Nëse dëshiron të ftosh dikë në Islam nga duhet të fillosh dhe çfarë duhet t’i flasësh?

Nëse dëshiron të ftosh dikë në Islam nga duhet të fillosh dhe çfarë duhet ti flasësh?

Falënderimi i takon Allahut!

Thirrja e njerëzve për tek Allahu duhet të shoqërohet me urtësi, me këshilla të mira dhe butësi, larg vrazhdësisë, qortimeve dhe vërejtjeve. Thirrësit për tek Allahu duhet të përqëndrohen në çështjet më të rëndësishme dhe të kalojnë pastaj në ato që vijojnë. Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) i tha Muadh ibn Xhebelit kur e dërgoi në Jemen: “Së pari thirri ata të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij. Nëse përgjigjen, kërkoju që të falin pesë namaze ditore. Nëse përgjigjen, thuaju atyre se Allahu ka obliguar dhënien e Zekatit (lëmoshën vjetore) që duhet të merret nga të pasurit dhe t’u shpërndahet të varfërve.”

Kështu pra, kalojmë nga më e rëndësishmja tek të tjerat që janë më pak të rëndësishme dhe zgjedhim rastet, kohën dhe vendin e duhur për t’i ftuar ata (në Islam). Mund të jetë e përshtatshme që dikush të ftohet duke qenë në shtëpinë tënde dhe të flasësh me të, ashtu siç mund të jetë e përshtatshme të udhëtosh deri tek shtëpia e dikujt tjetër për t’a ftuar (në Islam). Mund të jetë gjithashtu e përshtatshme t’a ftoni në një kohë dhe jo në një kohë tjetër. Në çdo rast, muslimani i arsyeshëm dhe largpamës di si të sillet kur i fton njerëzit në të vërtetën.

 

Muhamed bin Salih el Uthejmin

Përktheu: Fatjon Isufi