Mëso rreth sures En Nasr

August 2, 2016

SURJA EN NASR[1]

Medinase, 3 vargje.

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit!

  1. Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës).
  2. Dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe.
  3. Atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai, se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.

Mesazhi kryesor që përcjell kjo sure.

Buhariu dhe të tjerë përcjellin nga Ibën Abasi se ka thënë:

Omeri më merrte me vete në shoqërinë e atyre që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit. Mbase disa prej tyre mbanin diçka në vete dhe thonin: Përse e merr këtë (djalosh) në prezencën tonë, ndërkohë edhe ne kemi fëmijë si ai? Omeri tha: Ju e dini tashmë kush është ai.

Një ditë Omeri më thirri dhe më futi në mesin e tyre, dhe unë e kuptova se ai më ftoi që tu tregonte diçka. Ai (Omeri) u tha: Çfarë mendoni për fjalën e Allahut që thotë: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës)?”

Disa prej tyre thanë: Allahu na urdhëron që ta falënderojmë dhe të kërkojmë falje në momentin kur vjen fitorja dhe çlirimi i Tij.

Disa të tjerë heshtën dhe nuk thanë asnjë fjalë. Omeri më tha: Këtë mendim ke edhe ti o Ibën Abas? Jo, – i thashë unë.

Atëherë çfarë thua për këtë? I thashë: Kjo është shenjë e afrimit të vdekjes së Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, të cilën ia tregoi Zoti i Lartësuar duke i thënë: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës)”, kjo është shenjë e afrimit të vdekjes. “Atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai, se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.”

Omeri tha: Nuk di të ketë sqarim tjetër veç asaj që ti përmende.

Imamët e hadithit e përcjellin nga Aishja dhe ky transmetim është i Buhariut ku thotë: Pasi zbriti surja: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës).” sa herë që falej Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i shtonte këto fjalë: “Subhaneke Allahumme rabbena ue bihamdik. Allahumme gfir li.” (I lartësuar qofsh o Zoti im, dhe i falënderuar. O Zot, më fal!)

Mesruku përcjell nga Aishja se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem gjatë rukusë dhe sexhdes i shtonte këto fjalë: “Subhanek All-llahumme rabbena ue bihamdik. All-llahumme gfir li.” (I lartësuar qofsh o Zoti im, dhe i falënderuar. O Zot më fal!) Në këtë mënyrë ai interpretonte Kuranin (suren Nasr). E përcjell Muslimi me nr. 484.

Ebu Bekri i tha: O i Dërguar i Allahut, më mëso ndonjë lutje me të cilët të lutem gjatë namazit. Ai i tha: “Thuaj Subhanek All-llahumme ue bihamdike. Rabi inni dhalemtu nefsi dhulmen kethira, ue inni ealemu ennehu la jegfirudh dhunube ila ente, fegfirli magfiraten min indike uer rahmni inneke entel gafuru rrahijm. (I Lartësuar qofsh o Zoti im dhe i Falënderuar. O Zot, unë i kam bërë vetes time shumë padrejtësi dhe jam i vetdijshëm se mëkatet nuk i fal askush veç Teje. Prandaj më fal me një falje të gjerë nga ana jote dhe më mëshiro, sepse vërtet Ti je Falës dhe Mëshirues.)” E përcjell Buahriu me nr. 7387.

Komenti i përgjithshëm.

  1. “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi.”

Muxhahidi ka thënë: Me këtë është për qëllim çlirimi i Mekes.

“Atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai, se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.”

Dije se pas kësaj shumë shpejt ke për të ndërruar jetë.

Ibën Abasi thotë: Kjo sure ishte shenjë dhe cak të cilin Allahu ia tregoi Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, dhe e ngushëlloi përmes saj duke i thënë: Ti nuk do të jetosh pas kësaj vetëm se një kohë të shkurtër.

Katade thotë: Vallahi, pas kësaj (sureje) ai jetoi shumë pak, ndoshta dy vite, pastaj ndërroi jetë.

Ebu el Alijeh thotë: Kur zbriti fjala e Allahut: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi”, dhe Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e kuptoi ndarjen e afërt nga kjo botë, sa herë që ngrihej prej ndonjë tubimi thoshte: “Subhaneke Allahume ue bihamdike, eshhedu en la ilahe ila Ente, estagfrikuke ue etubu ilejke.” (I lartësuar qofsh o Zoti im dhe i falënderuar. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Teje, tek Ti kërkoj falje dhe vetëm tek Ti pendohem!” E përcjell Ibën Xheriri në tefsirin e tij 30/330.

Taberani dhe të tjerë përcjellin nga Ibën Abasi se kur zbriti fjala e Allahut: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi” e deri në fund të sures, Ibën Abasi tha:

“Kjo sure ishte shenjë për Profetin sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe pas kësaj ai filloi të përpiqej më shumë se çdo herë tjetër në çështjet e ahiretit (botës tjetër).”

Në një hadith i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Pas kësaj erdhi çlirimi dhe fitorja dhe erdhën banorët e Jemenit. Dikush i tha: O i Dërguar i Allahut, kush janë banorët e Jemenit? Ai tha: Ata janë njerëz me zemra të ndjeshme dhe me natyrë të butë, ndërkohë që imani (besimi) është jemenas (vjen prej andej) dhe fikhu (dituria) është jemenas.” Në një version tjetër ka thënë: “Urtësia është jemenase.” E përcjell Nesaiu në “El Kubra” 6/525, Ibën Xheriri 30/332, Taberani 11/328, dhe hadithi është i saktë.

Marrë nga libri: “Teufiku Rrahman fi durusi el Kuran”.

Autor: Fejsal bin Abdul Aziz al Em Barek.

Dhe nga libri “Ahkam el Kuran”.

Autor: Ebu Bekr ibn el Arabi el Maliki.

Përktheu: Fatjon Isufi

———————————————

[1] Kjo ishte surja e fundit që iu dha Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem duke mbyllur kështu një cikël shpalljesh që zgjaste prej njëzetë e tre vjetësh. Ajo ishte shpallja e fitores së përgjithshme të Islamit mbi mosbesimin dhe e kthimit masiv në Islam e të gjithë Arabisë. Kur Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem mori këtë shpallje, e kuptoi se Zoti i tij i Madhëruar po e paralajmëronte për ndarjen e afërt nga kjo botë dhe për këtë lajmëroi të afërmit e tij më të ngushtë. Gjatë gjithë kohës që parapriu vdekjen e tij tokësore, Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thoshte vazhdimisht në namazet e tij: “Subhanek All-llahumme rabbena ue bihamdik. All-llahumme gfir li. (I Lartësuar qofsh o Zoti im dhe i Falënderuar. O Zot më fal!)”

Dosje:

Loading...