Në cilat situata mund të zbatohen pjesët e Kuranit të zbritura në Meke dhe ato të zbritura në Medine?
Shejhul Islam Ibën Tejmije është i mendimit se; pjesët e Kuranit të shpallura në Meke që ftojnë për durim ndaj lëndimeve dhe për mos konfrontimin me jobesimtarët, mund të zbatohen kur gjendja e muslimanëve të jetë e dobët. Ndërsa pjesët e Kuranit të shpallura në Medine që ftojnë në përballje dhe forcë, mund të zbatohen kur gjendja e muslimanëve të jetë e fortë dhe e qëndrueshme.
Këtë mendim ai e sqaroi duke thënë: “Këto ajete (të zbritura në Meke) bëhen të zbatueshme për të gjithë besimtarët e dobët, të cilët nuk janë në gjendje të ndihmojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij me duart apo gjuhën e tyre, prandaj le të ndihmojnë me aq sa munden qoftë dhe me zemrat e tyre apo diçka të ngjashme. Ndërsa ajetet përçmuese ku qortohen disa besimtarë u drejtohen të gjithë atyre besimtarëve të fortë, të cilët kanë aftësinë për të ndihmuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij me duart dhe gjuhët e tyre dhe nuk e bëjnë këtë.
Me këto ajete punuan muslimanët në periudhën e fundit të jetës së Profetit, salAllahu alejhi ve sel-lem, dhe gjatë epokës së prijësave të drejtë e të udhëzuar, dhe kështu do të mbetet deri në kohën e fundit. Gjithmonë do të ekzistojë një grup prej këtij umeti që do ta mbështesë të vërtetën dhe do ta ndihmojë plotësisht Allahun dhe të Dërguarin e Tij.
Përsa u përket muslimanëve që jetojnë (në një vend) ku ndihen jo të fuqishëm, në këtë rast ata duhet të veprojnë me ajetet e durimit dhe tolerimit ndaj idhujtarëve dhe ithtarëve të librit të cilët e lëndojën Allahun dhe Profetin e Tij. Ndërsa ata që ndihen të fortë dhe të mundshëm duhet të veprojnë sipas ajeteve që nxisin për t’u përballur me parinë e mohuesve që cënojnë fenë, si dhe ndaj atyre që janë ithtarë të Librit, derisa të paguajnë xhizjen dhe të ndihen të poshtëruar.[1]
Unë them: Fjalët e Ibën Tejmijes mbështeten në fjalën e Allahut që thotë: “Thuaju besimtarëve që t’i falin ata që nuk shpresojnë në ditët e Allahut,[2] kështu që Ai të shpërblejë çdo popull sipas veprave të veta.” |El Xhathije: 14|
Allahu i Lartësuar e urdhëron të dërguarin e Tij që në kohë të vështira dhe dobësie t’iu thotë besimtarëve që jetuan në Meke para se të emigronin në Medine, që t’i anashkalojnë dhe tolerojnë ata që i cënonin prej jobesimtarëve dhe të mos e kthejnë lëndimin me të njëjtën monedhë. E gjithë kjo tregon për ligjshmërinë e tolerancës ndaj jobesimtarëve në periudhën e pamundësisë dhe dobësisë së muslimanëve.
Cila është detyra jonë si muslimanë?
1- Ah sikur xhematet Islame të zbatonin atë që ka zbritur në pjesët e Kuranin të shpallur në Meke, të cilat ftojnë për durim dhe tolerancë derisa të vijë ndihma e Allahut!
2- Detyrë e jona është që të zbatojmë ligjet islame në vetet tona, pasi shohim disa njerëz që ftojnë në xhihad dhe në zbatimin e sheriatit por mjerisht nuk e zbatojnë Islamin në vetet e tyre.
3- T’i ftojmë me urtësi, këshillë të mirë dhe fjalë të buta udhëheqësit e muslimanëve dhe ndihmësit e tyre, që të zbatojnë ligjet e Islamit ashtu siç bëri Musai dhe Haruni me Faraonin.
4- Në kohë dobësie le të jetë xhihadi ynë me pasuri dhe me këshilla (të folur), duke zbatuar kështu fjalën e Profetit salAllahu alejhi ve sel-lem që thotë: “Luftojini idhujtarët me pasurinë tuaj, me shpirtin dhe me gjuhën tuaj.”
5- Të ftojmë Umetin – si individët ashtu dhe bashkësinë – që të zbatojnë ligjet e Islamit mbi vetet e tyre, në mënyrë që të rriten duke e dashur Islamin dhe duke e praktikuar atë në tokë. Një nga thirrësit bashkëkohorë Islam thoshte: “Ngrijeni shtetin Islam në zemrat tuaja dhe ai do të ngrihet për ju në tokat tuaja.”
6- Cila duhet renditur e para: Thirrja në sistemin e besimit – akidja -, apo thirrja në sovranitetin e sundimit (hakimije) që i takon vetëm Allahut? Kësaj pyetjeje iu përgjigj njëri prej thirrësave të shquar musliman Muhamed Kutb, në një ligjëratë që mbajti në “Darul hadith” në Meke.
Këto janë fjalët që tha: Pyetje: “Disa njerëz thonë se Islami do të rikthehet përmes rrugës së hakimijes (pushtetit), ndërsa të tjerë thonë se Islami do të kthehet me anë të korrigjimit të sistemit të besimit (akides) dhe edukimit të masave. Cili pohim është i saktë?”
Përgjigje: “Prej nga do të vijë sovraniteti i sundimit të Allahut – hakimije – i kësaj feje në tokë, nëse thirrësit muslimanë nuk i korrigjojnë besimet e njerëzve dhe nëse njerëzit nuk praktikojnë besim të vërtetë? Të tillë që kur të sprovohen të kenë durim dhe të bëjnë xhihad në rrugën e Allahut, dhe kështu feja e Allahut të sundojë në tokë? Kjo është një çështje shumë e qartë. Ligjet për tu zbatuar nuk duhet të presim të vijnë nga qielli sepse ato nuk zbresin nga qielli. Është e vërtetë se çdo gjë vjen nga qielli por përmes mundit të njerëzve, dhe këtë Allahu ua ka kërkuar njerëzve: “Sikur të donte Allahu do t’i shkatërronte ata, por Ai dëshiron t’ju sprovojë me njëri-tjetrin.” |Muhamed: 4|
Duhet të fillojmë me përmirësimin e besimit dhe edukimin në akiden e saktë, në mënyrë që të kemi breza që kur sprovohen të durojnë në këto sprova njësoj siç duruan brezat e parë.
Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”
Shkroi: Shejh Muhamed Xhemil Zejno
Përktheu: Fatjon Isufi
——————————————————–
[1] “Es Sarim el Meslul” 221.
[2] D.m.th. shpërblimin e Allahut.
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi