A prishet agjërimi nëse ha apo pi nga harresa?

April 12, 2022

Falënderimi i takon Allahut!

Kur harron dhe ha diçka gjatë agjërimit kjo nuk e prish atë dhe agjërimi i tij vazhdon të jetë i vlefshëm. Në fund të sures el-Bekare Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim!” El-Bekare 2:286.

Është transmetuar në një hadith të saktë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), se Allahu i Madhëruar pas lutjes së besimtarëve ka thënë: “Unë e bëra atë (e pranova lutjen tuaj).”

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Pejgamberi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush harron se është duke agjëruar dhe ha ose pi, le ta plotësojë agjërimin e tij sepse Ai që e ushqeu dhe i dha të pijë ishte Allahu.” Mutefekun alejhi.

E njëjta gjë vlen edhe nëse ai kryen marrëdhënie intime për shkak të harresës. Agjërimi i tij është ende i vlefshëm sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, për shkak të ajetit që përmendëm më lart dhe të këtij hadithi, dhe për shkak se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush e prish agjërimin në Ramazan nga harresa, ai nuk ka pse ta plotësojë atë ditë dhe nuk ka pse të ofrojë shlyerje (kefara).” E përcjell Hakimi i cili dhe e ka saktësuar atë.

Ky formulim i përfshin marrëdhëniet intime dhe gjëra të tjera që prishin agjërimin, nëse agjëruesi i bën ato nga harresa. Kjo është prej mëshirës, bujarisë dhe mirësisë së Allahut, për të cilën ne e lavdërojmë dhe falënderojmë Atë.

 

Mexhmu Fetava Ibën Baz: 4/193.

Përktheu: Fatjon Isufi

Loading...