Nga ligjet e mjekësisë në Islam

August 25, 2015

Nga Amr ibn Shuajb, ky nga babai i tij, e ky nga gjyshi i tij përcillet se: I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Kush merret me mjekësi (me shërimin e njerëzve) pa pasur dije për mjekësinë, ai është garantues (mban përgjegjësi)” Transmeton Ebu Daudi dhe Nesaij.
Hadith i mirë. Transmeton Ebu Daudi në kapitullin e shpagimit të vrasjes, tema: Ai që merret me shërime pa pasur dije (4586). Dhe e ka konsideruar hadithin të mirë shejkh Albanij në: “Sahihah” (228/2).

Ky hadith tregon me shprehjen dhe përmbajtjen e tij se: nuk lejohet për askënd që të merret me ndonjë zanat, apo profesion, nëse ai nuk e njeh mirë atë, pa marrë parasysh a është ai mjekësi, apo diçka tjetër. Dhe se ai që guxon dhe i hyn kësaj pune, ai është gjynahqar, dhe pasojat e punës së tij, nëse vdes dikush, apo dëmtohet një gjymtyrë (apo organ), apo të ngjashme me të (prishet pasuria), ai mban përgjegjësi për këtë, dhe pasuria që ka marrë në këmbim të “shërbimit” të tij, apo të ushtrimit të atij zanati që ai nuk e njeh mirë, i kthehet atij që i ka shpenzuar, sepse ai (pacienti, apo kërkuesi i atij shërbimi) nuk e ka shpenzuar atë pasuri veçse duke menduar se ky është i aftë në zanatin që bën.
Dhe kjo gjë hyn tek mashtrimi, dhe: “Kush na mashtron nuk është prej nesh”

Shejkh Abdurrahman Es’Sa’dij – Allahu e mëshiroftë – “Behxhetu kulubil ebrar” (Hadithi 54).

Po ata që merren me dhënien e fetvave dhe “përhapjen” e Islamit, e “mbrojtjen e Sunetit” (siç pretendojnë), me injorancë, çfarë gjykimi kanë?!
Përgjigja është tek ju të nderuar. Nuk kemi çtë themi tjetër veç asaj që tha Profeti i Allahut, Musa alejhis-selam: “Tha: I kërkoj mbrojte Allahut që të jem prej injorantëve” (Bekarah: 67)

Loading...