Ndërrimi i çorapeve para se të marrësh mes’h

January 14, 2023

Pyetje: Mora abdes dhe vesha çorapet pastaj i hoqa ato, dhe kur u kujtova se do më duhen për mes’h i vesha prapë. A quhet mes’hi mbi këto çorape?

Përgjigje: Dihet se veshja e çorapeve për atë që do t’iu japë mes’h atyre, duhet të jetë pas një abdesi të plotë me larje të pjesëve të abdesit siç ka ardhur në hadithin e Mugira bin Shube radiallahu anhu:
“Isha me Profetin alejhi selam në udhëtim dhe (kur ai deshi të merrte abdes) u ula për t’ia hequr mestet, mirëpo ai më tha: Lëri se këmbët i kam futur të pastra (me abdes).” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Nëse dikush i heq çorapet pa iu prishur abdesi i parë dhe i vesh prapë pa iu prishur ai abdes nuk përbën problem, sepse veshja e tyre vazhdon të quhet veshje me abdes. Ndërsa nëse i ka hequr ato pasi e ka prishur abdesin e parë atëherë ai nuk mund të përdorë më mes’hin nëse i vesh ato, sepse veshja e tyre nuk quhet më veshje me abdes.

Është edhe një pyetje tjetër që bëhet shpeshherë: Nëse dikush ka abdes, por pasi e ka futur në përdorim mes’hin i ka hequr çorapet dhe i ka veshur prapë, a mund të vazhdojë mes’hin mbi to për kohën mbetur?

Përgjigja është serish jo edhe pse abdesi nuk i prishet me heqjen e çorapeve, ama koha e mes’hit prishet, sepse veshja e tyre serish nuk quhet më veshje me abdes të plotë d.m.th. me larje të plotë. Kjo ka ardhur në hadithin e lartpërmendur apo në hadithin tjetër:
“Profeti alejhi selam na porosiste që të mos i heqim mestet kur jemi mysafirë tri dite dhe netë, as kur kryejmë nevojat dhe as kur flemë gjumë, veçse për xhunubllëk.” E transmeton Tirmidhiu, Ibën Maxhe, Nesai etj. dhe e saktëson shejh Albani.
Ndërsa abdesi nuk prishet me heqjen e tyre dhe ky gjykim është marrë nga veprimi i Aliut radiallahu anhu, për të cilin thuhet:
“Aliu mori abdes dhe u dha mes’h nallaneve. Më pas u fut në xhami, i hoqi ato, dhe kur muezini thirri ikametin u fal.” E transmeton Nesai, Tahauij etj. dhe e saktëson shejh Albani.

 

Dr. Abdullah Nabolli

Loading...