Mëso komentin e sures Mesed

July 21, 2016

SURJA EL-MESED

Mekase – 5 vargje

Bismil-lâhirr Rrahmânirr Rrahîm

  1. Iu thafshin duart Ebu Lehebit[1] dhe u thaftë në gjithçka!
  2. Nuk do ta ndihmojnë atë as pasuria dhe as fitimet e tjera.
  3. Ai, me siguri, do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara,
  4. po ashtu edhe gruaja e tij, që mbart drutë e zjarrit,
  5. në qafën e saj do të ketë një litar prej fijesh palme.

Komenti i ajeteve

Katadeh (Allahu e mëshiroftë), duke komentuar fjalën e Allahut që thotë: “Iu thafshin duart Ebu Lehebit.” D.m.th: U shkatërroftë.

Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) thotë: Pjesa e parë e ajetit “Iu thafshin duart Ebu Lehebit”  është lutje kundër tij, ndërsa pjesa tjetër: “Dhe u thaftë në gjithçka! Është kallëzues për atë që ka për ti ndodhur. [Tefsir Kuran el Adhijm 4/574].

Muxhahidi (Allahu e mëshiroftë) për fjalën e Allahut që thotë: Nuk do ta ndihmojnë atë as pasuria dhe as fitimet e tjera. Ka thënë: “Fitimet e tjera” janë për qëllim fëmijët e tij.

Nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcillet se një ditë pa disa fëmijë të Ebu Lehebit duke u zënë me njëri tjetrin, ai shkoi ti ndante duke thënë: Këta janë ajo që ai fitoi.

“Ai, me siguri, do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara, po ashtu edhe gruaja e tij, që mbart drutë e zjarrit.”

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: Gruaja e tij mbante ferra, gjemba dhe i hidhte në rrugën ku kalonte Profeti (alejhi selam).

“Në qafën e saj do të ketë një litar prej fijesh palme.”

Ibn Zejd (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Në qafën e saj do të ketë litar të thurur nga një pemë që rritet në jemen, e që quhet mesed.

Ndëresa Dahaku e të tjerë kanë thënë: Në këtë botë, do të jetë litar prej fijesh palme, ndërsa në botën tjetër, do të jetë prej zjarri.

Shkaku i zbritjes së këtyre vargjeve

Ibn Abasi thotë: Në kohën kur Profetit (alejhi selam) iu shpall ky ajet: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm.” [Shuara 214]. I Dërguari i Allahut (alejhi selam) u ngjit mbi kodrën Safa në Mekë dhe thirri me zë të lartë: O bijtë e Hashimit, o bijtë e Abdul Mutalibit, o bijtë e Fihrit, o bijtë e fisit filan! Si mendoni, nëse do tu tregoja se një ushtri me kuaj qëndrojnë pas këtij mali dhe duan tu sulmojnë, a do të më besonit? Ata thanë: Po, patjetër.

Atëherë Profeti (alejhi selam) u tha: Dijeni atëherë se unë jam paralajmërues për ju para se tu vijë dënimi i dhembshëm.

Ebu Lehebi që ishte prezent, tha: Mallkuar qofsh gjithë këtë ditë, a për këtë na mblodhe? Pas kësaj (ngjarje) zbritën vargjet ku Zoti i Lartësuar thotë: Iu thafshin duart Ebu Lehebit dhe u thaftë në gjithçka! [E përcjell Buhariu dhe Muslimi].

Ndërsa Rabia bin Abad ed Dejli thotë: E kam parë Profetin (alejhi selam në kohën e injoranacës sime, para se të hyja në Islam, në tregun Dhil Mexhaz duke thënë: O njerëz, thuani: La ilahe ila Allah (Nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut) që të shpëtoni. Ndërkohë, njerëzit ishin mbledhur rreth tij, dhe fare pranë pas tij qëndronte një burrë me fytyrë të pashme, me sy të shtrembër dhe bishtalesë, duke thënë: Ky është Sab’i[2] gënjeshtar! Ai e ndiqte kudo që shkonte. Unë pyeta për të dhe më thanë: Ky është xhaxhai i tij, Ebu Lehebi. [E përcjell Ahmedi 3/492, 4/341].

Esma bint Ebi Bekr (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) thotë: Kur zbritën fjalët e Allahut: “Iu thafshin duart Ebu Lehebit.” Umu Xhemil bint Harb (bashkëshortja e Ebu Lehebit) që nuk shihte me njërin sy, erdhi duke ngritur zërin si në të vajtuar duke thënë: Të nënçmuarin (Muhamedin) e refuzuam, fenë e tij e mohuam dhe urdhërin e tij e kundërshtuam.

I Dërguari i Allahut (alejhi selam) po qëndronte në xhami (Qabe) bashkë me Ebu Bekrin. Kur e pa Ebu Bekri i tha Profetit (alejhi selam): O i Dërguari i Allahut, ajo po vjen dhe kam frikë për ty se ka për të të parë.

Profeti (alejhi selam) tha: Ajo nuk ka për të më parë. Ai lexoi Kuran që të mbrohej me të, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Kur ti (Muhamed) lexon Kuranin, Ne vëmë një perde të fshehtë mes teje dhe atyre që nuk besojnë në jetën e ardhshme.” [Isra 45].

Ajo erdhi dhe qëndroi përballë Ebu Bekrit por nuk e pa Profetin (alejhi selam). Ajo tha: O Ebu Bekër, më kanë thënë se shoku yt më ka sulmuar me fjalë. Ai tha: Betohem në Zotin e kësaj shtëpie (Qabes), ai nuk të ka sulmuar me fjalë. Ajo u largua duke thënë: Të gjithë Kurejshët e dinë se unë jam e bija e zotërit të tyre. [E përcjell Humejdi në Musnedin e tij 1/154 dhe nga e njëjta rrugë Ibn Ebi Hatim siçka thënë Ibn Kethiri në Tefsirin e tij 4/464 si dhe Hakimi 2/361 i cili e ka saktësuar dhe këtë saktësim e ka miratuar edhe imam Dhehebiu].

Çfarë mësojmë nga këto ajete?

1- Mësojmë gjykimin e preprë të Zotit për shkatërrimin e Ebu Lehebit, prishjen e kurtheve të tij të cilat mundohej ti thurte Profetit (alejhi selam).

2- As pasuria dhe as fëmijët nuk e ndihmojnë dhe nuk e mbrojnë njeriun nga dënimi i Allahut, përderisa ky njeri vepron gjëra që e zemërojnë dhe nuk e gëzojnë Atë (Allahun e Lartësuar).

3- Mësojmë ndalimin e lëndimit të besimtarëve në mënyrë të prerë.

4- Të afërmit, farefisi etj, nëse janë prej atyre që i bëjnë ortak Zotit në adhurim, kjo afërsi gjaku dhe ky farefis nuk ndikojnë dhe as nuk bëjnë dobi. Ebu Lehebi ishte xhaxhai i Profetit (alejhi selam), e megjithatë ai do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara.

 

Marrë nga Libri “Teufiku Rrahman fi durusi el Kuran”

Autor Fejsal bin Abdul Aziz Al Em Barek (Allahu e mëshiroftë).

Dobitë në fund të komentit janë marrë nga libri “Ejser et Tefasir” me autor Ebu Bekr el Xhezairi (Allahu e ruajtë).

Përktheu Fatjon Isufi

 

 

 

[1] Ebu Leheb (Babai i flakës) ishte nofka e Abdul ‘Uzza-s, birit të Abdul Muttalibit, pra, xhaxhait të Profetit (a.s.). Kur u bë kryetar i fisit të Hashimive, pas vdekjes së Ebu Talibit, ai refuzoi ta vazhdonte mbrojtjen fisnore për Muhamedin (a.s.) dhe e la atë të ekspozuar ndaj armiqësisë së idhujtarëve.

[2] Një sekt i përzier judeo-kristian.

Loading...