Namazi i teravive mes sasisë dhe cilësisë

Namazi i taravive mes sasisë dhe cilësisë.

Një gjë që duhet të kenë parasysh imamllarët gjatë teravive është të përpiqen që namazi të jetë me frikë-respekt, duke plotësuar shtyllat e namazit dhe detyrimet (uaxhibatet) e tij prej të cilave është edhe qetësimi në namaz (mosngutja). Nxitimi i madh që nuk të lejon qetësimin në veprimet e namazit është i qortuar, dhe për këtë imami mund të marrë edhe gjynahe për shkak të atyre që janë pas tij dhe duan të falen me frikë-respekt dhe qetësi. Nuk është kusht që të këndojë Kuran gjatë në namaz por kushtet e namazit duhet t’i bëjë të plota, duhet t’i plotësojë rukutë dhe sexhdet me frikë-respekt dhe qetësi.
Përsa i përket këndimit të Kuranit në namaz, Allahu i Lartësuar e ka lehtësuar këtë çështje duke thënë: “Me të vërtetë Zoti yt e di se ti ngrihesh më pak se dy të tretat e natës, gjysmën e saj, një të tretën e saj, e po ashtu edhe një grup prej atyre që janë me ty (sahabët).” – Deri te fjala e Tij: “Prandaj lexoni sa të keni mundësi prej Kuranit (në namaz).” [Muzemil: 20]

Plotësimi i rukusë dhe sexhdes, si dhe frikë-respekti e qetësimi gjatë namazit është diçka e kërkuar. Ndërsa këndimi i gjatë i Kuranit dhe lënia mangët e pjesëve të tjera të namazit, ruku dhe sexhde shumë të shkurtra, kjo është në kundërshtim me sunetin.

Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – nga fundi i jetës së tij kur u rëndua, falte 7 apo 9 rekate, 11 apo 13 në varësi të gjallërisë që kishte, duke zbatuar fjalën e Allahut të Lartësuar: “Këndoni prej tij sa të mundeni.” Qëndrimin në këmbë (kijamin), rukunë dhe sexhden i bënte afërsisht të ngjashme në gjatësi, siç ka ardhur te “Dy të saktët”, d.m.th. falte një namaz të bukur (të plotë) dhe të gjatë.

Është e njohur se adhurimi i kërkuar nuk është ai i shumti (sh.p. siç thotë populli ‘Shumë e për lumë’). Nuk ka ardhur argument në Kuran e as në Sunet që tregon se adhurimi i kërkuar është ai i shumti (në sasi), por adhurimi i kërkuar dhe i cili është fusha e sprovimit është ai i përsosuri. Thotë i Lartësuari: “Që t’iu sprovojë se cili prej jush bën vepra më të mira.” [Mulk: 2] Ajo që kërkohet është përsosja e veprës dhe ajo është vepra e sinqertë për hir të Allahut, dhe e saktë e ngjashme me veprën e Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem.

Prandaj le të bëjë kujdes imami e të mos nxitojë në namazin e tij, të bëjë kujdes e të mos falet shpejt. Një namaz ku nuk ka frikë-respekt e as qetësim, aq sa disa prej namaz falësve ankohen dhe thonë: Namaz ishte ky!? Sepse ata nuk ndiejnë frikë-respekt në të, e as nuk arrijnë të bëjnë dua dhe të qajnë hallet me Allahun, të shfaqen përpara flladeve hyjnore me shpresë se ato do t’i përfshijnë dhe do t’u pranohen lutjet.
Dikur, kur njerëzit ishin në sexhde dëgjoje rënkimet dhe të qarët e tyre dhe shtohej frika e tyre prej Allahut të Lartmadhëruar, sepse namazi ishte namaz. Kishte në të frikë-respekt, qetësim, namaz i gjatë. Ndërsa ai namaz që nuk shkon më shumë se 15 – 20 minuta ky është si çukitje e korbit dhe s’ka dyshim që është i qortuar, dhe imami nëse tregohet neglizhent në këtë pikë ndoshta merr gjynahe. Ka disa raste ku rrethanat të detyrojnë të falësh namaz të lehtësuar, por kjo duhet të bëhet duke shkurtuar këndimin e Kuranit. Ndërsa rukuja, sexhdja dhe qëndrimi mes tyre duhet të shoqërohet me qetësi, prezencë të zemrës dhe frikë-respekt kundrejt Allahut të Lartësuar.

 

Shkëputur nga ligjërata: “Mexhliset e diturisë në Ramazan” nga ministri i fesë në Arabinë Saudite,

shejh Salih Al esh Shejh, Allahu e ruajtë.