Mjetet e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja

October 29, 2023

Mjetet e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja:

1-Hytbet. Ditën e xhuma dhe ditët e dy bajrameve. Në to duhet të flitet për llojet e ndryshme të ligësive.

2- Leksionet dhe shkrimet. Në revista apo gazeta ku të diagnostikohen sëmundjet e shoqërisë dhe të rekomandohet ilaçi kurues.

3- Libri. Përmes librit autori parashtron mendimet e tij për përmirësimin e shoqërisë.

4- Këshilla publike. Ajo që mbahet në një tubim ku një prej të pranishmëve flet për shembull për dëmet shëndetësore dhe ekonomike që shkakton duhanpirja.

5- Këshilla në privat. Ajo që dikush ia jep vëllait musliman në privat për heqjen e unazës së floririt për shembull ose për moslënien e namazit, apo për mos t’iu lutur dikujt tjetër veç Allahut (eulijave p.sh.).

6- Broshura. Ajo është një nga mjetet më të dobishme ngase çdo njeri mundet të lexojë disa faqe mbi namazin, luftën, zekatin dhe mëkatet e mëdha si; lutja drejtuar të vdekurve dhe kërkimi i ndihmës prej tyre.

7- Inçizimet e ndryshme islame të cilat janë shumë të dobishme, dhe në veçanti për ata që nuk dinë të lexojnë.

Kriteret e urdhëruesit për mirë:

1- Urdhërimi dhe ndalimi i tij të bëhet me butësi në mënyrë që njerëzit ta pranojnë. Allahu i Madhëruar ka thënë ndërsa i drejtohej Musait dhe Harunit: “Shkoni te Faraoni se vërtet ai e ka tepruar, dhe thuajini atij fjalë të buta se mbase ndërgjegjësohet ose druhet.” |Ta ha: 43-44.

Pra, nëse sheh dikë që fyen dhe bën kufër këshilloje me butësi dhe thuaji që të kërkojë mbrojtjen e Allahut prej shejtanit të mallkuar, i cili e ka shtyrë atë që të fyej. Thuaj se Allahu i Cili na ka krijuar dhe na ka begatuar me mirësitë e Tij të shumta meriton të falënderohet. Kufri nuk sjell asnjë të mirë, por përkundrazi, ai bëhet shkak për mjerim në këtë jetë dhe për ndëshkim në jetën tjetër. Pastaj e urdhëron atë që të pendohet dhe të kërkojë falje.

2- Të njohë atë që është e lejuar dhe atë që është e ndaluar në çështjet që ai urdhëron, në mënyrë që të sjellë dobi dhe jo të dëmtojë me padijen e tij.

3- Atij që urdhëron për mirë i ka hije të jetë zbatues i asaj për të cilën ai i urdhëron të tjerët dhe të ruhet nga ajo prej së cilës i ndalon të tjerët, në mënyrë që dobia të jetë sa më e plotë dhe sa më frytdhënëse. Allahu i Madhëruar ka thënë duke adresuar ata që urdhërojnë të tjerët por vet nuk e zbatojnë: “A po i urdhëroni njerëzit për punë të mira ndërsa veten tuaj po e harroni, ndërkohë që ju e lexoni librin? A nuk logjikoni!” |El Bekare: 44.

Ai që ka një ves duhet t’i paralajmërojë të tjerët prej tij duke e pranuar fajin.

4- Të jemi të sinqertë në punën tonë dhe të lutemi për kundërshtarët që ata të udhëzohen në rrugën e drejtë, në mënyrë që të jemi të justifikuar para Allahut të Madhëruar. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe kur një grup prej tyre thanë: Përse këshilloni një popull që Allahu do ta shkatërrojë ose do ta dënojë me një dënim të ashpër? – Thanë (këshilluesit): Arsyetimi para Zotit tuaj dhe me shpresë që t’ju largohen gabimeve.” |El A’raf: 164.

5- Urdhëruesi për punë të mira duhet të jetë njeri i guximshëm, të mos i trembet asnjë kritike në kauzën e Allahut, dhe t’i durojë sprovat duke zbatuar porosinë e Lukmanit për djalin e tij: “O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira dhe ndalo nga të këqijat, dhe përballo me durim çdo gjë që të godet. Vërtet, këto janë nga çështjet më të preferuara.” |Lukman: 17.

Marrë nga libri: “Orientimi i muslimanëve”.

Autor: Xhemil Zejno

Përktheu: Rexhep Milaqi

Dosje: ,

Loading...