Gjykimi i ngjyrosjes së flokëve me të zezë.
Bismilah, me emrin e Allahut fillojmë dhe paqe e përshëndetje çojmë mbi të dërguarin e Allahut profetin Muhamed -alejhi selam-!
Çështja e ngjyrosjes së flokëve apo edhe mjekrrës me të zezë është një çështje për të cilën janë përplasur mendimet e dijetarëve të islamit si në kohën e shkuar ashtu edhe në kohën e sotme prandaj dhe nevojitet një studim i hollësishëm për këtë çështje për të parë se kush peshon më rëndë në peshoren e drejtë të ndërtuar mbi bazat dhe rregullat e ndjekura nga dijetarët për raste të tilla. Studimi i çështjes në këtë mënyrë ishte një punë e vështirë dhe mua më ka marrë gati një muaj kohë për ta përmbledhur në këtë mënyrë siç do ta shihni më poshtë e megjithatë punët që kanë lidhje me fenë e Allahut e meritojnë një gjë të tillë. Gjithashtu nuk po lë pa përmendur edhe një arsye tjetër që më ka nxitur të bëj një studim të veçantë për këtë çështje dhe ajo është se disa artikuj të shkruar nëpër rrjetet sociale të cilat nuk i kanë dhënë çështjes hakun e saj dhe për pasojë kanë arritur në përfundime që nuk të bëjnë të ndihesh i qetë ndaj tyre.
Hyrja në çështje.
Një ngjarje ka ndodhur në kohën e profetit -alejhi selam- dhe është bërë shkak që profeti -alejhi selam- të përmendte ngjyrosjen e thinjave.
Në ditën e çlirimit të Mekës profetit -alejhi selam- i sjellin Ebu Kuhafen babanë e Ebu Bekrit -radiallahu anhu- me flokë e mjekër të thinjura si lule e bardhë. Profeti -alejhi selam- kur e ka parë atë në atë gjendje ka urdhëruar ti ngjyrosen thinjat dhe gjithashtu mendohet të ketë porositur për tu larguar nga ngjyra e zezë.
Muslimi autori i librit të saktë që njihet me emrin [Sahih Muslim] është prej atyre që e ka përmendur këtë ngjarje në dy hadithe dhe ja hadithet e tij:
Hadithi i parë i Muslimit
Nga Ebu Khajtheme (ose ndryshe Zuhejr bin Muavije), nga Ebu Ez-Zubejr, nga Xhabir bin Abdilah -radiallahu anhu-: “E kanë sjellë Ebu Kuhafen apo ka ardhur vetë në vitin e çlirimit apo ditën e çlirimit dhe qimet e tij të kokës e të mjekrës si lule të bardha. Atëherë profeti -alejhi selam- urdhëroi gratë e tij dhe u tha: ndryshojeni këtë me ndonjë gjë”.
Në këtë hadith siç shihet nuk përmendet në porosinë e profetit -alejhi selam- largimi nga ngjyra e zezë. Shkaku i mos përmendjes së kësaj porosie në këtë hadith është sqaruar në librat e tjerë të haditheve ku thuhet se vetë Zuhejri e ka pyetur Ebu Ez-Zubejrin për fjalinë [dhe largojuni të zezës]: a e ke dëgjuar nga Xhabiri? Ai i ka thënë: Jo. E transmeton Imam Ahmedi e të tjerë.
Hadithi i dytë i Muslimit.
Nga Ibn Xhurejxh, nga Ebu Ez-Zubejr, nga Xhabir bin Abdilah -radiallahu anhu-: “E kanë sjellë Ebu Kuhafen apo ka ardhur vetë në ditën e çlirimit të Mekës dhe qimet e tij të kokës e të mjekrës si lule të bardha. Atëherë profeti -alejhi selam- tha: ndryshojeni këtë me ndonjë gjë dhe largojuni të zezës”.
Në këtë hadith shihet qartë se përmendet dhe fjalia [dhe largojuni të zezës]
Tani lind pyetja: Pse Muslimi e përmend këtë hadith që përmban këtë fjali [dhe largojuni të zezës] ndërkohë që kjo fjali është e dyshimtë sepse Ebu Ez-Zubejri sheikhu i të dy transmetuesve të tij Zuhejrit dhe Ibn Xhurejxhit e ka mohuar në hadithin e Zuhejrit?
Përgjigja: Muslimi -Allahu e mëshiroftë- prej fjalëve të tij në lidhje me librin e tij të saktë është: “Nuk kam vënë gjë në këtë libër veçse me argument dhe nuk kam lënë gjë veçse me argument”.
Pra, ai mendon se kjo shtesë është prej hadithit dhe ne duke parë në librat e haditheve gjejmë se Ibn Xhurejxhi nuk është i vetmi që e ka transmetuar këtë fjali nga Ebu Ez-Zubejri por janë edhe katër transmetues të tjerë veç tij dhe ata janë si më poshtë:
1- Lejth bin Ebij Sulejm i cili thotë: nga Ebu Ez-Zbejr, nga Xhabir bin Abdilah -radiallahu anhu-: “E kanë sjellë në ditën e çlirimit të Mekës dhe koka e tij si lule e bardhë. Atëherë profeti -alejhi selam- tha: çojeni te gratë e tij që ta ndryshojnë atë me ndonjë gjë dhe mos ja bëni me të zezë” e transmeton Imam Ahmedi e të tjerë.
Lejth bin Ebij Sulejmi është transmetues i njohur për gabime në hadithe mirëpo hadithi i tij vlen për të mbështetur hadithe të tjera siç thotë Muslimi -Allahu e mëshiroftë- në parathënien e librit të tij të saktë madje Lejthin e ka përmendur me emër duke e marrë atë për shembull, pastaj ka përmendur një hadith të tij në Sahihun e tij të shoqëruar me dikë tjetër në kapitullin me temë: Ndalimi i enëve të floririt dhe sermit.
2- El-Exhleh bin Abdilah El-Kindij i cili thotë: nga Ebu Ez-Zubejr, nga Xhabir bin Abdilah -radiallahu anhu-: “Kur profeti -alejhi selam- mbërriti në Meke i sollën Ebu Kuhafen dhe koka e mjekra e tij si lule të bardha. Atëherë profeti -alejhi selam- tha: ndryshojeni thinjat dhe largojuni të zezës” e transmeton Ebu Ja’la.
El-Exhleh bin Abdilah El-Kindij është transmetues i dobët mirëpo hadithi i tij vlen për të mbështetur hadithe të tjera siç thamë në lidhje me Lejthin. Në zinxhirin e këtij hadithi gjendet edhe një transmetues tjetër i dobët që përcjell këtë hadith nga El-Exhlehu: Sherik bin Abdilah En-Nekhaij por që është prej transmetuesve të Muslimit dhe Muslimi e shoqëron me të tjerë.
3- Ejub Es-Sekhtijanij i cili thotë: nga Ebu Ez-Zubejr, nga Xhabir bin Abdilah -radiallahu anhu-: “E kanë sjellë Ebu Kuhafen te profeti -alejhi selam- në vitin e çlirimit të Mekës dhe koka e mjekra e tij si lule e bardhë. Atëherë profeti -alejhi selam- tha: çojeni atë te gratë e familjes së tij që ta ndryshojnë atë dhe mos tja bëjnë me të zezë” e transmeton Ebu Auane.
Ejub Es-Sekhtijanij është prej transmetuesve më të fortë që bashkojnë mes besnikërisë dhe memorizimit dhe është prej transmetuesve të Buhariut dhe Muslimit.
4- Matar El-Uerrak i cili thotë: nga Ebu Ez-Zubejr, nga Xhabir bin Abdilah -radiallahu anhu-: “E kanë sjellë Ebu Kuhafen te profeti -alejhi selam- në vitin e çlirimit të Mekës dhe koka e mjekra e tij si lule e bardhë si ky pambuk. Atëherë profeti -alejhi selam- tha: çojeni te disa gra të familjes së tij që ta ndryshojnë atë dhe mos tja bëjnë me të zezë” e transmetn Et-Taberani.
Matar El-Uerrak është transmetues me gabime në hadith por prej transmetuesve të Muslimit të cilët Muslimi i shoqëron me të tjerë. Në hadith transmetuesi prej Matarit është Daud Ez-Zibrikan që shumë dijetar e kanë lënë hadithin e tij ndërsa Ibn Hibbani thotë se hadithi i tij shkruhet për krahasime.
Pra, këta transmetues bashkë me Ibn Xhurejxhin bëhen pesë vetë dhe që të gjithë thonë se Ebu Ez-Zubejri e ka përmendur këtë gjë nga Xhabiri -radiallahu anhu-.
Transmetues të tjerë veç Ebu Ez-Zubejrit që e përmendin fjalinë [largohuni nga e zeza] si fjalë të Xhabirit radiallahu anhu e dëgjuar nga profeti -alejhi selam-.
Përderisa transmetuesit nga Ebu Ez-Zubejri kanë rënë në kundërshtim në lidhje me të, nëse e ka dëgjuar fjalinë [dhe largojuni të zezës] nga Xhabiri radiallahu anhu apo jo atëherë gjetja e një transmetuesi tjetër veç Ebu Ez-Zubejrit nga Xhabiri është me shumë rëndësi. Ky transmetues ekziston faktikisht dhe ai quhet: Ebu Sufjan Talha bin Nafi El-Uasitij i cili është prej transmetuesve të Buhariut dhe Muslimit.
Transmeton Ibn Xhemij, Muhamed bin Mekhled dhe El-Khatib El-Bagdadij me zinxhirin e tyre të transmetimit nga Ebu Sufjani, nga Xhabiri: “E kanë sjellë Ebu Kuhafen te profeti -alejhi selam- në vitin e çlirimit të Mekës dhe koka e mjekra e tij si lule e bardhë. Atëherë profeti -alejhi selam- tha: ndryshojani thinjat atij dhe largojuni të zezës”.
Sahabi të tjerë që e përmendin ngjarjen dhe bashkë me fjalinë [largohuni nga e zeza].
Janë edhe dy sahabi të tjerë veç Xhabirit që e kanë transmetuar ngjarjen por që hadithet e tyre janë jashtë dy librave të saktë megjithatë kjo gjë nuk i bën me doemos të dobëta këto hadithe sepse ymeti ka rënë dakord se Buhariu dhe Muslimi nuk i kanë përfshirë të gjitha hadithet e sakta të profetit -alejhi selam-.
Sahabiu i parë: Enes bin Malik radiallahu anhu.
Muhamed bin Sirin thotë se është pyetur Enes bin Malik për ngjyrosjen e profetit -alejhi selam- dhe ka thënë: “Profeti -alejhi selam- nuk ka qenë thinjur veçse pak por Ebu Bekri dhe Omeri pas tij janë ngjyrosur me Këna dhe Ketem (një përzierje bimësh që jep ngjyrë të kaftë). Enesi pastaj tha: Ebu Bekri solli te profeti -alejhi selam- ditën e çlirimit të Mekës babain e tij Ebu Kuhafën duke e mbajtur derisa e vuri para profetit -alejhi selam- dhe profeti -alejhi selam- i tha: sikur ta kishe lenë të qetë plakun në shtëpinë e tij do të kisha ardhur vetë si nderim për ty! Ai (Ebu Kuhafja) pranoi islamin dhe mjekra e koka e tij si lule e bardhë atëherë profeti -alejhi selam- tha: ndryshojani atij ato të dyja (qimet e mjekrës dhe të kokës) dhe largojuni nga e zeza” e transmeton imam Ahmedi dhe të tjerë me zinxhirë të saktë.
Sahabiu i dytë: Esma bint Ebu Bekr radiallahu anhuma.
Esma bint Ebu Bekr thotë: “Kur ishte dita e çlirimit të Mekës i sollën profetit -alejhi selam- Ebu Kuhafën dhe koka e mjekra e tij ishin si lule e bardhë. Atëherë profeti -alejhi selam- tha: ndryshojeni atë dhe largojuni të zezës” e transmeton Tahauij me zinxhir të saktë.
Ngjarja me Ebu Kuhafen me këtë tekst (dmth: që përmban fjalinë [dhe largojuni nga e zeza]) është transmetuar edhe nga tre sahabij të tjerë si: Abdullah bin Amr bin El-As, Ibn Abas dhe Ebu Hurejra radiallahu anhum por jo me zinxhire të saktë prandaj dhe nuk po i përmend transmetimet e tyre këtu.
Përmbledhje: Pas këtij pasqyrimi mund të themi se fjalia [dhe largojuni të zezës] bazuar në rregullat e përdorura në saktësimin e haditheve saktësohet si fjalë e profetit -alejhi selam- dhe ky është mendimi i tre dijetarëve të hadithit të kohës tonë: sheikh Albani në librin “Tamam El-Minneh”, sheikh Mukbil El-Uadiij në librin “Tahrim El-Khidab Bis-Seuad” dhe sheikh Shuajb El-Ernaut në saktësimin e tij në “Musned Ahmed” –Allahu i mëshiroftë të gjithë-.
Sheikh Mukbili -Allahu e mëshiroftë- thoshte: Ndoshta Ebu Ez-Zubejri e ka harruar atë fjali dhe e kanë ruajtur atë të tjerët sepse sa transmetues e kanë harruar atë që kanë transmetuar dhe kjo nuk e ka kthyer mbrapsht transmetimin e tyre -siç thotë Ibn Haxher El-Askalanij- dhe për këtë dëshmojnë edhe hadithe të tjera në lidhje me çështjen.
Hadithe të tjera që kanë lidhje me çështjen.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- ka transmetuar nga profeti -alejhi selam- një hadith që ka lidhje me ngjyrosjen me të zezë por për tjetër ngjarje dhe thotë se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Në kohën e fundit do të jenë ca njerëz që ngjyrosen me të zezë si gushat e pëllumbave nuk kanë për ta ndjerë erën e xhenetit” e transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Nesai dhe të tjerë me zinxhir të saktë.
Ky është hadithi më i saktë ndër hadithet e tjera që kanë lidhje me këtë çështje por në lidhje me të ka edhe disa hadithe të tjera të cilat kanë probleme në zinxhirët e tyre të transmetimit dhe ato janë si më poshtë:
1- Enes bin Maliku radiallahu anhu tregon: “Ishim një ditë te profeti -alejhi selam- kur erdhën disa hebrenj dhe profeti -alejhi selam- i pa ata me mjekra të bardha dhe u tha: pse nuk i ndryshoni thinjat? Dikush i tha: ata nuk e pëlqejnë këtë gjë. Atëherë profeti -alejhi selam- tha: ndërsa ju ndryshoni ato dhe largojuni të zezës” e transmeton Taberani dhe në zinxhirin e tij është një transmetues i dobët që quhet Ibn Lehiah.
2- Abdullah bin Amr bin El-As tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kush ngjyroset me të zezë nuk e sheh Allahu ditën e kiametit” e transmeton Taberani dhe në zinxhirin e tij ka një transmetues të dobët El-Muthenna bin Es-Sabbah.
3- Amr bin El-As dhe Ibn Abas radiallahu anhuma tregojnë: “Profeti alejhi selam ka ndaluar nga ngjyrosja me të zezë”. Hadithin e Amrit e transmeton Ibn Sadi në librin Et-Tabekat me zinxhir të shkëputur kurse hadithin e Ibn Abasit e transmeton Bezzari dhe në zinxhirin e tij ka një transmetues shumë të dobët (metruk) Jusuf bin Khalid Es-Semtij.
4- Ebu Darda radiallahu anhu tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kush ngjyroset me të zezë ia nxinë Allahu fytyrën ditën e kiametit” e ka përmendur Ibn Ebij Hatim dhe në zinxhirin e tij ka dy transmetues të dobët: Zuhejr bin Muhamed Et-Temimij dhe El-Ued’ijn bin Ata.
5- Ibn Umeri radiallahu anhu tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “E verdha është ngjyrosja e besimtarit, e kuqërremta është ngjyrosja e myslimanit kurse e zeza është ngjyrosja e qafirit” e transmeton Taberani, Hakimi dhe në zinxhirin e tij është një transmetues i panjohur që quhet Ebu Abdullah El-Kurashij.
6- Ebu Hurejra radiallahu anhu tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Ndryshoni thinjat dhe mos u përngjasoni hebrenjve dhe largojuni nga e zeza” e transmeton Ibn Adij dhe në zinxhirin e tij është Abdulaziz bin Ebij Rauuad i cili gabon në hadithe.
Shënim: Dikush mund të thotë: nëse këto hadithe janë të dobëta atëherë pse i përmend?
Përgjigja: hadithi i dobët përmendet për mbështetje të haditheve të sakta kur hadithi i dobët vjen në të njëjtin kuptim me të saktin dhe për këtë kam ndjekur sheikh Albanin Allahu e mëshiroftë i cili kur përmend këtë çështje në librin e tij “Tamam El-Minneh” përmend për mbështetje tre hadithe nga ato që përmenda më lart: hadithin e Ebu Dardasë, hadithin e Enesit dhe hadithin e Abdullah bin Umr radiallahu anhum.
Sheikh Albani në përfundim të fjalës së tij pas përmendjes së haditheve thotë: “Këto hadithe kushdo që i sheh nuk heziton ta ndajë fjalën për ndalimin e ngjyrosjes me të zezë për çdo njeri dhe ky është mendimi i disa prej dijetarëve siç e përmendëm më lart nga Ibn El-Kajimi se ka thënë: Ky është padyshim mendimi i saktë”.
Disa hadithe mursele.
Hadithet mursele janë hadithet e tabiinëve kur thonë: ka thënë i dërguari i Allahut. Këto hadithe janë të dobëta sepse tabiinët nuk kanë dëgjuar drejtpërdrejt nga i dërguari i Allahut por janë hadithe me vlerë sepse mund të jenë dëgjuar ose nga sahabët ose nga tabiinë të tjerë më të hershëm dhe vlera e tyre është mbështetja e haditheve të sakta.
1- Ez-Zuhrij prej tabiinëve të Medines dhe të Shamit thotë: “Ebu Bekri -radiallahu anhu- i solli profetit -alejhi selam- babanë e tij në ditën e çlirimit të Mekës dhe ishte me kokë dhe mjekër të bardhë si lule e bardhë. Atëherë profeti -alejhi selam- thotë: Sikur ta lije plakun që të shkonim ne tek ai! Pastaj tha: ngjyroseni atë dhe largohuni nga e zeza” e transmeton Muhamed El-Harith siç e ka përmendur imam El-Buseiri në librin It’haf El-mehera me zinxhir të saktë.
E veçanta e këtij murseli është se bën fjalë për ngjarjen me Ebu Kuhafen radiallahu anhu dhe prandaj e përmendëm të parin mirëpo nga ana tjetër hadithet mursele të Zuhriut në përgjithësi janë të dobëta.
2- Ferkad Es-Sebakhij prej tabiinëve të vegjël të Basras: “Një burrë e ka pyetur atë për ngjyrosjen me të zezë dhe ka thënë: kemi dëgjuar se atij i merr koka dhe mjekra zjarr ditën e kiametit” e transmeton Mamer bin Rashid në librin El-Xhami’ me zinxhir të saktë mirëpo Ferkadi vetë bën gabime në hadithe.
3- Amir Esh-Shabij prej tabiinëve të mesëm të Kufes tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Allahu nuk e sheh atë që ngjyroset me të zezë ditën e kiametit” e transmeton Ibn Sad në lirin Et-Tabekat.
Murselet e Shabiut janë të forta sikur mos të ishte transmetuesi i tij Lejth bin Ebij Sulejm që e përmendem pak më lart i cili është i dobët.
4- Muxhahidi bin Xhebr nga tabiinët e mesëm të Mekës thotë: “Në kohën e fundit do të jenë ca njerëz që ngjyrosen me të zezë nuk ka për ti parë Allahu ata -ose tha-: nuk kanë pjesë në ahiret” e transmeton Mameri në librin El-Xhami’ me zinxhir të saktë.
5- Kabi i Ahbarëve prej tabiinëve të mëdhenj të Shamit thotë: “Do ta lexojnë kuranin disa burra me zë më të bukur se kënduesit e deveve por Allahu nuk do ti shohë ditën e kiametit dhe do të ngjyrosen ca njerëz me të zezë dhe nuk do ti shohë Allahu ditën e kiametit” e transmeton Ebu Nuajmi në librin El-Hilje me zinxhir të saktë me përjashtim të Uelid bin Amir të cilin e ka cilësuar të besueshëm Ibn Hibbani dhe të tjerët kanë heshtur ndaj tij.
Fetvatë e tabiinëve që e kanë urryer ngjyrosjen me të zezë.
Tabiinët janë ajo shtresë e dijetarëve të myslimanëve të parë që janë takuar me sahabët dhe shumë prej fetvave të tyre i kanë ndërtuar mbi bazën e asaj që kanë parë dhe dëgjuar prej sahabëve dhe adeteve të njerëzve të asaj kohe prandaj dhe mendimet e tyre janë me vlerë.
1- Ata’ bin Ebij Rabah prej dijetarëve të tabiinëve të Mekës është pyetur për ngjyrosjen me të zezë dhe ka thënë: “Kjo është prej bidateve të njerëzve sepse kam parë disa prej shokëve të profetit -alejhi selam- dhe nuk kam par asnjë prej tyre duke u ngjyrosur me të zezë. Ata nuk ngjyroseshin veçse me këna, ketem dhe kjo e verdha” e transmeton Ibn Ebij Shejbe me zinxhir të saktë.
2- Muxhahidi prej dijetarëve të tabiinëve të Mekës nuk e ka pëlqyer ngjyrosjen me të zezë dhe thoshte: I pari që është ngjyrosur me të zezë është faraoni. E transmeton Ibn Ebij Shejbe me zinxhir të saktë.
3- Mekhul Esh-Shamij prej taibiinëve të Shamit nuk e pëlqente ngjyrosjen me të zezë dhe thoshte: Ebu Bekri ngjyrosej me këna dhe ketem. E transmeton Ibn Ebij Shejbe me zinxhir të saktë.
4- Amir Esh-Shabij prej dijetarëve të tabiinëve të Kufes është pyetur për ngjyrosjen me të zezë dhe nuk e ka pëlqyer. E transmeton Ibn Ebij Shejbe me zinxhir të saktë.
