Ngrënia në të njëjtën tryezë me atë që pi alkool

November 22, 2023

Të ulurit me ata që pijnë alkool, muslimanë apo jomuslimanë, është veprim i ndaluar. Allahu i Madhëruar lidhur me ata që ulen me njerëz që shprehin kufër ose gjëra të pavërteta, ka thënë: “Mos u ulni me ta derisa ata të ndërrojnë temë.” | En Nisa: 140.

Imam Taberiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Në këtë verset ka dëshmi të qartë se është e ndaluar ulja me ithtarët e të pavërtetës të të gjitha kategorive, heretikëve dhe të shthururve gjatë kohës që ata janë duke folur rreth të pavërtetave të tyre!

Xhabiri ka transmetuar se Profeti, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe në ditën e fundit, të mos ulet në sofrën ku shërbehet verë.” Transmeton Tirmidhiu me nr. 2801. Shejh Albani e ka vlerësuar si hadith të gradës së mirë.

Autori i librit “Tuhfetul ahuedhi” ka thënë: “Domethënë edhe nëse ai vet nuk pi me ta, sepse prania e tij me ta dëshmon se ai e miraton ligësinë e tyre.”

Kësisoj, nuk i lejohet që të ulet me ta dhe të tregojë mirësjellje edhe pse vet nuk pi alkool, sepse në këtë situatë ai është si një memec që e sheh të keqen dhe nuk flet.

Ndërkohë besimtari e ka për detyrë që kur t’i shohë njerëzit në atë gjendje t’i këshillojë, e nëse ata nuk ia dëgjojnë fjalën, të largohet dhe të ndahet nga ata.

Allahut i lutemi të na ruaj nga ligësitë! Paqja qoftë mbi Profetin tonë Muhamedin!

 

Përktheu: Rexhep Milaqi

Dosje:

Loading...