Namazi i vitrit dhe forma e faljes së tij

March 4, 2016

Namazi i vitrit dhe forma e faljes së tij

Pyetësi thotë: Cfarë është për qëllim me namazin e vitrit? A është namazi i vitrit vaxhib? Dhe si duhet ta fal muslimani atë?

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!): Me namazin e vitrit është për qëllim mbyllja e namazit të natës me një rekat, ose me tri, ose me pesë, ose me shtatë, ose me nëntë ose me njëmbëdhjetë rekate.

Namazi i vitrit është sunet i fortë (muekedeh). Madje disa nga dijetarët thonë se namazi i vitrit është detyrë (vaxhib). Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kush e lë pa falur namazin e vitrit ai konsiderohet njeri i keq dhe nuk duhet t’i pranohet dëshmia.”[1]

Nuk duhet që muslimani ta lërë pa falur namazin e vitrit. Kur ai të përfundojë nga ajo që i është caktuar atij nga namazi i natës, le të falë një rekat, ose tri, ose pesë sipas gjendjes së tij, por forma e faljes ndryshon. Nëse ai e fal namazin e vitrit me tri rekate nëse dëshiron jep selam pas përfundimit të dy rekateve dhe pastaj fal një rekat të vetëm e nëse dëshiron fal tri rekate bashkë duke dhënë selam vetëm pas rekatit të tretë dhe me një teshehud të vetëm.

Nëse e fal namazin e vitrit me pesë rekate, ai fal pesë rekate duke dhënë selam vetëm në përfundim të rekatit të pesë dhe me një teshehud të vetëm. Kështu vepron edhe nëse e fal namazin e vitrit me shtatë rekate.

Nëse e fal namazin e vitrit me nëntë rekate, ai fal tetë rekate duke u ulur në rekatin e tetë në teshehud por nuk jep selam, pastaj ngrihet e fal rekatin e nëntë duke bërë teshehudin dhe pastaj jep selamin.

Nëse e fal namazin e vitrit me njëmbëdhjetë rekate, ai e fal dy e nga dy rekate (jep selam pas dy rekateve) dhe në fund fal një rekat.

Koha e namazit të vitrit fillon pas përfundimit të namazit të jacisë, pasi falet jacia dhe sunetet e saj – nëse bashkohet akshami me jacinë në kohën e akshamit koha e vitrit është futur- dhe vazhdon deri në lindjen e agimit. Kur lind agimi dhe njeriu nuk e ka falur namazin e vitrit, ai e fal gjatë ditës jo tek por çift, sepse Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur e mundte (kaplonte) gjumi ose ishte i sëmurë dhe nuk falje natën, ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem falte ditën dymbëdhjetë rekate. Kjo është në formë të përmbledhur namazi i vitrit.

“Fetaua nurun ala ed-derb” vëll. 5

Përktheu: Unejs Sheme

 

[1] “El-Feuaidu” Ibnul- Kajjim (Allahu e mëshiroftë!) (4/111) dhe “El-Mugni” i Ibën Kudames (2/133-134).

Dosje:

Loading...