Namazi i udhëtarit
Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Kur të udhëtoni në tokë, nuk është gjynah që ta shkurtoni namazin, nëse i druheni ndonjë dëmi prej jobesimtarëve. Me të vërtetë, jobesimtarët janë armiqtë tuaj të hapur” suratu En-Nisa: 101.
Ky ajet bën fjalë për shkurtimin e namazit në udhëtim kur njeriu ka frikë armikun e tij mirëpo shumica e dijetarëve –siç thotë Ibn Kethiri- mendojnë se ky ajet përfshinë edhe udhëtimin kur njeriu nuk ka frikë armiqtë e tij dhe argumentohen me një hadith të Umrit -radiallahu anhu- se Jala bin Umejje -radiallahu anhu- e ka pyetur atë:
Allahu thotë: “Kur të udhëtoni në tokë, nuk është gjynah që ta shkurtoni namazin, nëse i druheni ndonjë dëmi prej jobesimtarëve” dhe njerëzit tani janë të sigurtë? Umeri i thotë: Jam çuditur edhe unë prej asaj që po çuditesh dhe e kam pyetur profetin -alejhi selam- për këtë gjë dhe më ka thënë: Është sadaka prej Allahut prandaj pranojeni sadakanë e tij. E transmeton Muslimi e të tjerë.
Kështu që ajeti ka theksuar udhëtimin kur njeriu ka frikë për shkak se udhëtimet në kohën e zbritjes së ajetit në shumicën e rasteve ishin me frikë dhe nuk ka dashur që ta kufizojë shkurtimin vetëm në rastin e frikës.
Pastaj për këtë dëshmon edhe praktika e profetit -alejhi selam- sepse ai i ka shkurtuar namazet e tij edhe në udhëtimet e ndërmarra pas çlirimit të Mekës atëherë kur njerëzit nuk kishin më frikë jobesimtarët dhe ja çfarë thotë Ibn Abasi -radiallahu anhu-:
“Kemi udhëtuar me profetin -alejhi selam- mes Mekës dhe Medinës dhe ai ka falur dy rekate edhe pse nuk kishte frikë veçse prej Allahut (nuk kishte frikë jobesimtarët)” e transmeton Ahmedi, Tirmidhiu dhe Nesai dhe e saktëson sheikh Albani.
Ndërsa pjesa e tjetër e dijetarëve mendojnë siç tregon Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në shpjegimin e ajetit se shkurtimi i namazit për udhëtarin është marrë nga vepra profetike dhe jo nga ky ajet sepse ajeti ka për qëllim sipas tyre namazin e frikës.
A është shkurtimi i lejueshëm apo detyrë?
Dijetarët e islamit në lidhje me këtë çështje janë në kundërshtim. Ekzistojnë dy mendime të hershme mes tyre të cilat i ka përmendur imam Et-Tahauij në librin Sherh-Meanij El-Athar.
Mendimi i parë: Shkurtimi është i lejueshëm.
Sipas këtij mendimi njeriut i lejohet të zgjedhë mes shkurtimit dhe plotësimit. Të këtij mendimi janë dijetarët e medhhebit: Malikij, Shafij dhe Hanbelij.
El-Kadij Abdul-Uehhab (dijetar i medhhebit Malikij i vdekur në vitin 422H) në librin “El-Ishraf” thotë: “Në medhhebin tonë shkurtimi është sunet dhe jo farz dhe se mysafiri ka të drejtë të zgjedhë mes shkurtimit dhe plotësimit”.
El-Mauerdij në librin “El-Hauij” (dijetar i medhhebit Shafij i vdekur në vitin 450H) thotë: “Mysafiri tek ne ka të drejt të zgjedhë mes shkurtimit të namazit dhe plotësimit të tij katër rekate si rezidenti. Kështu që namazi i tij në udhëtim kur e plotëson është namaz rezidenti jo namaz udhëtari dhe ky është medhhebi ynë”
El-Khirakij (dijetar i medhhebit hanbelij i vdekur në vitin 334H) në librin “Mukhtesar El-Khirakij” thotë: “Mysafirit i lejohet edhe të plotësojë edhe të shkurtojë siç i lejohet edhe të agjërojë edhe të çelë mirëpo shkurtimi dhe çelja për Ebu Abdullahin (imam Ahmedin) janë më të pëlqyeshme për të”.
Dijetarët e këtij mendimi argumentohen si më poshtë:
1- Allahu i madhëruar në ajetin e mësipërm thotë: “Kur të udhëtoni në tokë, nuk është gjynah që ta shkurtoni namazi…”
Imam Shafiu thotë: Nuk përdoret fjala [nuk është gjynah] veçse për gjëra të lejuara. Shih: El-Mexhmu të imam Neveviut.
2- Hadithi i Aishes -radiallahu anha- e cila tregon se: “Profeti -alejhi selam- edhe e ka shkurtuar namazin në udhëtim edhe e ka plotësuar” e transmeton Tahauij etj.
Gjithashtu dhe transmetimi tjetër nga Aishja -radiallahu anha- e cila tregon: “Kam bërë umre me profetin -alejhi selam- nga Medina për në Meke derisa kur mbërrita në Meke i thashë: O i dërguari Allahut, flijofsha për ty nënën dhe babanë tim! Unë e plotësova (namazin) ndërsa ti e shkurtove, ti e çele agjërimin ndërsa unë agjërova? Atëherë profeti -alejhi selam- i thotë: të lumtë o Aishe dhe nuk më qortoi” e transmeton Nesai, Darakutnij dhe Bejhakiu.
3- Hadithi i Umrit -radiallahu anhu- kur e ka pyetur profetin alejhi selam për shkurtimin në udhëtim dhe i ka thënë: “Është sadaka prej Allahut prandaj pranojeni sadakanë e tij”
Fjala sadaka e përdorur në hadith ka përqëllim lejimin dhe ja disa komente të dijetarëve:
Ibn Battal thotë: “Ka ixhma nga ymeti se atij që i jepet sadakaja nuk e ka detyrë pranimin e saj”
El-Kadij Abdul-Uehhab thotë: “Më e pakta që mund të përfitohet nga kjo fjali është pëlqyeshmëria”.
El-Khattabij në librin Mealim Es-Sunen: “Kjo tregon se është lehtësim dhe lehtësimi tregon lejim dhe jo detyrë”.
Mendimi i dytë: Shkurtimi është detyrë.
Sipas këtij mendimi njeriu nuk ka të drejt të zgjedhë dhe namazin e tij duhet ta falë patjetër të shkurtuar dhe të këtij mendimi janë dijetarët e medhhebit Hanefi.
Imam Et-Tahauij (Dijetar i medhhebit Hanefi i vdekur në vitin 321) në librin “Mukhtesar Et-Tahauij” thotë: “Namazi i udhëtimit është dy rekate me përjashtim të akshamit dhe vitrit të cilat janë nga tre rekate”.
Të këtij mendimi gjithashtu janë edhe disa dijetarë të medhhebit Maliki, Ibn Hazmi, sheikhu-islam Ibn Tejmije dhe Ibn El-Kajim El-Xheuzije etj.
Argumentet e këtij mendimi janë si më poshtë:
1- Hadithin i Aishes -radiallahu anha- e cila thotë: “Namazi është bërë detyrë nga dy rekate në vendbanim dhe në udhëtim pastaj është miratuar namazi udhëtarit por është shtuar namazi i vendbanimit” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
2- Hadithi Umerit -radiallahu anhu- i cili thotë: “Namazi i udhëtarit është dy rekate, namazi i xhumasë është dy rekate dhe namzi i festës është dy rekate. Ato janë të plota jo të shkurtuara nga goja e profetit -alejhi selam-” e transmeton Ibn Maxhe, Nesai dhe e saktëson sheikh Albani.
3- Hadithi i Ibn Abbasit -radiallahu anhu- i cili thotë: “Namazi është bërë detyrë nga goja e profetit -alejhi selam: në vendbanim katër rekate, në udhëtim dy rekate dhe në raste frike një rekat” e transmeton Nesai dhe saktëson sheikh Albani
El-Kudurij (dijetar hanefi i vdekur në vitin 428H) në librin El-Texhrid thotë: “Hadithet tregojnë se detyra është dy rekate që do të thotë se nuk lejohet të shtosh mbi të sepse detyrat e kufizuara me numra nuk lejohet të shtosh mbi to”.
Krahasimi i argumenteve.
Argumentet e mendimit të dytë që tregojnë se shkurtimi është detyrë janë më të forta në gjykim sepse janë të drejtpërdrejta për çështjen tonë ndërsa argumentet mendimit të parë janë më të dobëta për këto arsye:
E para: Përderisa tre prej sahabëve e kanë quajtur namazin shkurtuar të udhëtarit namaz të plotë atëherë ajeti që bën fjalë për shkurtimin ka të bëjë vetëm me namazin e frikës dhe jo me namazin e udhëtarit. Pastaj fjala [nuk ka gjynah] nuk përdoret vetëm për gjërat e lejuara por përdoret edhe për ato gjëra që janë detyrë siç është përdorur për tavafin mes Safasë dhe Merves ku thuhet: “Safaja dhe Mervja janë prej shenjave të fesë së Allahut. Kush haxh për në shtëpinë e Allahut apo umre nuk ka gjynah të bëjë tavaf mes tyre” suratu El-Bakara: 158. Shih sherh Mukhtesar Et-Tahauij të El-Xhasas.
E dyta: Dy hadithet e Aishes -radiallahu anha- nuk janë të sakta si në zinxhirët e tyre ashtu edhe në përmbajtjen e tyre kanë probleme:
Problemet e zinxhirëve të transmetimit: Hadithi i parë ka në zinxhirin e transmetimit një transmetues që quhet Mugira bin Zijad i njohur për gabime në hadithe. Kurse hadithi i dytë ka Abdurrahman bin El-Esued i cili mendohet që të mos e ketë dëgjuar këtë hadith nga Aishja -radiallahu anha- siç e ka pohuar Ed-Darakutnij në librin Ilel El-hadith.
Problemet e përmbajtjes së haditheve: Dy hadithet e Aishes nga ana kuptimore kundërshtojnë hadithe të tjera të sakta që nuk ka dyshim tek to se profeti -alejhi selam- e ka shkurtuar namazin në udhëtime dhe prandaj dhe imam Ahmedi thotë për të hadith e parë Munker siç e ka përmendur sheikhu islam Ibn Tejmije në fetvatë e tij. Kjo gjë vlen edhe për hadithin e dytë sepse Aishja -radiallahu anha- nuk mendohet të kundërshtonte profetin -alejhi selam- në namaz por plotësimi i saj ka ndodhur pas vdekjes së profetit -alejhi selam- për të njëjtën arsye siç ka bërë dhe Othmani -radiallahu anhu-.
Shënim: Abdrrazaku dhe imam Tahauij transmetojnë se Uthmani -radiallahu anhu- thoshte: “Namazin e shkurton ai që mban ushqimin dhe ujin” .
Pra, Othmani -radiallahu anhu- mendohet ta ketë lënë shkurtimin në haxh në Mina sepse mendonte se udhëtari shkurton nëse mban ujin dhe ushqimin dmth: kur është në lëvizje ndërsa kur qëndron e plotëson dhe jo se mendonte se shkurtimi në përgjithësi nuk është detyrë. E njëjta gjë është transmetuar edhe nga Aishja sepse kur është pyetur për të nipi i saj Urrve bin Ez-Zubejr ka thënë: Ka mendur siç ka menduar Uthmani. E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Pra, plotësimi i namazit nga Aishja -radiallahu anha- ka ndodhur pas vdekjes së profetit -alejhi selam- siç ka ndodhur edhe nga Uthmani -radiallahu anhu-.
E treta: Fakti që profeti -alejhi selam- e ka quajtur namazin e shkurtuar të udhëtarit sadaka nuk do të thotë se shkurtimi është i lejuar madje sipas të njëjtit hadith jemi urdhëruar ta pranojmë atë dhe urdhri tregon për detyrë.
Ibn Tejmije thotë: “Jemi urdhëruar ta pranojmë sadakanë e Allahut dhe urdhri tregon detyrë sepse çdo mirësi prej tij është sadaka dhe ne nëse nuk e pranojmë shkatërrohemi”
Një çështje tjetër e ndërtuar mbi bazën e saktësimit të mendimit të dytë.
Çështja është kjo: Nëse shkurtimi është detyrë atëherë ç’gjykim ka namazi kur plotësohet?
Për këtë çështje ka disa mendime:
Ibn Hazmit Allahu e mëshiroftë thotë: “Kush shton në namaz nuk është falur siç e ka urdhëruar Allahu dhe del pa namaz nëse e di këtë gjë” shih El-Muhala.
Hanefitë thonë: “Nëse udhëtari fal namazet që shkurtohen katër rekate pa u ulur në tehijat namazi i tij është i papranuar” shih Mukhtesar Et-Tahauij.
Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë se namazi është mekruh dhe nuk ka nevojë për ta përsëritur dhe ja citati i tij i plotë kur flet për plotësimin e Uthmanit -radiallahu anhu-:
“Për sa i përket namzit të Uthmanit dihet kundërshtimi që i kanë bërë dijetarët e sahabeve por prapë se prapë ata faleshin pas tij madje Ibn Mesudi -radiallahu anhu- falte katër rekate dhe kur veçohej thoshte: kundërshtimi është sherr ndërsa Ibn Umri kur veçohej falte dy rekate. Kjo është argument se falja e katër rekateve në udhëtim është mekruh (e urrryer) tet ata dhe në kundërshtim të sunetit por megjithatë nuk i kërkohet atij që e bën të përsërisë namazin dhe kur e bën imami duhet të ndiqet” shih Mexhmu El-Fetaua 24:100.
Kjo që thotë sheikhu islam Ibn Tejmije Allahu e mëshiroftë duket se është më e sakta sepse përshtatet me veprat e sahabëve -Allahu qoftë i kënaqur me ta- dhe Allahu e di më së miri!
Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve
- Statusi dhe vlera e fikhut në Islam Udha e Besimtarëve
- Në cilën anë të imamit është më mirë të falemi? Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin