Ngrënësi i kamatës

September 20, 2017

Ngrënësi i kamatës.

Shejh Ebu Islam Salih bin Taha Abdulvahid (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Allahu i Lartësuar në Librin e Tij thotë: “Dhe kur të sillet Xhehenemi atë ditë njeriu do të kujtohet, por ç’i duhet se u kujtua! Ai do të thotë: “Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!” Atë ditë askush nuk do të dënojë siç dënon Ai, e askush nuk do të lidhë në pranga siç lidh Ai![1]

I Lartësuari thotë gjithashtu: “Ja, ky është Xhehenemi të cilin e mohonin keqbërësit! Ata do të sillen në mes të zjarrit dhe ujit të valuar në kulm.”[2]

Takimi ynë sot -inshaAllahu teala- është me një nga të përgëzuarit me zjarr, por ai nuk do jetë në të përjetësisht nëse vdes si njësues i Allahut.

A e dini se kush është ai o robër të Allahut?

Ai është ngrënësi i kamatës.

Ngrënësin e kamatës Allahu i Lartësuar e ka përgëzuar me zjarr në Librin e Tij, ku thotë: “Ata të cilët hanë kamatën[3] nuk ngrihen[4] ndryshe veçse ashtu si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet. Kjo sepse ata thonë se tregtia është njësoj si kamata, por Allahu e ka lejuar tregtinë dhe e ka ndaluar kamatën.[5] Prandaj, atij të cilit i vjen këshillë nga Zoti i tij[6] dhe i jep fund (kamatës), ajo që ka kaluar është e tij[7] dhe çështja e tij është tek Allahu.[8] Ndërsa ata që kthehen sërish,[9] ata janë banorët e zjarrit ku do të qëndrojnë përgjithmonë.[10][11]

I Lartësuari thotë: “O ju, që keni besuar! Mos e hani kamatën shtesë mbi shtesë të shumëfishtë[12], dhe kijeni frikë Allahun[13] që të shpëtoni! Kini frikë zjarrin[14] i cili është përgatitur për mosbesimtarët![15] Bindjuni Allahut[16] dhe të Dërguarit që të mëshiroheni.”[17]

Përse është përgëzuar me zjarr ngrënësi i kamatës?

E para: Sepse ai ka mëkatuar ndaj Allahut.

Ai ka kundërshtuar Allahun dhe i ka kaluar (shkelur) kufijtë e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Këto janë kufijtë e Allahut ndaj mos i kaloni ata, sepse ata që i kalojnë kufijtë e Allahut pikërisht ata janë të padrejtët.”[18]

I Lartësuari thotë: “Ndërsa kushdo që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, si dhe i shkel kufijtë e vendosur nga Ai, Allahu e fut atë në zjarr ku do të qëndrojë përgjithmonë dhe do të ketë dënim poshtërues.[19][20]

Allahu i Lartësuar e ka ndaluar kamatën në Librin e Tij dhe në gjuhën e të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Allahu i Lartësuar thotë: “Por Allahu e ka lejuar tregtinë dhe e ka ndaluar kamatën.[21]” El-Bekare: 275.

I Lartësuari thotë: “O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe hiqni dorë nga ajo që ka mbetur prej kamatës,[22] nëse vërtetë jeni besimtarë.”[23]

O ju që keni besuar! Mos e hani kamatën shtesë mbi shtesë të shumëfishtë[24].”[25]

I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Largohuni nga shtatë shkatërrueset.” I thanë: O i Dërguar i Allahut, kush janë ato? – Dhe përmendi prej tyre: “…. ngrënia e kamatës.”[26]

Pas këtyre argumenteve për ndalimin e kamatës ngrënësi i saj (kamatës) i kalon kufijtë e Allahut të Lartësuar dhe vazhdon e ha kamatën!!

 

Vijon…

“El-Mubeshirune bin-Nar. Durusun ue idhaatun ue iberun.”

Përktheu: Unejs Sheme

—————————————

[1] El-Fexhr: 23-26.

[2] Er-Rrahman: 43-44.

[3] Ata që punojnë me kamatë, që e marrin dhe e japin atë.

[4] Nga varret e tyre në ditën e ringjalljes.

[5] Shtesa që vjen nga kamata nuk është njësoj si shtesa që vjen nga tregtia por mes tyre ka dallim të madh, sepse e para është padrejtësi ndërsa e dyta e fituar me punë dhe djersë.

[6] Përkujtimi dhe paralajmërimi që përmendet në ajetet e Kuranit në lidhje me pasojat e kamatës dhe përfundimin e praktikuesit të saj.

[7] Kamata që ka ngrënë dhe ka praktikuar para se t’i vijë këshilla është në favor të tij, dhe ai nuk do të merret në llogari për të si shpërblim për pranimin e këshillës që i erdhi dhe dhënies fund kamatës.

[8] Shpërblimi i tij është tek Allahu dhe e ardhmja e tij është në Dorë të Allahut, i Cili nëse do e ruan atë nga rënia përsëri në kamatë dhe nëse do e lë të bier përsëri në të.

[9] Që i kthehen praktikimit të kamatës dhe nuk u bën dobi këshilla, por vazhdojnë me këmbëngulje të praktikojnë kamatën.

[10] Fjala më e saktë e dijetarëve në lidhje me komentimin e ajeteve ku përmendet kërcënimi me qëndrim të përjetshëm në zjarr të atyre që veprojnë gjynahe të mëdha, siç është; ngrënia e kamatës, vrasja e një besimtari pa të drejtë etj. është të thuhet se këto vepra për të cilat Allahu ka caktuar përjetësi në zjarr e meritojnë atë dënim. Ai është dënimi i caktuar për to sikur të mos kishte ndonjë arsye tjetër që e pengon këtë dënim dhe e anullon atë. Por arsyeja dhe pengesa ekziston. Ajo është njësimi i Allahut dhe besimi, dy gjëra të cilat pengojnë që poseduesi i tyre të qëndrojë përgjithmonë në zjarrin e xhehenemit. Tekstet nga Kurani dhe Suneti si dhe unanimi i të parëve të ymetit musliman e pohojnë dhe e vërtetojnë këtë gjë. Sikur njeriu të mos ishte njësues i Allahut dhe larg ortakërisë së Tij, vepra e tij e keqe do ta fuste në zjarr pa e hedhur vështrimin te mosbesimi i tij. E si do të ishte puna e tij kur i bashkon edhe mosbesimin edhe veprat e këqija?! Shejh Abdurrahman es-Sadij (Allahu e mëshiroftë).

[11] El-Bekare: 275.

[12] Ashtu si e hanit në kohën e injorancës para Islamit: Kur dikush i jepte tjetrit një sasi të caktuar pasurie deri për në një afat të caktuar, pastaj vinte koha e kthimit të borxhit dhe ai nuk kishte para ta kthente, i kërkonte shtyrje të afatit kundrejt një shtese mbi pasurinë e tij që mori borxh.

[13] Në çështjen e kamatës dhe në çdo urdhër e ndalesë të Allahut, dhe bindjuni Allahut që të shpëtoni nga dënimi i Tij dhe të fitoni Xhenetin e Tij.

[14] Ku mund të futeni për shkak të ngrënies së kamatës pasi Allahu ua ka ndaluar atë.

[15] Zjarri i xhehenemit është përgatitur për mohuesit e Allahut. Prandaj mos e thyeni urdhrin Tim dhe mos e lini bindjen ndaj Meje pas besimit tuaj, sepse përndryshe do të futeni në zjarrin e përgatitur për mohuesit!

[16] O besimtarë, bindjuni Allahut në çdo gjë që ju ndalon prej praktikimit të kamatës dhe çdo ndalese tjetër, dhe bindjuni të Dërguarit të Tij Muhamedit në çdo gjë që ju urdhëron e ju ndalon, sepse ai nuk flet nga vetja e tij por me urdhër nga Allahu.

[17] Al-Imran: 130-132.

[18] El-Bekare: 229.

[19] Qëndrimi përgjithmonë në zjarrin e xhehenemit do të jetë për ata që vdesin duke qenë mohues dhe mosbesimtarë. Kurse ata që vdesin duke qenë besimtarë por që kanë vepruar të këqija për të cilat meritojnë dënimin, edhe nëse Allahu i dënon ata në zjarr nuk do t’i lërë përgjithmonë në të, por do t’i nxjerrë nga ai dhe do t’i fusë në Xhenet.

[20] En-Nisa: 14.

[21] Shtesa që vjen nga kamata nuk është njësoj si shtesa që vjen nga tregtia, por mes tyre ka dallim të madh. E para është padrejtësi ndërsa e dyta e fituar me punë dhe djersë.

[22] Mos e kërkoni pjesën e mbetur pa marrë nga shtesa e vendosur mbi kapitalin tuaj fillestar, por hiqni dorë nga kamata në çast dhe përgjithmonë.

[23] El-Bekare: 278.

[24] Ashtu si e hanit në kohën e injorancës para Islamit; kur dikush i jepte tjetrit një sasi të caktuar pasurie deri në një afat të caktuar, pastaj vinte koha e kthimit të borxhit dhe ai nuk kishte ta kthente. Ai i kërkonte shtyrje të afatit kundrejt një shtese mbi pasurinë e tij që mori borxh.

[25] Al-Imran: 130.

[26] Mutefekun alejhi.

Dosje: ,

Loading...