O njerëz! Kijeni frikë Allahun e Lartësuar, përkujtoni mirësinë e Tij ndaj jush dhe falënderojeni Atë për begatitë dhe mirësitë e Tij.
O bir i Ademit! Nuk do jesh në gjendje t’i numërosh të gjitha mirësitë e Allahut ndaj teje, sepse ato janë të shumta dhe të panumërta. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe nëse përpiqeni t’i numëroni të gjitha mirësitë e Allahut, nuk do t’i numëroni dot.” | Ibrahim: 34.
Nëse e shikon trupin tënd dhe reflekton mbi gjymtyrët dhe përbërjen e tij, do të kuptosh madhështinë e krijimit të Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe në vetet tuaja, a nuk shihni?” | Edh Dharijat: 21.
Nuk ka asnjë kockë, damar apo nerv në trupin tënd që nuk mban gjurmët e krijimit të Allahut të Madhërishëm. Allahu i Lartësuar thotë: “O njeri! Çfarë të mashtroi ndaj Zotit tënd Bujar? Ai që të krijoi dhe të përsosi, dhe të formësoi në çfarëdo formë që dëshiroi?” | El Infitar: 6-8. Allahu thotë: “Thuaj: Ai është që u krijoi dhe u dha dëgjimin, shikimin dhe zemrat, por pak falënderoni.” | El Mulk: 23. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Allahu ju nxori nga barku i nënave tuaja kur nuk dinit asgjë, dhe u dha dëgjimin, shikimin dhe zemrat që të mund të falënderoni.” | En Nahl: 78. Dhe thotë: “A nuk i kemi dhënë atij dy sy, një gjuhë dhe dy buzë? Dhe e kemi udhëzuar në dy rrugët?” | El Beled: 8-10.
Këto janë mirësitë e dukshme dhe begatitë e qarta që Allahu i shfaq në mënyrë që ta falënderoni.
Në një hadith të transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Për çdo nyje të njeriut çdo ditë kur lind dielli duhet dhënë sadaka. Të pajtosh dy njerëz është sadaka, të ndihmosh një njeri të ngjit ose të mbart diçka mbi kafshën e tij është sadaka, një fjalë e mirë është sadaka, çdo hap drejt namazit është sadaka, dhe të largosh diçka të dëmshme nga rruga është sadaka.”
Në trupin e birit të Ademit ka treqind e gjashtëdhjetë nyje kockash, nga të cilat dyqind e gjashtëdhjetë janë të dukshme dhe pjesa tjetër janë të vogla dhe nuk shihen.
Ky hadith tregon se ndërtimi dhe shëndeti i këtyre kockave është një nga mirësitë më të mëdha të Allahut për robin e Tij, dhe çdo kockë dhe nyje ka nevojë për sadaka që të jepet për të çdo ditë si shenjë falënderimi për këtë mirësi.
Por kur kjo kërkon shumë sadaka aq sa mund të mos jetë e mundur për robin t’i përmbush të gjitha, Allahu e ka lehtësuar rrugën e bamirësisë duke hapur dyert e mirësive.
Për çdo tesbih shkruhet sadaka, për çdo tahmid (falënderim) shkruhet sadaka, për çdo tehlil (deklarim të monoteizmit) shkruhet sadaka, të pajtosh dy njerëz është sadaka, të ndihmosh një njeri në ngjitjen e tij ose të mbart diçka është sadaka, një fjalë e mirë është sadaka, çdo hap drejt namazit është sadaka, dhe të largosh diçka të dëmshme nga rruga është sadaka. Ndërsa dy rekate të namazit të Duhasë mjaftojnë për të gjitha këto.
Dy rekatet janë të mjaftueshëm sepse namazi përfshin përdorimin e të gjitha pjesëve të trupit në adhurim, dhe kjo mjafton si falënderim për mirësinë e Allahut për këto pjesë të trupit. Namazi përmban gjithashtu lavdërimin dhe falënderimin ndaj Allahut të Lartësuar.
Punët e përmendura nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në këtë hadith janë nga ato që sjellin dobi për të tjerët, si pajtimi mes njerëzve, ndihma për ata që kanë nevojë, fjalët e mira, largimi i të keqes nga rruga, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja.
Gjithashtu janë edhe ato vepra që kanë dobi për vetë vepruesin, si; tesbihu, tekbiri, tahmidi, tehlili, ecja drejt namazit dhe dy rekatet e namazit të Duhasë.
Por nëse dikush nuk mund të bëjë asnjërën prej këtyre veprave, Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na ka udhëzuar se ai duhet të largohet nga e keqja dhe të qëndrojë larg saj.
Në një hadith tek Sahihu i Buhariut dhe i Muslimit thuhet: “Si mendon nëse nuk bën asnjërën prej këtyre? Ai tha: Atëherë ai duhet të largohet nga e keqja sepse kjo është sadaka.”
Kjo tregon se njeriut i mjafton që të largohet nga e keqja duke mos bërë asnjë nga mëkatet. Ai nuk mund të jetë i tillë vetëm nëse përmbush detyrimet dhe shmang të ndaluarat, sepse lënia e detyrimeve ose kryerja e të ndaluarave është një nga format më të mëdha të së keqes dhe të bërjes mëkat.
Xhemat i nderuar! Prej mirësve të Allahut ndaj robit të Tij është edhe veshja me rrobën e shëndetit. Ebu Derda, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Shëndeti është pasuria e trupit.”
Në disa prej ethereve të hershme thuhet: “Sa shumë mirësi ka në një venë që rri pa lëvizur.” Në Sahihun e Buhariut, Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Në dy mirësi shumica e njerëzve janë të mashtruar me to; shëndeti dhe koha e lirë.”
Për këto mirësi njeriu do të pyetet në ditën e Gjykimit dhe do t’i kërkohet llogari, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Pastaj atë ditë do të pyeteni për të gjitha mirësitë.” | Et Tekathur: 8.
Transmeton Tirmidhiu dhe Ibën Hibani nga hadithi i Ibën Mesudit, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Gjëja e parë për të cilën do të pyetet njeriu në ditën e Gjykimit nga mirësitë është: A nuk të kemi dhënë trup të shëndetshëm dhe të kemi dhënë të pish ujë të ftohtë?”
Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Mirësia është siguria dhe shëndeti.”
Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, rreth fjalës së Allahut të Lartësuar: “Pastaj atë ditë do të pyeteni për të gjitha mirësitë.” | Et Tekathur: 8, ka thënë: “Mirësia është shëndeti i trupit, dëgjimi dhe shikimi. Allahu do t’i pyes njerëzit për çfarë i kanë përdorur ato ndërkohë që Ai e di më mirë se ata.” Dhe kjo është ajo për të cilën Allahu i Lartësuar thotë: “Dëgjimi, shikimi dhe zemra, për të gjitha këto do të ketë llogari.” | El Isra: 36.
Kush dëshiron të njohë mirësinë e Allahut në shëndetin e tij le të shikojë ata që janë të sëmurë, të plagosur, të sëmurë me sëmundje të ndryshme dhe ata që kanë humbur ose kanë të dëmtuar ndonjë pjesë të trupit. Le të shkojë në spitale dhe të shohë sa shumë të sëmurë ankohen dhe sa të plagosur lëngojnë. Le të shohë sa shumë janë ata që kanë humbur dëgjimin dhe shikimin. Dhe sa shumë ka nga ata që dëshirojnë një natë të qetë gjumi ose një pushim nga dhimbjet? Le të shohë për të kuptuar madhështinë e mirësisë së Allahut mbi ta, sepse gjërat njihen më mirë përmes të kundërtave.
“Përkujtojeni mirësinë e Allahut ndaj jush. A ka krijues tjetër përveç Allahut që t’ju furnizojë nga qielli dhe toka? Nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Tij, atëherë si mashtroni?” | Fatir: 3.
Hytbeja e dytë:
Falënderimi i takon Allahut, Madhështisë së Tij dhe bujarisë së gjerë! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, që është Një dhe nuk ka shok, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij! Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi të gjithë shokët e tij!
Kijeni frikë Allahun o robër të Allahut dhe falënderojeni Atë për mirësitë e Tij, sepse Allahu ka premtuar shpërblimin dhe shtimin e mirësive ndaj atyre që falënderojnë, dhe ka paralajmëruar për largimin dhe ndëshkimin për ata që mohojnë.
Dijeni, Allahu ju mëshiroftë, se falënderimi i robit ndaj Zotit të tij mbështetet në tre shtylla të rëndësishme dhe njeriu nuk mund të jetë falënderues nëse nuk i përmbush të treja.
E para: Të pranojë në zemrën e tij se mirësitë i ka prej Allahut, dhe ta pranojë se këto mirësi i vijnë nga Allahu si një favor dhe dhuratë prej Tij.
E dyta: Të flasë hapur për këto mirësi duke e lavdëruar dhe falënderuar Allahun për to, dhe të mos ia atribuojë këto mirësi dikujt tjetër përveç Allahut, siç thuhet në fjalët e Tij: “Ata i njohin mirësitë e Allahut por pastaj i mohojnë ato.” | En Nahl: 83.
E treta: Nga shtyllat e falënderimit për mirësitë është t’i përdorësh këto mirësi për të kënaqur Allahun, dhe t’i përdorësh ato në bindjen ndaj Tij. Nëse dikush përdor një mirësi të Allahut në mëkat ai e ka mohuar mirësinë e Allahut mbi të dhe e ka merituar ndëshkimin e Tij.
Allahu na dhëntë neve dhe juve aftësinë për të falënderuar mirësitë e Tij dhe na ndihmoftë ta përmendim Atë, ta falënderojmë dhe ta adhurojmë me devocion të plotë!
Autor: Abdurrezak el Bedr
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: falenderimi, Mirësia
Të Ngjashme
- Dhjetë mënyra për tu mbrojtur nga shejtani Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Ramazani – testi dhe dhurata e radhës Emin Bilali
- Mësime dhe dobi të përfituara nga surja El Ihlas Udha e Besimtarëve
- Mbështetja tek Allahu Udha e Besimtarëve
- Mësime dhe dobi të përfituara nga surja Ed Duha Udha e Besimtarëve