5- Said bin Xhubejr prej tabiinëve të Kufes është pyetur për ngjyrosjen me të zezë dhe e ka urryer pastaj ka thënë: “Allahu ia mbulon fytyrën robit të tij me dritë dhe pastaj ta shuaj atë me të zezë?!” e transmeton Ibn Ebij Shejbe me zinxhir të saktë.
Çfarë ka ardhur në lidhje me lejimin.
Edhe pse ajo që përmendem më lart është e mjaftueshme për të nxjerrë gjykimin ama prej drejtësisë është të përmenden edhe argumentet e mendimit të kundërt sepse kjo fundja-fundit është peshorja e drejtë e dijes e cila nuk bën zullum dhe argumentet e lejimit mund ti grupojmë si më poshtë:
Transmetime nga profeti -alejhi selam-:
Nga profeti -alejhi selam- kanë ardhur tre hadithe:
1- Suhejb Err-Rrumij radiallahu anhu tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Më e mira gjë për tu ngjyrosur me të është e zeza e cila është më e dashur për gratë tuaja dhe më frikësuese për armikun tuaj” e transmeton Ibn Maxhe dhe në zinxhirin e tij ka dy transmetues të dobët: Deffa’a bin Degfel dhe Abdulhamid bin Sajfij.
2- Aishja radiallahu anha tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush shkon për të kërkuar ndonjë grua për nuse dhe është i ngjyrosur me të zezë le ta informojë atë dhe të mos e mashtrojë” e transmeton Bejhakiu në Es-Sunen El-Kubra dhe në zinxhirin e tij është: Isa bin Mejmun dhe është i dobët.
3- Ibn Umeri radiallahu anhu thotë: “Urdhëroi profeti -alejhi selam- për ngjyrosje dhe disa u ngjyrosen me të kuqërremtë dhe disa me të zezë” e transmeton Ibn Shahini në librin e haditheve të anuluara En-Nasikh uel-Mensukh dhe në zinxhirin e tij është një burrë i panjohur Mudarrib bin Muhamed El-Esedij dhe Lejth bin Ebij Sulejm i cili nëse nuk mbështetet nga transmetues të tjerë është i dobët.
Përmbledhje: Këto hadithe siç shihet nuk vijnë veçse në rrugë të dobëta dhe përveç këtij problemi ato përmbajnë tekste që kundërshtojnë hadithe më të sakta që e ndalojnë ngjyrosjen me të zezë. Këto hadithe te dietarët e hadithit quhen [munker] – grada më e ulët e hadithit psh: Sheikh Albani për hadithin e Suhejb Err-Rrumij hadith thotë: munker ndërsa për hadithin e Aishes thotë: meudu (i trilluar). Shiko: Silsiletu el-Ehadith Ed-Daife.
Transmetime nga veprat e sahabëve -radiallahu anhum-:
1- Aishja radiallahu anha
Ummu Shebijb tregon se e ka pyetur Aishen për nxirjen e flokëve dhe ajo i ka thanë: “sikur të kisha ndonjë gjë do ti kisha nxirë flokët e mia” e transmeton Ibn Sad dhe Ummu Shebijb nuk është përmendur as për transmetuese e besueshme dhe as jo e besueshme.
2- Ukbe bin Amir radiallahu anhu.
Ebu Ushshane tregon: “E kam parë Ukbe bin Amir duke u ngjyrosur me të zezë dhe thoshte: i ngjyrosim majat (e qimeve) dhe na dalin rrënjët (të bardha)” e transmeton Ibn Sad me zinxhir të saktë.
3- Hasani dhe Hyseini dy bijtë e Aliut radiallahu anhu dhe nipat e profetit -alejhi selam-.
Kajs meula Khabbab thotë: “Kam hyrë te Hasani dhe Hyseni kur ata po ngjyroseshin me të zezë” e transmeton Ibn Ebij Shejbe me zinxhir të saktë.
4- Sead bin Ebij Uekkas radiallahu anhu.
Hadithi i tij gjendet te Ibn Sadi, Taberanij dhe Ebu Nuajmi që të gjitha me probleme në zinxhir dhe ndoshta të gjitha së bashku e vërtetojnë këtë gjë prej tij.
5- Xherir bin Abdilah radiallahu anhu.
Sulejm Ebu Hudhejl tregon se e ka parë Xheririn duke ngjyrosur kokën dhe mjekrën e tij me të zezë e transmeton Taberani dhe Sulejmi bashkë me një transmetues tjetër nuk njihen.
6- Amr bin El-As radiallahu anhu.
Hakimi në El-Mustedrak transmeton se Amri ishte i shkurtër dhe ngjyrosej me të zezë. E transmeton me zinxhir të shkëputur.
7- El-Mugira binShube radiallahu anhu.
Transmeton Dhehebiu në librin Tarikh El-Islam se El-Mugira bin Shube është i pari që është ngjyrosur me të zezë. Zinxhiri i tij është i shkëputur.
8- Uthman bin Affan rdiallahu anhu.
Ibn Ebij Mulejke tregon se Uthmani ngjyrosej me të zezë. E transmeton Ebu Nuajm dhe Ed-Dulabij me zinxhir mursel.
Përmbledhje: Transmetimet me të sakta në lidhje me sahabët janë ato të: Ukbe bin Amir, Hasanit, Hyseinit dhe Sad bin Ebij Uekkas kurse të tjerat janë me probleme në zinxhirët e transmetimit.
Për sa i përket Hasanit dhe Hyseinit në lidhje me ta ka ardhur dhe ngjyrosja e tyre me këna dhe ketem që jep një ngjyrë mes të zezës dhe të kuqes. El-Izar bin Huejrith thotë: i kam parë Hasanin dhe Hyseinin radiallahu anhu duke u ngjyrosur me këna dhe ketem. E transmeton Ibn Sadi dhe Taberanij me zinxhir të saktë. Kjo gjë jep të kuptosh se ata ndoshta nuk janë ngjyrosur me të zezë të plotë.
Transmetimet nga tabiinët:
1- Musa bin Talha prej tabiinëve të mëdhenj të Medinës pastaj të Kufes.
Amr bin Uthman thotë: e kam parë Musa bin Talha duke u ngjyrosur me të zezë. E transmeton Ibn Ebij Shejbe me zinxhir të saktë.
2- Nafi bin Xhubejr prej tabiinëve të Medinës.
Abdullah bin Abdurrahman bin Meuhib tregon: e kam parë Nafi bin Xhubejr duke u ngjyrosur me të zezë. E transmeton Ibn Ebij Shejbe me zinxhir të saktë.
3- Muhamed bin Sirin prej tabiinëve të Basras.
Abdullah bin Aun tregon se njerëzit e pyesnin Muhamedin për ngjyrosjen me të zezë dhe thoshte: Nuk di për të pengesë. E transmeton Ibn Ebij Shejbe me zinxhir të saktë.
4- Ebu Seleme bin Abdurrahman prej tabiinëve të Medines.
Sead bin Ibrahim bin Abdurrahman tregon se Ebu Seleme ngjyrosej me të zezë. E transmeton Ibn Ebij Shejbe me zinxhir të saktë.
5- Ibrahim En-Nekhaij prej tabiinëve të Kufes.
Hammad bin Ebij Sulejman tregon se Ibrahimi thoshte se nuk ka gjë të ngyrosesh me të zezë. E transmeton Ibn Ebij Shejbe me zinxhir të saktë.
6- Muhamed bin El-Hanefije prej tabiinëve të Medines.
Është pyetur Ibn El-Hanefije për ngjyrosjen me të zezë dhe ka thënë: është adet i ehli bejtit. E transmeton Ibn Ebij Shejbe me zinxhir të saktë.
7- Amr bin Uthman bin Affan prej tabiinëve të Medines.
Said El-Mekburij: i kam parë bijtë e sahabëve të ngjyrosur me të zezë prej tyre: Amr bin Uthman bin Affan. E transmeton Ibn Sad dhe në zinxhirin e tij Ebu Masher Nexhijh i cili është i dobët.
8- Katade bin Deame prej tabiinëve të Basras e lejonte ngjyrosjen me të zezë për gratë. E transmeton Mamer bin Rashid.
9- Ez-Zuhrij prej tabiinëve të Medinës pastaj të Shamit.
Mameri thotë: e kam parë Zuhrin të ngjyrosej me të zezë dhe ishte i shkurtër. E transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë
Përmbledhje: Këta janë tabiinët që lyheshin me të zezë apo e lejonin të zezën dhe ndoshta disa prej këtyre tabiinëve nuk janë ngjyrosur me të zezë të plotë por të përzier me këna dhe ketem që siç thamë më lart jep një ngjyrë mes të zezës dhe të kuqes dhe ja disa raste:
1- Imam Ez-Zuhrij.
Ibn Sad në librin Et-Tabekat përmend se Muslim bin Khalid Ez-Zinxhij thotë e kam parë të ngjyrosur me të zezë kurse Imam Maliku thotë e kam parë të ngjyrosur me këna.
Ndërsa El-Mizzij në biografinë e Zuhrit thotë: Sufjan Ibn Ujejne tregon se e kam parë Zuhrin me kokë dhe mjekër të kuqërremtë dhe e kuqërremta ishte thyer sikur të kishte përdorur ketem (bimë që përdoret për ngjyrë të zezë).
2- Muhamed bin El-Hanefije i cili thoshte se e zeza është adet i ehli bejtit.
Ibn Sadi në librin Et-Tabekat transmeton në katër rrugë transmetimi se Muhamed bin El-Hanefije ngjyrosej me këna dhe ketem.
Po ashtu edhe Ali bin El-Husejn prej ehli bejtit djali i vëllait të tij ngjyrosej me këna dhe ketem dhe thoshte se ka parë familjen e tij të ngjyrosur me këna dhe këtem. E transmeton Ibn Sad në librin Et-Tabekat.
Gjithashtu edhe Ebu Xhafer El-Bakir prej ulemave të ehli bejtit nxënës i Muhamed bin El-Hanefije ngjyrosej me 2/3 këna dhe 1/3 uesme (që jep ngjyrë të zezë). E transmeton Ibn Bij Shejbe.
Atëherë duke pasur parasysh se edhe Hasani dhe Hysejni -radiallahu anhuma- është saktësuar prej tyre se ngjyroseshin me këna dhe ketem mund të themi se ehlu bejti ngjyroseshin me këna dhe këtem dhe jo plotësisht me të zezë.
3- Ebu Seleme bin Abdurrahman.
Ibn Sadi në librin Et-Tabekat transmeton në lidhje me të në dy rrugë transmetimi me zinxhir të saktë: në njërën ngjyrosjen e tij me këna dhe ketem dhe në tjetrën ngjyrosjen e tij me këna.
4- Muhamed bin Sirin i cili e lejonte ngjyrosjen me të zezë.
Habib bin Esh-Shehid tregon se Muhamed bin Sirini ngjyrosej me këna dhe një ditë ai kap mjekrën e tij dhe thotë: kjo ngjyra ime është si ngjyra e Ebu Hurejrës, mjekra ime është si mjekra e tij, flokët e mia si flokët e tij dhe rrobat e mia si rrobat e tij dy rrobe të ngjyrosura me një të kuqe të lehtë. E transmeton Ibn Sad në librin Et-Tabakat.
Gjykimi i ngjyrosjes së thinjave me të zezë te dijetarët e islamit.
Tani pasi kemi mbledhur gjithë çka lidhje me çështjen tonë, duhet të shohim se ç’gjykim kanë nxjerrë prej tyre dijetarët e islamit?
Ibn Haxher El-Askalani në lidhje me mendimet e dijetarëve thotë:
Prej dijetarëve ka që e kanë lejuar në xhihad dhe prej tyre ka që e kanë lejuar në përgjithësi dhe më parësore është të jetë mekruh kurse Neveviu anonte se është haram. Disa prej selefëve e kanë lejuar si: Sad bin Uekkas, Ukbe bin Amir, Hasani dhe Hyseini, Xheriri etj gjë të cilën e ka zgjedhur Ibn Ebij Asim në librin [El-Khidab (Ngjyrosja e flokëve dhe qimeve)] dhe i është përgjigjur hadithit të Ibn Abasit “Do të jenë ca njerëz që do të ngjyrosen me të zezë dhe nuk do ta ndjenë erën e xhenetit” se nuk tregon se urrehet ngjyrosja me të zezë por njofton për një popull që kjo është cilësia e tyre dhe për hadithin e Xhabirit “largojuni të zezës” se është për atë që thinjat e tij janë të shpifura dhe nuk është për çdo njeri. Kjo që thotë është në kundërshtim me atë që vjen ndërmend nga vështrimi i kontekstit të dy haditheve. Po, mund të përkrahet nga thënia e Ibn Shihabit (Zuhrit) të cilën e transmeton vetë: “Ngjyroseshim me të zezë kur fytyrën e kishim të re dhe kur na ra fytyra dhe dhëmbët e lamë”. Ndërkohë që Taberani dhe Ibn Ebij Asim transmetojnë nga Ebu Darda referuar profetit -alejhi selam- “Kush ngjyroset me të zezë, ia nxin Allahu fytyrën ditën e kiametit” zinxhiri i tij është i dobët. Prej tyre ka që kanë bërë dallim mes burrit dhe gruas duke e lejuar për gratë dhe ndaluar për burrat. Shih Fet’h El-Barij.
Nga ky citat i Ibn Haxherit shohim kundërshtimet e dijetarëve në lidhje me këtë çështje dhe ja një analizë e shkurtër e tij:
1- Ata që e kanë lejuar vetëm në xhihad.
Të këtij mendimi janë shafitë dhe shumica e hanefive dhe ja citatet e tyre:
Citatet e shafive:
El-Mauerdij në librin El-Hauij thotë: “Ndërsa ngjyrosja e qimeve është e lejuar me këna dhe ketem dhe e ndaluar me të zezë vetëm nëse është në xhihad”.
Imam Neveviu thotë në shpjegimin e Muslimit: “Ndalohet ngjyrosja me të zezë sipas mendimit më të saktë. Është thënë se është e urryer (mekruh) por mendimi i zgjedhur është ndalimi (haram)….. dhe ky është medhhebi ynë”.
Citatet e hanefive:
Ibn Maze në librin el-Muhit El-Burhanij thotë: “Përsa i përket ngjyrosjes me të zezë, ai që e bën atë prej luftëtarëve për të qenë më frikësuese për armikun është e pëlqyeshme dhe për këtë kanë rënë dakord të gjithë sheikhët e medhhebit ndërsa ai që e bën për tu zbukuruar për gratë (për gratë e tyre) dhe për ta bërë veten të dashur për to është mekruh (e urryer) dhe ky është mendimi i shumicës së sheikhëve të medhhebit………..disa e kanë lejuar dhe kjo është transmetuar nga Ebu Jusufi”.
Shënim: Ndoshta përjashtimi i muxhahidit nga këta dijetarë është marrë nga hadithi i Suhejb Err-Rrumij radiallahu anhu dhe që thamë më lart se është i dobët.
2- Ata që e kanë lejuar por kanë thënë se më mirë është lënia e saj.
Të këtij mendimi janë malikitë dhe ja citatet e tyre:
Është transmetuar nga imami i medhhebit imam Maliku se ka thënë në lidhje me ngjyrosjen e qimeve me të zezë: “Nuk kam dëgjuar në lidhje me të ndonjë gjë të caktuar por ngjyrat e tjera janë më të dashura për mua” shih El-Muata.
Ky citat i imam Malikut ka bërë që mendimi i medhhebit në lidhje me këtë çështje të jetë mekruh (e urryer) siç thotë Ibn Ebij Zejd El-Kajrauanij në librin Er-Risale thotë: “Është e urryer (mekruh) të ngjyrosësh qimet me të zezë por jo e ndaluar (haram) dhe nuk ka gjë nëse përdor këna dhe ketem”.
Shënim: ndoshta imam Maliku më të vërtetë nuk ka dëgjuar gjë në lidhje me këtë çështje por për këtë çështje ka argumente madje hadithet ndaluese janë më shumë se lejueset siç thotë imam Es-Sujuti në shpjegimin e Ibn Maxhes.
3- Ata që e kanë lejuar në përgjithësi.
Të këtij mendimi janë disa sahabe të lartpërmendur dhe mendimi i zgjedhur nga Ibn Ebij Asim dhe ai siç tregon Ibn Haxheri argumentohet me këto gjëra:
a- Me ato hadithe të sakta të cilat nuk e përmendin përjashtimin e të zezës.
b- Me veprat e selefëve prej sahabëve.
c- Me komentimin ndryshe të haditheve nga ajo që duket nga ana e jashtme të haditheve që ndalojnë të zezën.
Shënim: për sa i përket argumentimit të parë është e vërtetë se këto hadithe që ndalojnë ngjyrosjen me të zezë janë transmetuar sipas disa versioneve të tjera shkurtimisht duke përmendur urdhrin për ngjyrosje pa përmendur ndalimin nga e zeza mirëpo kur ndalimi vjen nga shumë transmetues të tjerë do të thotë se ai është pjesë e hadithit dhe se versionet e shkurtëra duhet të kuptohen sipas versionit të gjatë.
