SURJA EL-KUREJSH
Mekase, 4 vargje.
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
- (Shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri) Për të mbrojtur fisin Kurejsh,[1]
- Për t’i mbrojtur ata në udhëtimin që bëjnë dimër e verë.[2]
- Prandaj le ta adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabes),
- i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike.
Kuptimet e ajeteve
Zuxhaxhi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Fillimi i këtij ajeti është i lidhur me suren paraardhëse (suren El Fijl) që do të thotë: Shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri për të mbrojtur fisin Kurejsh. Ai shkatërroi njerëzit e elefantit që të mbeteshin kurejshët të mbrojtur në udhëtimin që bëjnë dimrit dhe verës.
Për fjalën e Allahut: “Për të mbrojtur fisin Kurejsh”- Muxhahidi ka thënë: D.m.th mirësinë Time ndaj kurjeshëve.
“Për t’i mbrojtur ata në udhëtimin që bëjnë dimër e verë.” Mbrojtje pas të cilës nuk do kenë kurrfarë vështirësie.
Ndërsa Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, për ajetin: “Për t’i mbrojtur ata në udhëtimin që bëjnë dimër e verë.” ka thënë: Nevojën që ata kishin për të udhëtuar.
Ebu Salih rreth këtij ajeti: “Për të mbrojtur fisin Kurejsh, për t’i mbrojtur ata.” ka thënë: Ata ishin tregtarë dhe Allahu e dinte dashurinë që kishin për të shkuar në Sham.
Ndërsa Katade për këtë ajet: “Për të mbrojtur fisin Kurejsh.” d.m.th traditën e kurjeshëve, traditën e udhëtimit të tyre dimrit dhe verës.
Ibën Zejdi ka thënë: Ata (kurejshët) kishin dy udhëtime; gjatë verës shkonin në Sham dhe në dimër shkonin në Jemen.
“Prandaj le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabes), i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike.”
Katade ka thënë: Ata (kurejshët) thonin: Ne jemi prej asaj që Zoti ka shenjtëruar dhe askush nuk mund të na cënojë.
Ibën Kethiri pasi përmend fjalën e Allahut: “Prandaj le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabes).” ka thënë: D.m.th. le ta veçojnë Allahun në adhurim si të vetëm dhe pa shok, të mos adhurojnë në vend të Tij idhuj apo statuja. Për këtë arsye, ai që i përgjigjet këtij urdhëri Allahu do t’i japë siguri në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Ndërsa atij që e kundërshton ia merr të dy siguritë, siç ka thënë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “Allahu e ka bërë shembull qytetin (e Mekës) i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën si ndëshkim për atë që bënë.” | En Nahl: 112. [3]
Çfarë përfitojmë nga këto ajete?
1-Vlerësimin e kurejshëve dhe mirësitë që Allahu u ka dhuruar gjë e cila kërkon falënderim. Në të kundërtën, ai që i përbuz këto mirësi Allahu e bën të shijojnë urinë dhe frikën për shkak të braktisjes së këtij falënderimi.
2- Obligueshmërinë e adhurimit të Allahut dhe braktisjen e çdo gjëje që adhurohet në vend të Tij.
3-Obligueshmërinë e falënderimit të mirësive i cili realizohet duke falënderuar çdo mirësi, duke e lavdëruar Allahun dhe duke i shfrytëzuar (këto mirësi) në gjërat që Ai i do dhe është i kënaqur.
4-Ushqyerja në rast varfërie dhe siguria nga rreziqet, rreth këtyre të dyjave sillet i gjithë sistemi i një shteti. Një shtet i mirë është ai që arrin tu sigurojë njerëzve këto dy mirësi të mëdha; mirësinë e të jetuarit në mirëqënie dhe mirësinë e sigurisë së plotë.
Marrë nga libri: “Teufiku Rrahman fi durusi el Kuran”.
Autor: Fejsal bin AbdulAziz al Em Barek.
Dobitë në fund të komentit janë marrë nga libri “Ejser et tefasir” me autor Ebu Bekr el Xhezairi, Allahu e ruajt.
Përktheu: Fatjon Isufi
————————————————————-
[1] Sipas disa komentuesve përmbajtja e kësaj sureje është e lidhur ngushtë me suren e mëparshme, duke lënë të nënkuptohet se shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri për të mbrojtur kurejshët.
[2] Struktura ekonomike mbi të cilën ishte ngritur mirëqënia e kurejshëve të Mekës bazohej në dy situata tregtare: njëra ishte pelegrinazhi i përvitshëm që sillte në Mekë të gjithë arabët e Gadishullit Arabik, kurse tjetra ishte udhëtimi i dy karvaneve vjetore, njëri drejt Jemenit gjatë dimrit dhe tjetri drejt Shamit (Siria, Palestina, Libani dhe Jordania e sotme) gjatë verës. Pozicioni qëndror i Mekës ndërmjet Mesdheut dhe Oqeanit Indian dhe aftësitë e jashtëzakonshme të tregtarëve kurejshë bënë që këto dy karvane të ktheheshin në pikëmbështetjen e gjithë aktivitetit ekonomik të qytetit.
——————————————-
[3] “Tefsiri i Ibën Kethirit” 4/553.
Dosje: Kurani
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi