Mëso rreth sures El Felek

July 13, 2016

SURJA EL FELEK

Mekase, 5 vargje.

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

  1. “Thuaj: Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit.
  2. Të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar.
  3. Dhe nga sherri i natës kur kaplon terri.
  4. Dhe nga sherri i falltarëve që fryjnë nyje (duke bërë magji).
  5. Dhe nga sherri i smirëziut kur vepron me smirë.”

Vlerat e dy sureve të fundit.

1. Ukbe bin Amir përcjell se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “A nuk i keni parë ajetet që më kanë zbritur këtë natë, e që njerëzit nuk kanë parë kurrë të ngjashme me to? Ato janë: Kul eudhu bi Rabil felek. (Thuaj: Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit). Dhe; Kul eudhu bi Rabin Nas. (Thuaj: Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve).” E përcjell Muslimi etj.

  1. Në një transmetim të Ahmedit thuhet: “(Ukbeh thotë): Kur po drejtoja kafshën mbi të cilën kishte hipur Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në një nga udhëtimet e tij, për një moment më tha: O Ukbeh, a nuk po hipën (mbi deve)? Thashë: Kam frikë mos quhet mëkat! I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem zbriti dhe unë hipa për një kohë të caktuar, pastaj më tha: O Ukbeh, a ke dëshirë të mësosh dy sure prej më të mirave që mund të lexojnë njerëzit? I thashë: Patjetër o i dërguar i Allahut! Ai më lexoi: “Kul eudhu bi Rabil felek.” (Thuaj: Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit), dhe; “Kul eudhu bi Rabin nas.” (Thuaj: Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve). Më pas u bë ikameti për namaz ndërsa i dërguari i Allahut doli dhe lexoi këto dy sure, pastaj kaloi pranë meje dhe më tha: Si mendon o Ukbeh? Lexoi këto dy sure sa herë që fle dhe sa herë që gdhihesh. [E përcjell Ahmedi 4/144, Ebu Daudi dhe Nesaiu 8/153. Shejh Albani ka thënë se është hadith hasen. Për më tepër shih “Sahih en Nesai”.]
  1. Në një transmetim (nga Ukbeh) thuhet: I Dërguari i Allahut më urdhëroi të lexoj dy suret: “Kul eudhu bi Rabil felek.” (Thuaj: Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit.) Dhe; “Kul eudhu bi Rabin nas” (Thuaj: Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve) pas përfundimit të çdo namazi. [E përcjell Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, dhe ky i fundit ka thënë hadith i mirë dhe garib. Nesaiu.]
  1. Nesaiu përcjell se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Gjëja më e mirë tek e cila kërkojnë mbështetje njerëzit janë këto dy sure: “Kul eudhu bi Rabil felek.” (Thuaj: Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit). Dhe; “Kul eudhu bi Rabin Nas.” (Thuaj: Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve).” [E përcjell Nesaiu në “Sunen el kubra” 4/442.]
  1. Tirmidhiu dhe të tjerë përcjellin nga Ebu Seid el Hudri se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem kërkonte mbrojtje nga syri i keq i xhindëve dhe i njerëzve. Në momentin kur zbritën këto dy sure ai filloi të praktikonte leximin e tyre dhe la çdo gjë tjetër. [E përcjell Tirmidhiu dhe ka thënë: Hadith i saktë dhe i mirë. Nesaiu, Ibën Maxheh etj.]

Ibën Kethiri në tefsirin e tij pasi përmend këto hadithe dhe transmetimet e ndryshme, thotë: Të gjitha këto rrugë të transmetuara nga Ukbeh ngjajnë si të ishin muteuatirah (të përcjella nga shumë njerëz ku e bën të pamundur mundësinë e gënjeshtrës), dhe tregojnë prerë se janë fjalë të Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tek shumica e hulumtuesve të hadithit. “Tefsir Ibën Kethir” fq. 5774.]

 

Komentet e fjalëve.

  1. “Thuaj: Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit!”

Hasen el Basri thotë: El Felek është për qëllim koha e agimit.

  1. Të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar.

Ibën Kethiri ka thënë: D.m.th. nga e keqja e të gjitha krijesave.

  1. Dhe nga sherri i natës kur kaplon terri.

Hasen el Basriu thotë: Fillimi i natës atëherë kur fillon dhe errësohet.

  1. Dhe nga sherri i falltarëve që fryjnë nyje (duke bërë magji).

Haseni ka thënë: Janë për qëllim magjistarët dhe magjistaret.

  1. Dhe nga sherri i smirëziut kur vepron me smirë.”

Katade ka thënë: Nga e keqja e syrit dhe shpirtit të tij.

Aishja thotë: Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i bënë magji derisa i dukej sikur shkonte me gratë, por në fakt nuk ndodhte diçka e tillë.

