy vepra të tjera me të cilat e kënaqni Zotin tuaj.” Sa i përket dy veprave me të cilat e kënaqni Zotin tuaj, janë: 1. Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. 2. Kërkimi i faljes nga Allahu. Ndërsa dy veprat pa të cilat nuk mund të bëni, janë: 1. Kërkimi i Xhenetit nga Allahu. 2. Kërkimi i mbrojtjes nga zjarri i xhehenemit.
Ky hadith na udhëzon se disa nga veprat që duhet të kryhen dhe duhet të lutemi me to gjatë këtij muaji të bekuar, janë këto katër fraza:
1. Shpeshtimi i fjalës “La ilahe il-lAllah” (Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut), dhe se “Muhamedi është i Dërguari i Allahut.”
Këto fjalë të këndshme janë përmendje e Allahut të Lartësuar. Ndërkohë që përmendja dhe lavdërimi ndaj Allahut gjithmonë duhet të shoqërohet me kërkesë në lutje.
Fjalia e dytë na udhëzon që robi duhet të kërkojë shpesh falje (istigfar). Njeriu ka nevojë të madhe për të kërkuar faljen e Allahut të Lartësuar prandaj duhet t’i lutet Atij për faljen e mëkateve, të kërkojë falje për gabimet dhe mangësitë e tij, dhe të kërkojë mëshirën e Allahut për çdo gjë që ka vepruar gabim.
Tek Ibn Maxhe është transmetuar se Abdullah ibn Amr ibn Asi kur çelte iftarin, thoshte: “O Allah, të kërkoj faljen Tënde!” Gjithashtu, është transmetuar se Aishja kur e pyeti Profetin ﷺ: “O i Dërguar i Allahut, nëse e arrij natën e Kadrit, çfarë duhet të them? Ai ﷺ i tha: Thuaj: O Allah, Ti je Falës, e do faljen, andaj më fal mua!” Prandaj, një nga lutjet më madhështore në këto ditë të begata është lutja për falje: “O Allah, më fal!”
Kushdo që e bën istigfarin (kërkimin e faljes) pjesë të pandashme të jetës së tij Allahu do t’i japë rrugëdalje nga çdo brengë, do t’i japë lehtësim nga çdo vështirësi, dhe do ta furnizojë nga burime që as nuk i kishte menduar.
Kështu e transmeton Darimiu si fjalë të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Përkushtimi i vazhdueshëm ndaj istigfarit (kërkimit të faljes) mund t’i bëjë të panevojshme shumë lutje të tjera. Allahu i Lartësuar, si rezultat të këtij istigfari mund t’i dhurojë njeriut jo vetëm atë që ai shpreson por edhe të mira që as nuk i kishin shkuar në mendje.
Sa i përket lutjes së tretë dhe të katërt, janë ato lutje për të cilat Profeti ﷺ ka thënë:
“Dy gjëra pa të cilat nuk mund të bëni janë: 1. Kërkimi i Xhenetit nga Allahu i Lartësuar. 2. Kërkimi i mbrojtjes nga zjarri i Xhehenemit.”
Ndër lutjet më të mira është që njeriu duhet të praktikojë vazhdimisht gjatë gjithë vitit, e veçanërisht në muajin e Ramazanit është që Allahu ta shpëtojë nga zjarri dhe ta fusë në Xhenet.
Profeti ﷺ kërkonte mbrojtjen e Allahut të Lartësuar nga zjarri i Xhehenemit shtatë herë, si në mëngjes ashtu dhe në mbrëmje.
Një burrë erdhi tek Profeti ﷺ dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Unë nuk di të bëj lutje të bukura siç bën Muadhi.” (d.m.th. nuk di të lutem me fjalë të përzgjedhura.) Profeti ﷺ e pyeti: Çfarë thua ti? Ai tha: Unë them: O Allah, të kërkoj Xhenetin dhe kërkoj mbrojtjen Tënde nga zjarri i Xhehenemit. Atëherë Profeti ﷺ tha: Rreth kësaj sillemi edhe ne në lutjet tona.” (Ose tha: “Rreth kësaj rrotullohen lutjet tona.”)
Kjo na mëson se e gjithë e mira e botës tjetër lidhet me shpëtimin nga zjarri i Xhehenemit dhe lutja për të hyrë në xhenet. Nëse njeriu dëshiron të kërkojë të mirat e botës tjetër, le t’i lutet Allahut për Xhenetin dhe të kërkojë mbrojtjen e Tij nga zjarri i Xhehenemit. Kur robi i lutet Allahut në këtë mënyrë, Ai e mbron banorin e Xhenetit nga rënia në mëkate dhe ia lehtëson rrugën e adhurimit dhe bindjes në këtë botë.
Autor: AbduSelam esh Shuvejir
Përshtati: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Kini kujdes nga adresat anonime në rrjetet sociale Udha e Besimtarëve
- Israja dhe Mi’raxhi nuk është mit apo trillim Udha e Besimtarëve
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali