Ndërmjetësimi i madh në ditën e llogarisë

January 20, 2023

Enesi radijAllahu anhu përcjell se i dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Në ditën e ringjalljes besimtarët do mblidhen dhe do thonë: Le t’i themi ndokujt të ndërmjetësojë për ne tek Zoti ynë. Kështu ata do të shkojnë tek Ademi alejhi selam dhe do t’i thonë: Ti je babai i njerëzimit dhe Allahu të krijoi me duart e Tij. I urdhëroi melekët të lëshohen me fytyrë përtoke në sexhde per ty (në shenjë respekti para teje), dhe Ai t’i mësoi emrat e të gjitha gjërave. Kështu pra, ndërmjetëso për ne tek Zoti yt që të mund të na lehtësojë e të na nxjerrë nga kjo gjendje ku jemi. Ademi do t’u thotë: Unë nuk jam për këtë punë (i përshtatshëm për të ndërmjetësuar). Pastaj Ademi do sjellë ndërmend gabimin e tij dhe do ndjehet i turpëruar. Ai do t’u thotë: Shkoni tek Nuhu sepse ai është i dërguari i parë i Allahut për banorët e tokës.

Ata do të shkojnë tek Nuhu alejhi selam por ai do t’u thotë: Unë nuk jam i përshtatshëm për këtë çështje. Ai do të kujtojë lutjen që i bëri Allahut për të bërë diçka për të cilën ai nuk kishte dijeni, dhe do ndjehet i turpëruar e do t’u thotë: Shkoni te Halil er-Rrrahman (miku i afërt i të Gjthëmëshirshmit, Ibrahimi alejhi selam).

Ata do shkojnë dhe ai do t’u thotë: Unë nuk jam i përshtatshëm për këtë barrë. Shkoni te Musai alejhi selam, robi të cilit Allahu i foli drejtpërdrejt dhe i dha Teuratin. Kështu ata do të shkojnë tek ai, por ai do t’u thotë: Unë nuk jam i përshtatshëm për këtë barrë. Ai do të sjellë ndërmend vrasjen e një njeriu (të pafajshëm) që nuk kishte vrarë kënd dhe kësisoj do ndjehet i turpëruar para Allahut, dhe do t’u thotë: Shkoni tek Isai alejhi selam, robi i Allahut, i dërguari i Tij, fjala e Tij “bëhu!” dhe ai u bë siç ishte urdhëri i Allahut për çdo gjë që Ai do, dhe Ruhullahi (shpirti i krijuar nga Allahu).

Isai do t’u thotë: Unë nuk jam i përshtatshëm për këtë barrë. Shkoni te Muhamedi alejhi selam, robi i Allahut të cilit Allahu i fali gjithë gabimet e kaluara dhe të mëvonshme. Kështu ata do vijnë tek unë dhe unë do të vazhdoj të kërkoj lejen e Allahut dhe leja do të më jepet. Kur ta shoh Allahun do lëshohem me fytyrë në sexhde para Tij dhe Ai do të më lërë në këtë gjendje aq sa të dëshirojë, pastaj do më thuhet: (O Muhamed) Ngrije kokën! Kërko dhe kërkesa do të plotësohet!

Unë do të të ngre kokën dhe do të lavdëroj Allahun me një dua që Ai do të ma mësojë dhe pastaj do të ndërmjetësoj. Ai do të më vendosë një kufi për ata që do të pranohen në Xhenet. Pastaj do kthehem përsëri tek Allahu, dhe kur ta shoh Allahun përsëri e njëjta gjë do përsëritet me mua.

Pastaj do ndërmjetësoj për një grup tjetër dhe Allahu do të më vendos një kufi për ata që do pranohen në Xhenet. Pastaj do kthehem përsëri për herë të tretë, pastaj për herë të katërt dhe do të them: Askush nuk do të mbetet në Xhehenem përveç atyre të cilët i ka burgosur Kurani, të cilët kanë qenë të paracaktuar për qëndrim të përhershëm në Xhehenem.”

Ebu Abdullahu shpjegon se shprehja; “përveç atyre të cilët i ka burgosur Kurani” lidhet me shprehjen që përmendet në Kuran: “Për të mbetur atje përgjithmonë.”

“Sahih el-Buhari” hadithi me nr. 4476.

Dosje: , ,

Loading...