Sufjani ka thënë: Magjia më e rëndë është ajo kur njeriu ndihet në këtë gjendje.

Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i tha Aishes: “O Aishe, a e di se Allahu më ka dhënë përgjigje për atë që e kam pyetur? Më erdhën dy burra, njëri u ul te koka dhe tjetri u ul te këmbët e mia. Ai që qëndronte te koka i tha tjetrit: Çfarë ka ndodhur me këtë burrë? Ai tha: I kanë bërë magji! Kush i ka bërë magji? Ai tha: Lebid bin Easam (një burrë nga fisi Zurejk e që ishte hipokrit në aleancë me fiset hebreje). Ai pyeti: Me çfarë gjëje i ka bërë magji? Ai tha: Me krehër dhe fije floku! Ku ndodhet magjia, – pyeti përsëri? Në zgavrën e një filizi palme hurmash e hedhur në pusin Dheruan. Ajo (Aisha) tha: Shkuan tek pusi dhe e nxorrën prej aty, dhe tha: Ky është pusi që më kanë treguar. Uji i tij ishte si ngjyra e kënas së tretur, ndërsa palmat që e rrethonin ngjanin si të ishin kokë shejtanësh. Ai tha: Nxirreni! Aisha i tha: A nuk po e shpërbën?

Tek versioni i Muslimit thuhet: A nuk po e djeg?

Kurtubiu duke e sqaruar këtë thotë: Kishte për qëllim Lebidin.

Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: Përderisa Allahu më shëroi nuk më pëlqen të nxis të keqen ndaj kujtdo qoftë. [E përcjell Buhariu dhe Muslimi].

Begaviu përcjell nga Zejd bin Erkam se ka thënë: “Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i bëri magji një burrë prej hebrejve dhe kjo e bëri të vuante disa ditë. Atij i erdhi Xhibrili dhe i tha: Një burrë nga hebrejtë të ka bërë magji dhe të ka lidhur nyje. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dërgoi Aliun i cili e nxorri (magjinë) dhe e solli tek Profeti. Sa herë që zgjidhej një nyje Profeti ndihej më lehtë, derisa ai u shërua plotësisht sikur të mos kishte vuajtur më parë. Kjo gjë nuk iu përmend çifutit e as që e pa ndonjëherë ballë-përballë.”

Mukatil dhe Kelbij kanë thënë: Magjia gjendej në një dru ku ishin lidhur 11 nyje.

Në një version tjetër thuhet se nyjet ishin të shoqëruara me gjilpëra. Allahu zbriti këto dy sure që bashkë numërojnë 11 ajete, dhe sa herë që lexonte një ajet zgjidhej një nyje derisa u zgjidhën të gjitha. Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u ngrit sikur të mos i kishte ndodhur gjë.

Begaviu përmendi me senedin e tij nga Ebu Seid el Hudrij, se Xhibrili kishte shkuar tek Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe i kishte thënë: “O Muhamed, po vuan? Ai tha: Po! Xhibrili filloi të lutej duke thënë: Bismilahi erkijke, min kuli shejin ju’dhijke, min sherri kuli nefsin eu ajni hasidin Allahu jeshfijke. Bismilahi erkijke. (Në emër të Allahut po të bëj rukje prej të gjitha gjërave që të lëndojnë, nga e keqja e çdo nefsi apo syri ziliqar. Allahu të shëroftë. Në emër të Allahut po të lexoj rukje.” [E përcjell Muslimi.]

Çfarë mësojmë nga këto ajete?

1- Domososhmërinë e kërkimit të mbrojtjes dhe mbështetjes tek Zoti i Lartësuar, nga çdo gjë e frikshme të cilën njeriu nuk mundet ta pengojë për shkak të fshehjes (siç janë shejtanët) apo pamundësisë për ta penguar.

2- Ndalimi i fryrjes së nyjeve sepse kjo konsiderohet magji dhe magjia është mohim ndaj Zotit, ndërsa gjykimi për magjistarin është tehu i shpatës.

3- Ndalimi i prerë nga smira (zilia) sepse është sëmundje e rrezikshme. Hasedi e nxiti vëllanë të vriste vëllanë. Nxiti vëllezërit e Jusufit t’i thurnin kurthe.

4- Lakmia nuk ka lidhje me hasedin, kjo bazuar në hadithin e saktë ku thuhet: “Zilia lejohet vetëm në dy gjëra.” Këtu është për qëllim lakmia.

 

Marrë nga libri: “Teufiku Rrahman fi durusi el Kuran”.

Autor: Fejsal bin Abdul Aziz Al Em Barek.

Dobitë në fund të komentit janë marrë nga libri “Ejser et tefasir” me autor Ebu Bekr el Xhezairi.

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...