Komentimi i thjeshtuar i sures El Bekare (6-16)

March 3, 2020

Allahu i Lartësuar pasi përmendi cilësitë e besimtarëve të devotshëm, atyre që e kishin përmirësuar gjendjen e tyre të jashtme dhe të brendshme, filloi të përmend cilësitë e një kategorie fe-mohuesish të cilët e kishin katranosur pamjen e tyre të jashtme dhe të brendshme. Allahu i Lartësuar tregon duke thënë:

6– “Sa për ata që mohojnë njësoj është, i paralajmërove apo nuk i paralajmërove ata nuk besojnë.” Ata të cilët merituan fjalën e Allahut (zemërimin dhe dënimin e Tij) duke mos besuar, kanë për t’a vazhduar humbjen dhe kokëfortësinë e tyre. Kështu që si i paralajmërove apo nuk i paralajmërove për ta është njësoj, sepse:

7– “Allahu i ka vulosur zemrat e tyre, ndërsa në veshët dhe sytë e tyre kanë mbulesë. Ata i pret një dënim i madh.” Allahu i ka vulosur zemrat e tyre duke i mbyllur ato bashkë me të kotën që mbajnë brenda. Ndërsa dëgjimin ua ka mbyllur dhe nuk munden t’a dëgjojnë të vërtetën me dëgjimin e bindjes dhe nënshtrimit. Ndërsa sytë e tyre kanë mbulesë që nuk arrijnë t’a shohin të vërtetën, paçka se ajo është e qartë. Ndërsa në botën tjetër ata i pret dënimi i madh.

Në momentin kur Allahu i tregoi cilësitë e jobesimtarëve, të atyre që e kishin prishur gjendjen e jashtme dhe të brendshme, pas kësaj Ai fillon të sqarojë cilësitë e hipokritëve të cilët (ndryshe nga jobesimtarët) anën e brendshme e kanë prishur dhe në dukje apo në sytë e njerëzve shfaqen dhe shtiren si të mirë.

Allahu i Lartësuar tregon duke thënë:

8- “Ka disa njerëz që thonë: “Besojmë në Allahun dhe në ditën e gjykimit!” Por në të vërtetë ata nuk janë besimtarë.”

Mes njerëzve është një grup që pretendon se është besimtar, këtë e shprehin me gojët e tyre nga frika që kanë për veten dhe pasurinë, por në të vërtetë në brendinë e shpirtit janë jobesimtarë.

9- “Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por në të vërtetë mashtrojnë vetëm vetveten megjithëse nuk e ndiejnë.”

Për shkak të injorancës ata besojnë se janë duke mashtruar Allahun dhe besimtarët me shfaqjen që i bëjnë besimit dhe fshehjen e mohimit, por ata nuk e ndiejnë dhe nuk e dinë se Allahu e di të fshehtën dhe të dukshmen, ndërsa besimtarëve nga ana tjetër ua ka treguar cilësitë dhe tiparet e këtyre hipokritëve.

10- “Në zemrat e tyre ka një sëmundje të cilën Allahu ua shton. Ata i pret një dënim i dhembshëm për shkak të hipokrizisë së tyre.”

I gjithë problemi qëndron në faktin se ata kanë dyshime në zemrat e tyre dhe dyshimeve Allahu u shtoi dyshime. Ndëshkimi në këtë rast vjen si pasojë e veprës dhe ata i pret dënimi më i dhembshëm në shkallën më të ulët në zjarrin e xhehenemit. Ata u munduan të gënjenin Allahun dhe njerëzit, si dhe përgënjeshtruan atë që solli i dërguari i Tij Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

11- “Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në tokë!” – ata thonë: “Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë!”

Kur njerëzit i ndalojnë të bëjnë çrregullime në tokë përmes kufrit (mohimit), mëkateve etj. ata nuk pranojnë dhe pretendojnë se janë ata që ndreqin dhe përmirësojnë.

12- “Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkaktarët e çrregullimeve ndonëse nuk e ndiejnë.”

Në realitet ata janë çrregulluesit e vërtetë paçka se nuk e ndiejnë, pra nuk arrijnë t’a kuptojnë se veprimet e tyre janë çrregullimi vetë.

13- “Kur atyre u thuhet: “Besoni edhe ju ashtu siç kanë besuar njerëzit e tjerë!” – ata thonë: “Vallë, a të besojmë edhe ne ashtu siç besojnë mendjelehtët?!” Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë mendjelehtët por nuk e dinë këtë.”

Kur urdhërohen për të besuar ashtu siç besuan shokët e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, përgjigja e tyre vjen në formë mohimi dhe talljeje duke thënë: A të besojmë edhe ne siç besuan mendjelehtët?! Por në të vërtetë ata janë mendjelehtit edhe pse këtë nuk e dinë.

14- “Kur takohen me besimtarët, ata thonë “Besojmë” – por kur mbesin vetëm me djajtë e tyre thonë: “Në të vërtetë ne jemi me ju, ne vetëm po talleshim.”

Kur i takojnë besimtarët u thonë: I kemi besuar asaj që ju i besoni. Këtë e thonë nga frika që kanë prej besimtarëve, sepse kur largohen prej tyre dhe janë vetëm për vetëm me parinë e mohuesve shprehen para tyre të bindur se janë të palëkundur në ndjekjen e hapave të jobesimtarëve, duke u thënë: Ne jemi me ju dhe qëndrojmë në rrugën tuaj, por shtiremi para besimtarëve në paraqitjen tonë të jashtme në shenjë talljeje dhe përçmimi ndaj tyre. Por:

15- “Allahu do të tallet me ata dhe do t’i lërë një kohë të gjatë që të bredhin verbërisht në mendjemadhësinë e tyre.”

Allahu do të tallet me ta duke ua kthyer talljen që bënë me besimtarët në formë dënimi (në botën tjetër). Nga ana tjetër vendosi t’i trajtonte me dispozitat që trajtohen besimtarët në këtë botë, por në botën tjetër do t’i ndëshkojë për mohimin dhe hipokrizinë që treguan. Në këtë mënyrë Allahu u jep afat (u zgjat jetën) që të zhyten edhe më tej në humbjen dhe kokëfortësinë e tyre, dhe kështu të mbeten të hutuar dhe në mëdyshje.

16- “Pikërisht këta janë ata që kanë këmbyer udhëzimin me humbjen, kështu që atyre tregtia nuk u solli kurrfarë dobie dhe as nuk ishin të udhëzuar në rrugën e drejtë.”

Këta hipokritë të cilësuar me këto tipare janë ata që këmbyen mohimin me besimin, por tregtia e tyre nuk pati sukses sepse humbën gjënë kryesore; besimin në Allahun, dhe nuk ishin aspak të udhëzuar në rrugën e drejtë.

Dobitë e ajeteve:

– Atij që Allahu i’a mbyll zemrën si pasojë e kokëfortësisë dhe përgënjeshtrimit (ndaj të vërtetës), nuk kanë për t’i bërë dobi këshillat dhe argumentet sado madhështore të jenë ato.

– Afatizimi që Allahu u bën zullumqarëve përgënjeshtrues nuk është nga pakujdesia apo pamundësia për t’i ndëshkuar, por përkundrazi, kjo ndodh që atyre t’u shtohet e keqja dhe si rrjedhojë ndëshkimin t’a marrin më të madh (në botën tjetër).

Marrë nga libri: “Tefsir el mujeser”.

Autor: Grup dijetarësh.

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...