Ndërsa për sa i përket argumentimit të dytë me veprat e sahabëve themi se ekziston mundësia që ata mund të mos e kenë ditur këtë gjykim edhe pse për disa prej tyre transmetimet janë të dobëta. Kjo nga njëra anë kurse nga ana tjetër ndoshta ata nuk ngjyroseshin me të zezë të plotë por me këna dhe ketem që jep një ngjyrë mes të zezës dhe të kuqes sepse kështu është syneti profetik:
Ebu Dherri radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Më e mira gjë për të ndryshuar thinjat është Kënaja dhe Ketemi” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Uthman bin Abdilah bin Meuheb (tabiin) tregon: “U futa te Ummu Seleme radiallahu anha (gruaja e profetit alejhi selam) dhe ajo më nxori disa qime të profetit alejhi selam të ngjyrosura me Këna dhe Ketem” e transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson sheikh Albani.
Ibn Haxheri thotë: Ngjyrosja me Këna dhe Ketem jep një ngjyrë mes të zezës dhe të kuqes.
Ndërsa për sa i përket komentimit ndryshe nga ç’duket nga ana e jashtme këtë e rrëzojnë ato hadithe që janë të qarta të cilat thonë se ai që ngjyroset me të zezë nuk e sheh Allahu ditën e kiametit apo ia nxinë Allahu fytyrën etj.
4- Ata që e ndalojnë për burrin dhe e lejojnë për gruan.
Ky mendim ndoshta është marrë nga mendimi i Katades që e përmendem më lart apo edhe nga hadithet e dobëta të lartpërmendura që bëjnë kështu përjashtimesh. Ndoshta mbi të njëjtën bazë e ka lejuar edhe Is’hak bin Rahauejh por në ndryshim nga Katadja ai e lejon për të dy bashkëshortët për zbukurim para njëri tjetrit dhe ja citatet e tij:
Ibn Mensur El-Keusexh tregon se e ka pyetur Is’hak bin Rahauejh për ngjyrosjen me të zezë për gruan dhe ka thënë: “Nuk ka gjë kur e bën për burrin për tu zbukuruar për të”
Ai gjithashtu transmeton prej Is’hak bi Rahauejh se ka thënë: Ngjyrosja me të zezë është e shumë e urryer përveç nëse do të zbukurohesh për gruan pa dashur të mashtrosh gratë.
Ndoshta këtu mund të futet edhe Ebu Jusufi i hanefive që e lejonte këtë gjë për zbukurim për gratë.
Mendoj se kësaj analize duhet ti shtohet edhe një mendim i pestë të dhe që është mendimi i atyre që e ndalojnë në përgjithësi dhe ky është mendimi i imam Ahmedit:
5- Ata që e ndalojnë në përgjithësi ngjyrosjen me të zezë.
Ibn Mensur bin El-Keusexh tregon se e ka pyetur imam Ahmedin: A urrehet ngjyrosja me të zezë? Ai është përgjigjur: Po pasha Allahun urrehet.
Ibn Kudame në librin El-Mugnij thotë: “Është e urryer të ngjyrosësh me të zezë. Është pyetur Ebu Abdullahu (imam Ahmedi): A urrehet ngjyrosja me të zezë? Ai është përgjigjur: Po pasha Allahun urrehet”.
Shprehja (mekruh) e urryer në shprehjet e imam Ahmedit e përshinë edhe të ndaluarën sikurse thonë dijetarët e medhhebit hanbeli dhe këtu mendoj se ka për qëllim ndalimin sepse është betuar për të.
I këtij mendimi është edhe Ebu Hatim Er-Razij i cili duke komentuar hadithin e Xhabirit thotë: Fjala e profetit -alejhi selam- [ndryshojeni ato të dyja (qimet e kokës dhe të mjekrës)] kjo fjalë është urdhër dhe njeriu është i lirë të zgjedhë për ti ndryshuar ato me çfarë të dojë prej gjërave pastaj përjashton të zezën prej tyre dhe e ndalon atë kurse të tjerat mbetet siç kanë qenë.
Gjithashtu i këtij mendimi është edhe Ibn El-Kajim -Allahu e mëshiroftë- siç është shprehur në shpjegimin e Ebu Daudit dhe në Zad El-Mead dhe thotë: “Ndalimi është për nxirjen e plotë ndërsa kur i shtohet këna apo ndonjë gjë tjetër si ketem etj nuk ka gjë sepse këtemi dhe kënaja i bëjnë qimet mes të kuqes dhe të zezës”.
Këtë mendim gjithashtu e kanë zgjedhur prej dijetarëve të sotëm edhe sheikh Ibn Bazi, sheikh Albani sheikh Ibn Uthejmini dhe sheikh Mukbili Allahu i mëshiroftë të gjithë.
Përfundimisht mendoj se mendimi që e ndalon ngjyrosjen me të zezë dhe nuk përjashton nga ndalimi asnjë kategori njerëzish është mendimi më i saktë, më mbështetur në argumente të sakta dhe më i qëndrueshëm ndaj kritikës dhe Allahu e di më së miri.
Lus Allahun e madhëruar ta bëjë këtë punë prej peshojave të punëve të mira ditën e kiametit! Amin!
Të Ngjashme
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Cila është mënyra më e mirë për të memorizuar? Meshhur Hasen
- A lejohet të merret rroga nëpërmjet bankës? Shejh Alij ibn Hasen el-Halebij
- Ngrënia në të njëjtën tryezë me atë që pi alkool Udha e Besimtarëve
- A lejohet të betohesh rrejshëm me qëllim që të pajtosh mes dy personave? Shejh Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz