Përgatitur nga:
Qendra për studime metodologjike dhe kërkime shkencore “Imam Albani”
Amman, Jordani
Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetëve dhe të veprave tona.
Kë udhëzon Allahu s’ka kush e humb, dhe kë largon nga rruga e vërtetë s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut i Cili është Një, dhe dëshmoj se Muhamedi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) është rob dhe i dërguar i Tij.
Jemi në pritje të mysafirit të nderuar e të çmuar, i cili nuk ka viziton më shpesh se një herë në vit. Na viziton rrallë, por është shumë i dashur (shton dashuri). Mysafir që me dashurinë e tij qetëson zemrat, në të shikuarit e hënës hapen sytë dhe shpirtrat e besimtarëve adhurojnë Zotin e tyre me të.
Këtë mysafir të respektuar e mirësidhënës e mirëpresin besimtarët e vërtetë, për arsye se ata janë që punojnë siç duhet për të, ia rrisin vlerën dhe e mirëpresin me sinqeritet e drejtësi.
Allahu e ka ngritur vlerën e këtij mysafiri në Kuran përmes gjuhës së Muhamedit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!), dhe i ka derdhur gjithë të mirat në të, si në fillim, në mes dhe në fund. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit në të cilin (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). Kush prej jush e përjeton këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju e nuk dëshiron vështirësim. (Agjëroni më vonë ditët e lëna) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për shkak se ju udhëzoi dhe ta falënderoni.” (Bekare, 185).
Ndërsa Muhamedi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) thotë: “Allahu largon çdo natë njerëz nga zjarri…”
S’ka dyshim se tani e kuptove se kush është ky mysafir, ai është muaji i agjërimit (muaji i mirësisë)!
Të shohim cilat janë veçoritë dhe mirësitë e tij, në mënyrë që ta mirëpresim dhe të përfitojmë nga të mirat dhe mëshira që dhuron Allahu në këtë muaj.
Ai është muaji në të cilin Allahu i Lartësuar zbriti Kuranin. Sikur të mos kishte mirësi të tjera pos kësaj ajo do të mjaftonte, por nuk duhet harruar që në të ka mirësi të tjera të shumta, si; falja e mëkateve, ngritja në shkallë të larta për besimtarët (në Xhenet), shumëfishimi i të mirave etj. Është muaj në të cilin hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit, lidhen shejtanët, zbresin dy engjëj dhe i pari prej tyre thërret e thotë: “O ti që e do të mirën, pranoji të mirat!” I dyti thotë: “O ti që e do të mirën, largoju të këqijave!” Në të është nata të cilën kush e humb ka humbur shumë të mira, natë në të cilën Allahu shkruan (cakton) çdo send. Ajo është nata e Kadrit vlera e së cilës është sa një mijë muaj. Me të vërtet duhet të përqendrohemi në udhëzimet e Pejgamberit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) në çdo adhurim, çështje e cila meriton respektin më të madh e veçanërisht në udhëzimet apo veprimet që ka bërë ai në këtë muaj (muajin e agjërimit). Dihet se vepra e njeriut nuk ngrihet (pranohet) tek Allahu pa u plotësuar dy kushte themelore:
- 1. Sinqeriteti në Allahun.
2. Pasimi i Muhamedit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!).
Pra, sinqeriteti në Allahun dhe pasimi i traditës së Pejgamberit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) janë shtyllat kryesore për pranimin e një vepre. Ato janë si fluturimi i zogut; a ka mundësi që ai të fluturojë pa njërin krah?!
Në rreshtat e mëposhtëm i nderuar musliman dhe muslimane, po të paraqes gjendjen e Pejgamberit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) në muajin e agjërimit në pika të shkurtra, në mënyrë që të jemi sa më të qartë në udhëzimin e Muhamedit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!). Kush nuk është në udhëzimin e tij në këtë botë nuk do të jetë me të në botën tjetër. Pra, shpëtimi është në udhëzimin e Pejgamberit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) haptazi dhe fshehtazi, gjë që nuk arrihet ndryshe veçse me dituri të shëndoshë dhe të dobishme. Dihet se dituria e dobishme shoqërohet vetëm nga punët e mira, sepse fryti i saj është vepra e mirë.
Pra, o rob i Allahut, paso gjendjen e Muhamedit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) dhe udhëzimin e tij gjatë muajit të agjërimit që të formohesh në të, të arrish dashurinë ndaj tij dhe të ringjallesh me të.
Muhamedi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka agjëruar vetëm atëherë kur e ka parë hënën të qartë, ose me lajmin e ndonjë njeriu të drejtë apo me plotësimin e 30 ditëve të muajit Shaban.
Të parit e hënës nga një dëshmitar i vetëm ka mjaftuar për Muhamedin (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!), e kjo na i bën shumë të qartë faktin se duhet ta pranojmë lajmin qoftë edhe nga një person i vetëm. Është transmetuar se populli ka agjëruar edhe kur një fshatar ka ardhur të Pejgamberi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) dhe i ka treguar se ka parë hënën e plotë, e me këtë rast Muhamedi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) e urdhëroi Bilalin të thërrasë ezanin për agjërim.
Muhamedi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) e ka ndaluar popullin të agjërojë nga fillimi i muajit të Ramazanit një apo dy ditë përpara, nëse kjo është nuk është e sigurt (nëse është i dyshimtë fillimi i muajit Ramazan).
Ai vendoste (bënte nijetin) për të agjëruar një natë para agimit dhe e ka urdhëruar popullin tij për këtë.
Nuk është ndalur nga të ngrënit dhe të pirit (apo edhe gjërave të tjera të ndaluara gjatë agjërimit) derisa është vërejtur agimi i qartë, duke zbatuar në këtë mënyrë fjalën e Allahut të Madhëruar ku thotë: “Natën e agjërimit ju është lejuar afrimi te gratë tuaja; ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. Allahu e di se ju e keni mashtruar vetveten, andaj ua pranon pendimin dhe ua fal gabimin. Tani e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që u ka caktuar Allahu. Hani e pini derisa të dallohet qartë peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj e plotësoni agjërimin deri në mbrëmje…” (Bekare, 187). I dërguari i Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) na ka qartësuar se agimi është dy llojesh; i vërtetë dhe mashtrues. Në atë që është mashtrues nuk ndalohet as pirja, as ushqimi e as marrëdhëniet bashkëshortore. Madje nuk është bërë legjitime të thirret ezani i imsakut (ndërprerjes, largimit).
Ai (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka shpejtuar iftarin dhe ka vonuar syfyrin, dhe i ka urdhëruar muslimanët me këto fjalë: “Vonojeni syfyrin dhe shpejtojeni iftarin…”
Pritja mes syfyrit dhe namazit të sabahut ka qenë përafërsisht sa leximi i 50 ajeteve, e nga etika e tij është se ka lexuar Kuran me vëmendje. Muaji i agjërimit është edhe muaj i Kuranit.
Për sa i përket moralit të tij mund të flasim për të mira e zbukurime, dhe ta lavdërosh pa pushim; ai ka qenë njeriu më i moralshëm. E si të mos jetë kur morali i tij ishte Kurani?! Muhamedi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) i ka urdhëruar muslimanët të pajisen me moral të lart e veçanërisht agjëruesit, duke thënë: “Kush nuk largohet nga fjalët e kota (shpifjet, gënjeshtrat, thashethemet), Allahu nuk ka nevojë për ndalimin e tij nga të ngrënit dhe pirja!”
Ai është sjellë me vepra dhe edukatë të mirë ndaj familjes dhe farefisit, e më shumë se herët e tjera në këtë muaj.
Agjërimi nuk e ka ndaluar të përqafojë familjen e tij (pa pasur marrëdhënie seksuale) dhe ka qenë i durueshëm ndaj epsheve, gjë që urrehet për rininë (përqafimi).
Këtë muaj nuk e ka lënë anash përdorimin e misvakut (lloj druri që përdoret për pastrimin e dhëmbëve), e as muajt e tjerë, si në mëngjes ashtu dhe në mbrëmje, dhe kjo (përdorimi i misvakut) ka qenë një adhurim ndaj Zotit të tij.
Muhamedi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) e ka bërë hixhamin në Ramazan.
Ka luftuar edhe në këtë muaj, madje i ka urdhëruar shokët e tij (që në gjendje lufte) ta prishin agjërimin në mënyrë që të forcohen në fushëbetejë dhe të mos mposhten kur të ballafaqohen me armikun. Muaji i agjërimit – muaj i luftës në rrugë të Allahut dhe rënies dëshmor. Nga mëshira e Tij për njerëzit Allahu bëri lehtësime për udhëtarin, të sëmurin, plakun apo plakën e moshuar, gruan shtatzënë apo gjidhënëse, e ndër këta agjërimin e kompenson udhëtari, plaku i moshuar, shtatzëna dhe ajo që është duke ushqyer fëmijën e saj.
Ka bërë shumë adhurim, ngrihej (natën) për namaz gjatë këtij muaji më shumë se gjatë muajve të tjerë, e posaçërisht në dhjetë netët e fundit duke kërkuar natën e Kadrit.
Muhamedi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka bërë Itikaf gjatë këtij muaji, e posaçërisht në dhjetë ditët e fundit. Vitin që ka vdekur ka bërë Itikaf 20 ditët e fundit duke qenë agjërueshëm.
Për sa i përket leximit të Kuranit, askush nuk ka mundur të lexojë Kuran më tepër se ai. Ka ardhur Xhibrili dhe ia ka përsëritur Kuranin në këtë muaj, për arsye se ai është njëkohësisht edhe muaj i Kuranit.
Dhënia (e lëmoshës) dhe mikpritja e tij (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) gjatë këtij muaji nuk mund të përshkruhet. Muhamedi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka qenë i shpejtë si era në kryerjen e veprave të mira, dukë mos u frikësuar kurrë (nga varfëria).
Ka qenë luftëtari më i merituar dhe nuk e ka penguar agjërimi që të marrë pjesë në luftëra. Gjatë 9 viteve ka marrë pjesë në 6 luftëra dhe të gjitha në muajin Ramazan. Është ngritur për punë të mira, ka rrënuar xhaminë “Ed-Dirar” , ka shkatërruar idhujt më të njohur, ka zbatuar premtimet, është martuar me Hafsën nënën e besimtarëve, dhe në këtë muaj ka çliruar Meken.
MBYLLJE:
Muaji i agjërimit ka qenë muaj i xhihadit dhe sakrificës në jetën e të Dërguarit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!), e jo siç mendojnë (punojnë) shumica e muslimanëve të kohës sonë se ky duhet bërë muaj pushimi!!!
Obligimet e besimtarit gjatë muajit të agjërimit!
Besimtari në muajin e Ramazanit ka obligime (detyra fetare) të cilat na i ka treguar i dërguari i Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) përmes thënieve të tij të shumta, apo është shprehur praktikisht përmes jetës së tij e cila është treg – panair dhe simpozium i shpërndarjes së të mirave, për arsye se të mirat e Allahut janë të shumta madje të tepërta te çdokush. Këtë e ka përmendur edhe Hafidh ibn Haxheri në “Fet’hul Bari” (1/31). Këto obligime rregullojnë shumë dispozita legjislative të shpërndara gjatë tërë muajit, të ndërtuara si pasojë e së mirës dhe veprave të sinqeritetit.
E para: AGJËRIMI.
Mirësia e tij është madhështore, duke marrë për bazë hadithin kudsij të të dërguarit të Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!), ku thotë: “çdo vepër e birit të Ademit (e çdo njeriu) është e tij, përveç agjërimit. Ai është i Imi dhe Unë shpërblej për të. Pasha Atë në dorën e të Cilit është jeta ime (Allahun), era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë se era e miskut (parfumit).”
Këtë hadith e qartëson edhe transmetimi tjetër, në të cilin thuhet: “ Për çdo vepër (të mirë) që bën biri i Ademit, shpërblimi për të i shumëfishohet nga 10 deri në 700 herë, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë (Allahu) e shpërblej.”
Bazuar në këtë shumëfishim të përgjithshëm, veçojmë edhe mirësitë e veçanta të cilat kanë ardhur vetëm për këtë muaj. Nga fjala e Muhamedit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!): “Kush e agjëron muajin Ramazan me bindje dhe përkushtim, do t’i falen mëkatet e kaluara”, si dhe fjalët: “Agjërimi i muajit të durimit (Ramazanit) dhe tri ditëve në çdo muaj, është sikur të agjërosh gjithë vitin”.
Ibn Abdul-Berr sqaron dhe thotë: “Agjërim në gjuhën arabe, do të thotë durim.” Ebu Bekr ibn el Anbari thotë: “Agjërimi quhet durim, ngase agjërimi të ndalon (burgos) nga ushqimi, pirja, marrëdhëniet dhe epshet…”
E dyta: NGRITJA PËR NAMAZ .
Teravitë të cilat janë sunet falen me xhemat (në bashkësi) gjatë çdo nate të muajit Ramazan, duke u bazuar në thënien e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ku thotë: “Kush falet me imam, i llogaritet sikur të jetë falur gjithë natën”, ndërsa për rëndësinë e përkushtimit thotë: “Kush falet me bindje dhe përpikëri, i falen mëkatet e tij të mëparshme”.
Mendimi më i saktë për numrin e rekateve që duhet të falen në këtë muaj, por edhe gjatë muajve të tjerë, është transmetuar në veprat e të dërguarit të Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) se ai ka falur 11 rekate. Dihet se ai (i dërguari) (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) është shembulli më i mirë dhe i vetmi që meriton të pasohet.
E treta: LËMOSHA.
Muhamedi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka qenë gjithmonë dorëdhënës, e sidomos gjatë muajit Ramazan. Kjo lëmoshë përfshin të gjitha dhëniet dhe punët e mira, e që nënkupton; kopshti i dhënies, shumimit të të mirave dhe prodhimeve të këndshme.
E katërta: GOSTIA E AGJËRUESIT.
I dërguari i Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) i ka dhënë shumë rëndësi të ushqyerit, duke premtuar shpërblime të mëdha. Një ndër thëniet e tij në këtë temë është: “Kush ushqen një agjërues e ka shpërblimin si të atij (agjëruesit), duke mos i pakësuar aspak nga shpërblimi i tij (agjëruesit).”
E pesta: LEXIMI I KURANIT.
Muaji i Ramazanit është muaji i Kuranit, ashtu siç thotë Allahu në Kuran: Muaji i Ramazanit në të cilin (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra)…” (Bekare, 185). Ndërsa nga tradita e të dërguarit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) si vërtetim për këtë, është se Xhibrili ia ka përsëritur atij Kuranin çdo natë të këtij muaji.
E gjashta: UMREJA.
Vizita e Qabesë në një kohë jashtë kohës së Haxhit. Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar se Pejgamberi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka thënë: “Umreja në muajin e Ramazanit është e barazvlefshme me një Haxh me mua.” Këtu nuk harrojmë një vërejtje të vogël, e ajo është se Umreja në 10 ditët e fundit të muajit të agjërimit nuk ka vlerë më të madhe sesa ditët e para. Kujdes!
Allahu ju mëshiroftë, shikojini këto mirësi madhështore dhe mirëdhënëse.
E shtata: KËRKIMI I NATËS SË KADRIT.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ç’të shtyri të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre (në atë natë) zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.” (Kadr, 1-5) Gjithashtu, transmetohet në dy sahihat se Pejgamberi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka thënë: “Kush ngrihet (për namaz) në natën e Kadrit me besim dhe përpikëri, do t’i falen mëkatet e kaluara. Ajo është në një nga netët tek të dhjetë netëve të fundit të muajit të agjërimit”. Transmetohet nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ajo i ka thënë të Dërguarit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!): “çfarë të them nëse e gjej natën e Kadrit? Ai i është përgjigjur: “Thuaj: O Allah, me të vërtet Ti je Falës dhe e do faljen. Më fal mua…” Nga veprat që duhet të ruhemi në përgjithësi e veçanërisht në muajin e Ramazanit, janë disa vepra të cilat mbështeten në hadithe të dobëta dhe të trilluara, e kjo padyshim hyn në trillimet ndaj Pejgamberit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!). Ajo që është bërë e njohur në ditët e sotme janë fitnet dhe problemet që na rrethojnë, madje dhe disa njerëz që i mveshin thënie të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!). Ndër këto trillime dhe shpifje është edhe ajo që thonë disa, sikur Pejgamberi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka thënë: “Do të kumbojë një zë në muajin e agjërimit. I kanë thënë (të pranishmit): Kur do të ndodhë kjo; në fillim, në mes apo në fund? Ka thënë: Jo, do të kumbojë në mes të muajit të agjërimit. Nëse është e xhuma nata e mesme e muajit të agjërimit, do të thërrasë një zë nga qielli, do të bërtasë … pastaj pason një zë tjetër … zë në muajin e agjërimit …” dhe se fiset dallohen (kush është më i mirë) në Dhilkade etj. Ka dhe shumë transmetime të tjera të trilluara porsi ky hadith, siç thotë Ibn el Xheuzi në “El Meuduat” (3/191) dhe El Xheunakani në “El Ebatil” (2/82).
Ekzistojnë edhe disa bidate që kanë lidhje me agjërimin dhe faljen në këtë muaj, të cilat janë vepra të panjohura te shumica e njerëzve. Po i paraqesim në mënyrë që njerëzit të ruhen nga ato:
- – Shpejtimi i syfyrit dhe vonimi i iftarit.
- – Ndërprerja e ushqimit dhe pirjes në kohën e ezanit të parë, të cilin e kanë quajtur si “Ezani i imsakut” .
- – Shpejtimi i kohës së ezanit të vërtetë.
- – Shprehja e nijetit (qëllimit) në syfyr.
- – Vonimi i iftarit me pretendimin se nuk ka hyrë koha.
- – Lënia e përdorimit të misvakut para namazit të drekës.
- – Falja shpejt e namazit të terapive. Disa imamë i falin teravitë nga 23 rekate në më pak se 20 minuta!
- – Leximi i pakët (i Kuranit) dhe shkurtimi i sureve. Disa imamë lexojnë në të gjitha rekatet suren “Fexhr” dhe “Ala”, apo një pjesë të sures “Err Rrahman”!
- – Pushimi në mes të dy rekateve me qëllim të leximit të sures “El Ihlas” dhe Meuidhatejn (Felek dhe Nas), e më pas të dërgimit të salavateve mbi Muhamedin (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!).
- – Thënia pas çdo dy rekateve: “Ebu Bekr es Sidik, jini të kënaqur prej tij …” duke vazhduar me imamët (Omerin, Othmanin, Aliun), e më pas të thonë gjithë xhemati me një zë melodik: “Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!”
- – Veçimi i namazit të tesbihut në këtë muaj dhe veprimi i organizuar me xhemat, apo veçimi i këtij namazi në natën e Kadrit.
- Nga namazet e trilluara në këtë muaj janë:
- – Namazi në natën e Kadrit i quajtur si “Namaz i Kadrit”.
– Namazi i xhumasë së fundit e cila është e xhumaja e fundit në muajin e agjërimit, ku të gjithë banorët e rrethinës falen në një xhami. - – Falja e 5 namazeve të obliguara pas namazit të xhumasë së fundit, duke menduar se me këtë u falen mëkatet dhe u kompensohen namazet e lëna.
Të gjitha këto bidate janë të përhapura në të gjitha vendet islame, e sikur t’i përmendim të gjitha këto vende do t’i humbte vlera qëllimit që patëm me këtë fletushkë. Këto i përmendëm si përkujtim dhe për t’u ruajtur prej tyre.
Vëlla musliman dhe motër muslimane, kjo ishte një përmbledhje nga thëniet dhe udhëzimet e të dërguarit të Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) për këtë muaj. Aty përfshihen gjërat me të cilat duhet të pajiset muslimani, si duhet të jetë morali dhe sjellja e tij e mirë, si dhe gjërat nga të cilat duhet të ruhemi; bidatet dhe kundërshtimet e shumta. Gjëja të cilën duhet të ruajë muslimani gjatë muajit të durimit dhe të punojë me të, është gjuha; ruajtja e saj, durimi gjatë fatkeqësive, ruajtja e të fshehtave, praktimi i gjërave të padyshimta në Sheriat, dhe pasimi i traditës së Muhamedit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!).
Lutja jonë e fundit është: Falënderimi takon Allahut, Zotit të botëve!
Përshtati në shqip
Qendra Udha e Besimtarëve – Shqipëri
Të Ngjashme
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve