Moralet e Larta
Në hutben e kaluar kemi folur për pozitën dhe të drejtat e gruas dhe burrit në Islam, dhe se si duhet të jetë sjellja e burrit me gruan dhe e gruas me burrin.
Në këtë hutbe do të flasim për sjelljen dhe moralin në përgjithësi në të gjitha situatat.
Morali, siç thonë dijetarët, është pamja e brendshme e njeriut. Njeriu ka pamjen e jashtme dhe pamjen e brendshme. Pamja e jashtme është fytyra dhe trupi i tij.
Ashtu si pamja e jashtme e cila mund të jetë e bukur ose e shëmtuar, edhe pamja e brendshme mund të jetë e bukur ose e shëmtuar.
Lind pyetja: Morali është i lindur (që të ka krijuar Allahu të tillë) apo fitohet gjatë jetës?
Ka morale që janë të lindura dhe ka morale që janë të fituara.
S’ka dyshim se morali i mirë i lindur është më i mirë se morali i mirë i fituar, sepse kur njeriu e ka një moral e një sjellje të mirë të lindur ai e vepron atë sjellje e moral pa u lodhur, ndryshe nga ai i cili lodhet e lufton me veten për të praktikuar një moral të mirë.
Megjithatë, edhe ai që ka ndryshuar për mirë ka shpërblim madhor në përpjekjet për t’u pajisur me morale të larta.
Ku mësohet morali i mirë? Në Fenë Islame.
A ka ndonjë moral që nuk është në fenë Islame e duhet t’a mësojmë diku tjetër përveç fesë?
Jo. Të gjitha moralet e mira ndodhen në Fenë Islame.
Profeti ﷺ ka thënë:
‘‘Jam dërguar për të përsosur dhe plotësuar moralin e mirë.’’
Pra, morali i mirë ndodhet plotësisht në Fenë Islame.
Prandaj është i domosdoshëm mësimi i fesë në shkolla dhe xhamia e kudo, e nuk duhet lënë asnjë njeri pa mësuar fenë Islame.
Tek shumica e njerëzve morali i mirë është sjellja e mirë me njerëzit dhe morali i keq është sjellja e keqe me njerëzit. Në radhë të parë morali është sjellja e njeriut me Allahun dhe më pas sjellja e njeriut me krijesat e tjera si; njerëz, kafshë etj.
Njeriu duhet të ketë sjellje të mirë, të duhur e korrekte ndaj Allahut. T’a madhërojë Allahun siç e meriton duke e adhuruar Atë të vetëm, dhe duke mohuar meritën e adhurimit nga çdokush tjetër përveç Allahut.
Gjithashtu, duke i’a dhënë hakun Allahut, duke e njësuar në të gjitha veçoritë e Tij si i vetmi Zot, i vetmi Krijues, i vetmi Furnizues, i vetmi i cili ka nën kontroll të gjithë universin, i vetmi i cili meriton të adhurohet etj.
Gjithashtu, duke besuar çdo gjë që na ka treguar Allahu, duke i’u bindur urdhërave të Tij dhe duke u larguar ndalesave të Tij, duke bërë durim dhe duke qenë të kënaqur me caktimin e Tij.
Morali i mirë i njeriut me krijesat është mos cënimi i tjetrit, mos lëndimi i tij, mos bërja padrejtësi ndaj tij, nderimi, respektimi e bujaria ndaj të tjerëve, fytyra e buzëqeshur, mikpritëse dhe dashamirëse.
Cilat janë moralet e larta në jetën e përditshme?
– Hutbja e dytë –
Prej moraleve të larta është falja e atij i cili të bën padrejtësi.
Allahu i lavdëron në Kuran ata që falin.
Allahu i Latësuar thotë: “Ata të cilët japin sadaka kur janë mirë ekonomikisht dhe kur janë ngushtë, dhe që e përmbajnë mllefin dhe nuk e shfryjnë dhe i falin njerëzit.”
Allahu i Latësuar urdhëron: “Falni dhe toleroni!”
“Ata të cilët i falin njerëzit, shpërblimin e tyre të madh do t’a gjejnë tek Allahu.”
“Ktheje të keqen me të mirë dhe do të shohësh se ai që ishte armiku yt kthehet si të ishte shoku yt më i mirë. Këtë moral e arrijnë vetëm ata të cilët kanë durim. Këtyre njerëzve u është dhënë dhunti e madhe prej Allahut.”
Mund të ketë raste kur njeriu nuk merr vesh me të mirë dhe kur e fal ai e shton të keqen. Në këtë rast ai denoncohet dhe i jepet dënimi që meriton. Jo se duam t’i dënojmë njerëzit sepse ne duam t’i falim, por atij që i bën dëm falja e denoncojmë dhe i japim mësim. Ne falim ngaqë duam t’i përmirësojmë njerëzit. Kush nuk e do përmirësimin me falje e edukojmë dhe e përmirësojmë me gjykatë dhe polici.
Prej moraleve të larta është të ua bëjmë hallall të tjerëve e të mos u mbajmë inat me zemër.
Kjo nuk domethënë që të harrojmë atë të keqe e të mos ruhemi në të ardhmen.
E falim, ja bëjmë hallall, nuk mbajmë inat, dhe njëkohësisht i mbajmë sytë hapur dhe mendjen vigjilente.
Prej moraleve të larta është fytyra e buzëqeshur, mikpritëse dhe dashamirëse.
Njeriu duhet të sillet me të tjerët mirë e jo t’u rrijë me turinj. Duhet t’i bëjë tjerët të ndihen mirë në prani të tij e jo në presion e në siklet. Ndër sëmundjet më të rrezikshme të moralit është t’i bësh njerëzit të ndihen në siklet apo nën presion në praninë tënde.
Këto tri aspekte që përmendëm janë tri shtyllat më të rëndësishme të moralit.
Gjithashtu, prej moraleve të larta është të kalosh mirë me njerëzit, dhe prezenca dhe sjellja jote të fut gëzim në zemrat e tyre dhe jo të ndihen ngushtë apo të bezdisur nga prezenca jote.
Pra, të futësh gëzim në zemrat e tyre me gjëra të lejuara e jo me harame.
Një pikë e rëndësishme që vlen të trajtohet është se ka shumë njerëz që kanë morale të larta me njerëzit por kanë morale të ulëta me familjen e tyre.
Në hutbet e mëparshme kemi përmendur hadithin; ‘Nëna është personi që meriton sjelljen më të mirë’.
Gjithashtu kemi marrë hadithin; ‘Më i miri prej jush është ai i cili është më i miri me familjen e tij’.
Dihet grada e lartë dhe obligimi madhor që kemi ndaj kushërinjve dhe komshinjve. Sjelljet më të mira dhe moralet më të larta duhet të jenë me prindërit, familjen, kushërinjtë, komshinjtë, besimtarët.
Prej moraleve të larta është përmbajtja gjatë zemërimit dhe mos shfryrja e mllefit.
Të gjithë kemi të metat dhe mangësitë tona në aspektin e moralit, por si t’a përmirësojmë moralin?
Dijetarët kanë thënë: Morali përmirësohet:
– Duke lexuar Kuranin dhe Hadithet e sakta.
– Duke u shoqëruar me njerëz që njihen për moralin e tyre të lartë.
– Duke medituar për të këqijat që vijnë nga moralet dhe sjelljet e këqija.
Shembullin më të mirë në moral dhe në çdo aspekt kemi Profetin ﷺ.
Allahu i Latësuar thotë: “Me të vërtetë që ti o Muhamed je në gradën më të lartë të moralit.”
Profeti ﷺ është sjellë mirë me të gjithë njerëzit, u jepte selam fëmijëve kur kalonte dhe u fliste i pari pavarësisht se ishte më i madh në moshë dhe në gradë.
Gjithashtu i merrte me të mirë dhe ua hiqte mërzinë.
Kur vëllait të vogët të Ebu Hurejrës i ngordhi kanarina që kishte, i qau hallin dhe i fliste me qëllim që t’i hiqte mërzinë.
Pra duhet të jemi të thjeshtë e t’u flasim mirë njerëzve, t’iu heqim mërzinë me fjalët dhe me veprat tona.
Profeti ﷺ është sjellë mirë, me urtësi dhe pa u ngutur me gabimtarët, dhe e ka përmirësuar gabimin që ndodhi pa shkaktuar ndonjë situatë e ndonjë reagim më të rëndë sesa gabimi që ndodhi.
Një beduin njëherë erdhi dhe urinoi brenda në xhami ndaj njerëzit u ngritën dhe filluan t’a kritikonin. Profeti ﷺ i ndaloi të silleshin ashtu ndaj tij, e la të kryente urinën dhe më pas urdhëroi të hidhet uje e të lahet vendi ku ka urinuar ai. Sikur të mos i kishte ndaluar Profeti ﷺ ai mund të trembej nga reagimi dhe mund të bënte lëvizje që do të ndotnin me urinë edhe pjesë të tjera të xhamisë. Pra, me urtësinë dhe mos ngutjen e tij Profeti ﷺ nuk e ndoti xhaminë më tepër sesa ai vend ku tashmë kishte filluar të ndotej dhe nuk e zemëroi beduinin. Më pas i shpjegoi beduinit me të mirë gabimin që kishte bërë dhe beduini i kënaqur shumë me sjelljen e Profetit ﷺ u drejtua nga kibla dhe bëri dua për Profetin ﷺ.
Nga kjo kuptojmë që nuk duhet të ngutemi por t’a ndryshojmë të keqen me të mirë, me qetësi dhe me urtësi.
Njëherë një njeri shkoi te Profeti ﷺ dhe i tha: Mora fund o i Dërguar i Allahut!
Profeti ﷺ i tha: Si është puna? Ai tha: Kam kryer marrëdhënie me gruan në Ramazan (ditën gjatë agjërimit). Të gjithë e dimë se çfarë gabimi madhor është kjo gjë dhe se sa gjynah i madh është. Megjithatë Profeti ﷺ nuk e qortoi, nuk e turpëroi e as nuk e shau, por i tregoi se çfarë duhet të vepronte t’a shlyente gabimin që kishte bërë.
Nuk duhet t’i qortojmë njerëzit por t’i këshillojmë dhe t’iu ofrojmë zgjidhje. Mos t’ua shtojmë hallin që kanë por t’ua lehtësojmë atë.
Shembujt nga jeta e Profetit ﷺ janë të shumta por ne do të mjaftohemi me kaq.
Allahumme sal-li ala rasulina Muhamed!
Dosje: Durimi, Lëmoshë, Virtyti
Të Ngjashme
- Mirësitë e Allahut kërkojnë falënderim Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Dhjetë mënyra për tu mbrojtur nga shejtani Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Ramazani – testi dhe dhurata e radhës Emin Bilali
- Mësime dhe dobi të përfituara nga surja El Ihlas Udha e Besimtarëve
- Mbështetja tek Allahu Udha e Besimtarëve