A merr sevape muslimani për shpenzimet që bën për ndërtimin e shtëpisë?

April 7, 2017

Transmetohet nga Enes bin Maliku se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ndërtesa që njeriu ndërton do të jetë në disfavor të llogarisë së tij, përveç aq sa është e nevojshme për t’u ndërtuar.” Transmeton Ebu Daudi me nr. 5237 dhe Ibën Maxheh me nr. 4161. Shejh Albani e ka konsideruar të saktë në “Silsileh Sahiha” me nr. 2830.

Habab bin Ereti tregon se e ka dëgjuar Profetin sallalahu alejhi ue selem duke thënë: “Njeriu do të shpërblehet për çdo gjë që shpenzon (në hallall për familjen), përveç shpenzimeve për ndërtim.” Transmeton Tirmidhiu me nr. 2483 dhe Ibën Maxheh me nr. 4163. Shejh Albani e ka konsideruar të saktë në “Silsileh Sahiha” me nr. 2831.

Shejh Albani ka thënë: Dije se qëllimi me këto dy hadithe është tërheqja e vërejtjes për të mos u preokupuar me ndërtimin e shtëpisë më tepër sesa është nevoja. Siç dihet, nevoja ndryshon nga individi në individ dhe nga familja në familje. Dikush ka familje më të madhe e dikush më të vogel. Dikush vizitohet nga shumë mysafirë, dikush tjetër më pak. Duke i parë në këtë kontekst, këto hadithe përputhen tërësisht me hadithin tjetër të saktë në te cilin Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Të kesh shtrat për vete, për gruan, për mikun, ndërsa i katërti është për shejtanin.” Transmeton Muslimi etj.

Ibën Haxheri në shpjegim të këtij hadithi ka thënë: Të gjitha këto hadithe i referohen ndërtimit më tepër sesa është e nevojshme për t’u strehuar.

Diku tjetër Ibën Haxheri thotë: Jo çdo ndërtim përtej nevojës konsiderohet mëkat dhe teprim. Ka ndërtime për të cilat njeriu shpërblehet, si p.sh. kur ndërton më tepër se nevoja e tij për të plotësuar nevojat e dikujt tjetër. Në këtë rast ndërtuesi (investuesi i ndërtimit) shpërblehet.

Marrë nga “Silsileh Sahiha” tek shpjegimi rreth hadithit me nr. 2831.

Përktheu: Shuajb Rexha

Loading...