Mëso rreth pesë ajeteve të para të sures El Bekare

March 2, 2020

Surja “El- Bekare” – Sure e zbritur në Medine –

Qëllimet e sures “El Bekare”:

Urdhëri për të realizuar zbatimin e ligjeve të Zotit në tokë me anë të Islamit. Dorëzimi i plotë ndaj Allahut, si dhe qortimi për të mos rënë në gjendjen e Beni Israilëve.

Komenti:

Kjo sure u quajt me këtë emër “El Bekare” (lopa) për shkak se aty përmendet ndodhia e lopës së Beni Israilëve. Në këtë sure shihet qartë domosdoshmëria e të nxituarit në kryerjen e urdhërave të Allahut pa u vonuar, dhe jo siç ndodhi me rastin e Beni Israilëve.

1- Elif, Lâm, Mîm. Me këto shkronja fillojnë disa nga suret e Kuranit Famëlartë. Këto shkronja nuk kanë kuptim në vetvete kur vijnë të ndara në këtë mënyrë: Elif, Ba, Ta, etj. por janë shkronja që mbajnë urtësi dhe kanë një qëllim sepse në Kuran çdo gjë e ka një urtësi brenda saj. Prej urtësive më të mëdha të këtyre shkronjave mund të përmendim: Sinjalizimin e sfidimit përmes Kuranit i cili është i përbërë nga këto shkronja që arabët i njohin dhe me to flasin e komunikojnë. Prandaj në shumicën e rasteve, pas këtyre shkronjave vjen menjëherë përmendja e Kuranit Fisnik siç duket qartë edhe në këtë sure.

2- “Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit.” Ky është Kurani madhështor ku nuk ka dyshim në të, qoftë në aspektin e zbritjes po ashtu edhe në aspektin e fjalëve dhe kuptimeve që përmban. Sepse ai është fjala e Allahut e cila i udhëzon të devotshmit në rrugën që i shpie tek Zoti i tyre.

3-4- “Të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe, që me bindje i besojnë jetës tjetër.”

Janë ata që e besojnë të fshehtën dhe e fshehtë quhet çdo gjë që nuk e arrin perceptimi njerëzor dhe është e pakapshme ose e padukshme për ne. Këtu përfshihen të gjitha ato gjëra për të cilat na ka njoftuar Allahu ose i dërguari i Tij (alejhi salatu ue selam), si përshembull: Dita e Gjykimit.

Janë ata që falin namazin duke e kryer konform rregullave që ka vendosur Allahu, duke plotësuar kushtet, duke përmbushur shtyllat, obligimet dhe sunetet e tij (namazit). Ata që japin nga pasuria që i ka furnizuar Allahu duke nxjerrë pjesën me të cilën obligohen siç është zekati, apo duke dhënë vullnetarisht. Gjithë këtë e bëjnë duke shpresuar në shpërblimin e Allahut. Ata janë që besojnë në shpalljen që Allahu e zbriti tek ti o i dërguar dhe atë që u zbriti mbarë Pejgamberëve para teje pa asnjë dallim. Janë ata që besojnë bindshëm në ditën e fundit dhe atë që vjen prej shpërblimit apo ndëshkimit.

5- “Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit.” Ata që janë të pajisur me këto cilësi arrijnë të qëndrojnë në rrugën e udhëzimit, dhe pikërisht këta janë të fituarit në këtë botë dhe në botën tjetër duke e arritur atë që shpresojnë dhe duke shpëtuar nga ajo prej të cilës kanë frikë.

Dobitë e ajeteve:

– Besimi absolut dhe largimi i çdo dyshimi është argument se kjo fjalë është e Allahut, sepse nuk ekziston asnjë krijesë që të pretendojë diçka të tillë në fjalët e tij.

-Nuk përfitojnë nga Kurani Famëlartë dhe nga udhëzimet e tij madhështore vetëm se njerëzit e devotshëm dhe ata që e madhërojnë Allahun e Lartësuar.

-Shkalla më e lartë e imanit është besimi në Gajb (të fshehtën) sepse kjo përfshin dorëzimin e plotë ndaj Allahut dhe ndaj çdo gjëje për të cilën Ai ka njoftuar, si dhe ndaj pejgamberit dhe asaj që ai ka njoftuar prej Allahut të Lartësuar.

-Shumë herë Allahu i Lartësuar i përmend bashkë namazin dhe zekatin. Kjo për faktin se namazi është treguesi i sinqeritetit mes robit dhe Krijuesit, ndërsa zekati është tregues i mirësisë që robi ka ndaj krijesave. Të dyja këto bashkë formojnë atë që quhet lumturia (e kësaj bote) dhe shpëtimi (në botën tjetër).

-Besimi në Allahun e Lartësuar dhe kryerja e veprave të mira sjell udhëzimin dhe suksesin në këtë botë, dhe fitoren dhe shpëtimin e madh në botën tjetër.

“Tefsir el Mujeser” (Komentimi i thjeshtuar i Kuranit) – Grup Dijetarësh

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...