Vlerat e sures El Ihlas

July 17, 2016

SURJA EL IHLAS

Mekase, 4 vargje.

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

  1. Thuaj: Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!
  2. Allahu është Absoluti të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim.
  3. Ai as nuk lind as nuk është i lindur.
  4. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”

Shkaku i zbritjes së këtyre vargjeve.

Ubej bin Keabi përcjell se idhujtarët arabë i thanë Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “O Muhamed, na i përshkruaj Zotin tënd? Atëherë Allahu zbriti: ‘Thuaj: Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” E përcjell Ahmedi dhe të tjerë.

Ibën Xherir et Taberi shton duke thënë: Emri i Tij Es Samed është ai që as nuk lind as nuk është i lindur, kjo sepse çdo gjë që lind vdes e çdo gjë që vdes trashëgohet nga të tjerët. Ndërsa Allahu as nuk vdes e as nuk trashëgohet nga dikush tjetër.

“Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”

Ai nuk ka të ngjashëm e as të barabartë, dhe asgjë nuk shëmbëllen me Të.

E përcjell Ahmedi 5/133, 134, Buhariu në “Tarih el kebir” 1/245, Ibën Xheriri, Ibën Ebi Asim, Hakimi etj.

Vlera e sures El Ihlas.

Aisha tregon se Profeti sal-lAllau alejhi ve sel-lem dërgoi një burrë në krye të një ekspedite. Ai u lexonte shokëve të tij në namaz dhe e mbyllte leximin duke kënduar suren “Kul Hua Allahu ehad.” Kur u kthyen ata ia permendën këtë Profetit sal-lallahua alejhi ve sel-lem. Ai u tha: Pyeteni pse ka vepruar në këtë mënyrë. Ata e pyetën dhe ai u tha: “Sepse në këtë sure është cilësia e të Gjithëmëshirshmit të Lartësuar dhe unë kam dëshirë ta lexoj atë.” I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u tha: Tregojini atij se edhe Allahu e do atë.

Buhariu dhe Muslimi.

Ebu Seid el Hudri përcjell se dikush dëgjoi një burrë duke lexuar suren “Kul Hua Allahu Ehad” dhe duke e përsëritur atë. Kur u zgjua në mëngjes shkoi tek Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe i tregoi për këtë (sikur po e quante pak). I dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i tha: “Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin tim! Vërtet ajo është e barabartë me një të tretën e Kuranit.” E përcjell Buhariu dhe Muslimi.

Ebu Hurejra përcjell duke thënë: Unë erdha me Profetin sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe ai dëgjoi një person duke lexuar suren “Kul Hua Allahu Ehad”. I dërguari i Allahut tha: E meritoi! Unë i thashë: Cfarë meritoi? Ai tha: Xhenetin!

E përcjell Maliku, Tirmidhiu dhe Nesaiu.

Abdullah bin Hubejb thotë: Një herë na zuri etja dhe një errësirë e madhe, dhe ne pritëm Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem të na printe në namaz. Ai doli, më kapi për dore dhe më tha: “Thuaj!” Unë heshta. Ai më tha: “Thuaj!” Unë përsëri heshta. Herën e tretë më tha: “Thuaj! Unë i thashë: Cfarë të them? Tha: “Thuaj; Ai Allahu është Një i Vetëm, si dhe dy suret mbrojtëse (El Felek dhe En Nas) sa herë që ngrysesh dhe zgjohesh nga tri herë, dhe do të mjaftojnë për gjithë ditën.” E përcjell Abdullahu i biri i imam Ahmedit, Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu.

Muadh bin Enes el Xhuheni përcjell nga Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem se ka thënë: “Kush lexon ‘Kul Hua Allahu Ehad’ nga fillimi deri në fund 10 herë, Allahu këtij njeriu do t’i ndërtojë një shtëpi në xhenet. Omeri tha: Atëherë po e shtojmë o i dërguar i Allahut! Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: Allahu jep më shumë dhe është më i mirë.” E përcjell Ahmedi me sened të dobët.

Abdullah bin Burejde përcjell nga babai i tij se ai kishte hyrë me Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në xhami, dhe aty kishin hasur një burrë që falej dhe lutej duke thënë: O Zot, unë të kërkoj sepse dëshmoj se nuk ka të adhuruar të vërtetë vec Teje. Ti je i Vetëm dhe Absolut, që nuk lind e as nuk je i lindur. Askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Ty! Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: “Betohem në Allahun, ai është lutur me emrin më të madh të Allahut, me të cilin kur i kërkohet Ai jep dhe kur lutet Ai përgjigjet.” E përcjellin autorët e Suneneve.

Aisha tregon se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem kur shkonte për të fjetur, çdo natë ai mblidhte duart, pështynte pak dhe lexonte “Kul Hua Allahu Ehad”, “Kul eudhu bi Rabil felek” dhe “Kul eudhu bi Rabin Nas”. Pastaj fshinte sa të mundte prej trupit të tij, e fillonte me kokën dhe fytyrën dhe sa të mundte prej trupit. Kështu vepronte tri herë.” E përcjell Buhariu dhe të tjerë.

 

Marrë nga libri: “Teufiku Rrahman fi durusi el Kuran”.

Autor: Fejsal bin Abdul Aziz Al Em Barek.

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...