Një festë në javë për përkujtimin e Allahut

Një festë javore të ligjësuar nga Allahu i Madhëruar për përkujtimin e Tij e gjejmë herët në mesin e besimtarëve. Gjurmët e para të këtij zakoni i hasim te hebrenjtë për të cilët Allahu thotë:  “Në të vërtetë, e shtuna u caktua (për përkujtimin e Allahut) për ata që patën kundërshtime në lidhje me të. Sigurisht që Zoti yt do t’i gjykojë ata ditën e kiametit për atë çështje që nuk pajtoheshin.” Suretu En-Nahl: 124.

Ky ajet përmban disa fakte: I pari: Allahu ka caktuar një ditë feste në javë për besimtarët për përkujtimin e Tij.

I dyti: E shtuna është ditë feste për përkujtimin e Allahut për hebrenjtë.

I treti: E shtuna -si festë për hebrenjtë- ka ardhur pas një kundërshtimi në lidhje me caktimin e saj. Të gjitha këto fakte janë të qarta në ajet sepse edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë të pranishme në mesin e njerëzve, me përjashtim të faktit të tretë i cili ka nevojë për sqarim sepse debati rreth tij akoma vazhdon.

Imam Taberiu në komentimin e këtij ajeti thotë: “Nuk e ka caktuar Allahu madhërimin e të shtunës veçse për shkak të kundërshtimit të tyre. Disa thanë: Ajo (e shtuna) është dita më e madhe e javës, sepse Allahu i Madhëruar e ka mbaruar krijimin ditën e xhuma dhe dita e shtunë ishte ndërprerje (mes ditës së fundit të krijimit dhe ditës së fillimit të tij). Ndërsa të tjerët thanë: Më e madhja është dita e diel, sepse ajo është dita e fillimit të krijimit.” Shih ‘Tefsir imam Et-Taberij’: 17/320.

Edhe profeti ynë Muhamedi -alejhi selam- e ka pohuar këtë kundërshtim mes tyre dhe ka thënë: “Ne jemi të fundit (në dynja) dhe të parët ditën e kiametit, edhe pse atyre i’u dha libri para nesh e neve na u dha pas tyre. Kjo është dita të cilën Allahu ua kishte obliguar (për festë) por ata ranë në kundërshtim, kurse neve na udhëzoi Allahu për në të. Ata janë pas nesh, pra Hebrenjtë e kanë të shtunën ndërsa të krishterët të dielën.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ky citat profetik përveçse pohon faktin e kundërshtimit në lidhje me caktimin e së shtunës, na tregon edhe një realitet tjetër të panjohur më parë dhe që është ai i ditës së xhuma. Që do të thotë se: Allahu ua ka kërkuar atyre ditën e xhuma për festë dhe popujt që kanë njohur librat e hershëm të Allahut për shkak të debateve të tyre me profetët janë orientuar tek ditë të tjera dhe jo te dita të cilën e kishte kërkuar Allahu.

Ibn Kethiri (komentuesi i njohur i Kuranit -Allahu e mëshiroftë-) në lidhje me këtë çështje thotë: “Thuhet se Allahu i Madhëruar të xhumanë ua kishte caktuar (për festë) Beni Israilëve nëpërmjet Musait -alejhi selam-, mirëpo ata e shmangën atë dhe zgjodhën të shtunën. Kjo ngase ajo është dita në të cilën Allahu nuk ka krijuar gjë prej krijesave pasi që e kishte plotësuar krijimin e tyre ditën e xhuma. Pastaj Allahu ua bëri detyrë atë (ua caktoi të shtunën për festë edhe pse ajo nuk ishte dita e kërkuar) në ligjet e Teuratit. Ai i porositi të kapen fort pas saj dhe t’a ruajnë mirë atë, duke i porositur njëkohësisht edhe për pasim të Muhamedit -alejhi selam- kur Ai t’a dërgonte atë profet, dhe u mori besën atyre për këtë.”

Pastaj Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- shton: “Ata (hebrenjtë) vazhduan t’a ruajnë këtë zakon derisa Allahu dërgoi Isain të birin e Merjemes -alejhi selam. Thuhet se ai ua ndërroi atë me të dielën, mirëpo thuhet gjithashtu se ai nuk e ka lënë ligjin e Teuratit më përjashtim të atyre ligjeve që i’a anuloi Allahu i Madhëruar. Ai ka vazhduar t’a respektojë të shtunën derisa Allahu e ngriti në qiell, por të krishterët pas tij në kohën e Kostandinit (mbreti i parë Romak i krishterë) e ndërruan atë me të dielën për të kundërshtuar hebrenjtë. Ata u drejtuan nga lindja në lutjet e tyre në vend të shkëmbit (në xhaminë e Aksasë). Allahu e di më së miri!”  Shih tefsirin e Ibn Kethirit: 4/612.

Këtë realitet të cilin e përcjellin citatet e Kuranit, të hadithit dhe librat e historisë, na konfirmojnë caktimin e një dite si festë javore për besimtarët, ashtu si na tregojnë për rëndësinë e ditës së xhuma të cilën nuk e patën rrizk umetet e mëparshme për t’a patur festë. Atë rrizk e pati Muhamedi -alejhi selam- dhe pasuesit e tij deri në ditën e gjykimit.

 

Dr. Abdullah Nabolli