Sheikh Abdulaziz ibn Baz – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:
“Besimtari duhet të jetë armik i shejtanit, të luftojë kundër tij dhe të përpiqet ta mposhtë dhe të mos i nënshtrohet atij.
Nëse shejtani të pëshpërit e të thotë se nuk je pastruar (me abdes) apo se nuk je falur, ndërkohë që ti e di mirë se je pastruar dhe je falur — e shikon ujin në duart e tua dhe je i sigurt për namazin — atëherë mos e dëgjo armikun e Allahut.
Ji i bindur se je falur dhe se ke marrë abdes, dhe mos i përsërit më këto veprime.
Kërko strehim tek Allahu nga shejtani i mallkuar.”
“Kështu duhet të jetë besimtari — i fortë në luftën kundër armikut të Allahut dhe i qëndrueshëm në përpjekjen kundër tij, në mënyrë që shejtani të mos ketë fuqi mbi të, e as të mos e dëmtojë.
Sepse, nëse shejtani fiton pushtet mbi njeriun, e bën atë si të marrë, duke luajtur me mendjen e tij.
Prandaj, detyra e çdo besimtari dhe besimtareje është të ruhet nga armiku i Allahut, të kërkojë strehim tek Zoti nga e keqja dhe dredhitë e tij, dhe të jetë i vendosur e i durueshëm në këtë rrugë, në mënyrë që të mos i bindet shejtanit në përsëritjen e namazit, të abdesit, të tekbirit apo ndonjë gjëje tjetër.”
“Po kështu, nëse ai (shejtani) të thotë: ‘Rrobat e tua janë të ndotura’, ose ‘vendi ku je është i papastër’, ose ‘banja ka ndytësi’, ose ‘toka ku ecën është e ndotur’, ose ‘qilimi i namazit është i papastër’ — mos e dëgjo armikun e Allahut!
Ai gënjen. Kërko strehim tek Allahu nga e keqja e tij, dhe vazhdo të falesh në vendin tënd, mbi qilimin tënd dhe në tokën ku e di se është e pastër.
Vetëm nëse e sheh me sytë e tu një papastërti të lagur që ke shkelur, atëherë laji këmbët — me kaq zgjidhet problemi dhe falënderuar qoftë Allahu.”
“Sa për vesveset (pëshpëritjet e sëmura), mos e dëgjo kurrë armikun e Allahut.
Kujto gjithmonë se rregulli themelor është pastërtia — ky është parimi — prandaj mos e dëgjo shejtanin në asgjë përveçse nëse ke bindje të plotë, që e ke parë dhe prekur me sytë e tu.
Vetëm kështu do të mund ta mposhtësh armikun e Allahut.
Lusim Allahun të na dhurojë të gjithëve shpëtim e mirësi.”
📚 Burimi: “Fetāwā Nūr ‘alā ed-Derb”, vëll. 1, faqet 77–78.
Përshtati: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Kisasi, drejtësia hyjnore që ruan jetën nëse kryhet sipas dispozitave fetare Udha e Besimtarëve
- Si bëhet tekbiri fillestar kur imami është në ruku? Udha e Besimtarëve
- Shqiptimi i tekbirit fillestar para imamit Udha e Besimtarëve
- Prej veprave të pëlqyera gjatë eklipsit Udha e Besimtarëve
- Dispozita që lidhen me sexhden e harresës Shejh Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz