Mirësia e Medines, edukata e banimit në të dhe vizitës së saj –pjesa e dytë-

 

 

 

 

Mirësia e Medines, edukata e banimit në të dhe vizitës së saj –pjesa e dytë-

Vazhdimi . . .

-Nga mirësitë e saj: E ka cilësuar Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- Medinen si vendbanim që i ha vendbanimet e tjera. Thotë Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-: ”Jam urdhëruar (të emigroj dhe banoj) në një vendbanim që i ha vendbanimet e tjera, i thonë asaj Jethrib kurse në të vërtetë ajo është el Medine“. (Transmeton Buhari dhe Muslim).

Fjala e Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-: “i ha vendbanimet e tjera” është komentuar:

1) Fiton, triumfon mbi vendbanimet e tjera duke mbizotëruar ndaj tyre.

2) Sillen në të të gjitha plaçkat e luftës që fitohen nga xhihadi në rrugë të Allahut dhe transportohen për në Medine.

Të dyja këto gjëra që u përmendën në shpjegimin e kësaj fjale kanë ndodhur dhe janë bërë realitet. Është realizuar mbizotërimi dhe triumfi i këtij qyteti ndaj qyteteve të tjera duke u nisur prej saj udhëzuesit përmirësues si dhe luftëtarët çlirimtarë, të cilët i nxorën njerëzit nga errësirat në dritë me lejen e Zotit të tyre duke u bërë shkak që të hyjnë në fenë e Allahut dhe çdo e mirë që e gëzojnë njerëzit ka dalë nga ky qytet i bekuar, qyteti i Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-. Pra fakti që Medineja i ha qytetet do të thotë triumfi dhe mbizotërimi i saj ndaj qyteteve të tjera siç ndodhi në kohën e parë me elitën e shokëve të Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- dhe me katër halifet e drejtë (Allahu qoftë i kënaqur ndaj tyre), gjithashtu është realizuar arritja e plaçkave të luftës dhe sjellja e tyre në Medine. Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka lajmëruar se do shpenzohen thesaret e Kisrasë dhe Kajsarit për në rrugë të Allahut gjë e cila ka ndodhur, janë sjellë në Medine këto thesare dhe i ka shpërndarë Umeri -Allahu qoftë i kënaqur prej tij-.

-Nga mirësitë e saj është se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka nxitur që të bëhet durim ndaj vështirësive të ndryshme të Medines ku thotë: “Medineja është më e mirë për ta, sikur ta dinin“. E ka thënë këtë fjalë në lidhje me ata të cilët menduan të zhvendoseshin nga Medineja drejt vendeve me furnizim të bollshëm, me gjendje të mirë jetese dhe pasuri të shumta prandaj tha Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-: “Medineja është më e mire për ta, sikur ta dinin. Nuk largohet prej saj dikush duke e nënvleftësuar atë veçse do ta zëvendësojë Allahu në Medine me dikë që është më i mirë se ai. Kush bën durim (qëndron) ndaj ashpërsisë dhe vështirësive të saj do jem ndërmjetësues dhe dëshmues për të Ditën e Gjykimit“. (Transmeton Muslim). Ky hadith pra tregon për vlerën e Medines, për vlerën e sabrit ndaj vështirësive, ashpërsisë dhe jetesës së vështirë në të nqs i ndodh dikujt (sepse nuk është e thënë që të gjithë banorët e saj do i përjetojnë këto gjëra) pra mos të jetë kjo shkak për tu zhvendosur prej saj dhe të kërkojë vende me furnizim të bollshëm, jetesë të mirë e pasuri por të bëjë durim duke shpresuar në shpërblimin dhe mirësinë e madhe të premtuar nga Allahu i Lartësuar.

-Nga mirësitë e saj është se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka sqaruar pozitën e lartë që gëzon ky qytet dhe rrezikshmërinë e të shpikurit në të (ose të praktikuarit e bidatit në të) kur bëri të qartë shenjtërinë e saj duke thënë: “Medineja është harem që nga mali Ir deri tek mali Theur. Kush shpik në të diçka të re ose praktikon në të diçka të shpikur mbi të qoftë mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve, nuk pranon Allahu prej këtij personi as faz e as nafile“.[1] (Transmeton Buhari dhe Muslim).

-Nga mirësitë e saj është duaja që ka bërë Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- për të pasur bereqet, siç thotë -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-: “O Allah na jep bereqet në frytet tona, na jep bereqet në Medinen tonë, na jep bereqet në enët tona, na jep bereqet në grushtin tone (si njësi matëse)“. (Transmeton Muslimi)[2].

-Nga mirësitë e saj është se në të nuk hyn murtaja dhe as dexhali. Thotë Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-: ‘‘Në hyrjet e Medines ka engjëj (mbrojtës), nuk hyn në të murtaja dhe as dexhali“. (Transmeton Buhari dhe Muslim).

Hadithet që flasin për vlerat dhe mirësitë e Medines janë të shumta, këto që përmenda janë vetëm disa të marra nga Dy Sahihet ose njëri prej tyre. Nga librat më të mirë që janë shkruar për mirësitë e Medines është libri i pregatitur nga shejhu doktori Salih bin Hamid Rifai me të cilën mori gradën e doktoraturës në Universitetin Islamik të Medines ( el Xhamiatul Islamijeh) me titull: “Hadithet që janë transmetuar për mirësitë e Medines, përmbledhje dhe studim“, i porosis nxënësit e dijes që të kthehen tek ky libër dhe të përfitojnë prej tij.

Gjithashtu ky qytet përfshin në veten e tij dy xhami madhështore:

1) Xhaminë e Profetit fisnik -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-

2) Xhaminë Kuba.

Për sa i përket xhamisë së Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- janë transmetuar hadithe për mirësinë e saj. Thotë Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-: “Nuk ndërmerret udhëtim përveçse për në tre xhami: Mesxhidul Haram (Qabe), në këtë xhaminë time dhe xhaminë Aksa“. (Transmeton Buhari dhe Muslim). Në këtë qytet pra gjendet njëra nga këto tre xhami të cilat janë ndërtuar nga profetët dhe nuk lejohet udhëtimi për në ndonjë xhami tjetër veç këtyre tre xhamive. Është transmetuar çfarë tregon për vlerën e namazit në xhaminë e Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- dhe se një namaz në të është më i mirë se 1000 namaze diku tjetër, thotë -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-: “Një namaz në këtë xhaminë time është më i mirë se 1000 namaze diku tjetër përveç Mesxhidul Haram (Qabesë)“. (Transmeton Buhari dhe Muslim).

Kjo është mirësi e madhe dhe me përfitime të shumëfishuara, jo me dhjetëra e qindëra por me më shumë se 1000. Siç dihet tregtarët në këtë botë nqs marrin vesh se mallrat e tyre ecin më shumë në një kohë dhe vend të caktuar përgatiten dhe marrin masa për këtë rast edhe sikur të ishte fitimi përgjysmë ose dyfishi, pra si është gjendja kur fitimi në këtë rast i botës tjetër nuk është me 10 fish e as me 100 fish e as me 500 apo 600, por me më shumë se 1000 ?!!!

-Është e nevojshme të tërhiqet vëmendja rreth disa çështjeve që kanë të bëjnë me këtë xhami të bekuar:

1) Shumëfishimi i shpërblimit të namazit me më shumë se 1000 namaze nuk është vetëm për farzin e jo për nafilen e as për nafilen e jo për farzin, por përfshin farzin dhe nafilen sepse fjala e Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-: “Një namaz” është fjalë përgjithësuese, pra farzi shpërblehet me 1000 farze dhe nafilja shpërblehet me 1000 nafile.

2) Ky shumëfishim nuk është vetëm për atë xhami (pjesë toke) që ka qenë në kohën e Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-, bile përkundrazi çdo shtesë që i shtohet xhamisë ka të njëjtin gjykim. Argument për këtë është se dy halifet e drejtë Umeri dhe Uthmani e kanë shtuar xhaminë nga ana e përparme e siç dihet imami dhe safet e para ishin në shtesë, jashtë xhamisë që ka qenë në kohën e Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-, e sikur të mos kishte shtesa të njëjtin gjykim të xhamisë nuk do e kishin shtuar këta dy halife xhaminë nga ana e përparme plus që në atë kohë sahabet ishin me shumicë dhe askush nuk e kundërshtoi këtë veprim. Pra ky është argument i qartë se shumëfishimi nuk përkufizohet vetëm në atë xhami që ka qenë në kohën e Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-.

3) Në këtë xhami ka një pjesë të cilën e ka cilësuar Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- se ajo është kopsht prej kopshteve të xhenetit, siç thotë në fjalën e tij: “Çfarë ka mes shtëpisë time dhe minberit tim është kopsht prej kopshteve te xhenetit (raudah)“. (Transmeton Buhari dhe Muslim).

Pra veçimi i kësaj pjese me këtë cilësi tregon për vlerën dhe dallimin e saj me kryerjen e nafileve në të, me dhikr, me lexim të Kuranit kuptohet nëse nuk lëndohet njeri (nga rrëmuja dhe njerëzit e shumtë).

Ndërsa namazi farz është më mirë të kryhet në safet e para siç thotë Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-: “Safi më i mirë i burrave është safi i parë dhe më i keqi është safi i fundit“.(Transmeton Muslim).

dhe thotë: “Sikur ta dinin njerëzit se çfarë ka në ezan dhe në safin e parë e të mos gjenin mënyrë tjetër që ti arrijnë ato veçse duke hedhur short atëherë do hidhnin short për t’i arritur“. (Transmeton Buhari dhe Muslim).

Vazhdon . . .

Shkroi dijetari dhe muhadithi AbdulMuhsin el-Abad

Përktheu Ebu Duxhanah Shuajb Rexha


[1] Disa dijetare e konsiderojne nga praktikimi i gjerave te shpikura ne Medine jo vetem bidatet por dhe gjynahet

[2] Po ashtu duaja e Profetit salallahu alejhi ue selem:’O Allah na e bëj të dashur Medinen siç e kemi të dashur Meken ose më shumë”.