Një grua e moshuar që ka humbur logjikën, a e ka detyrë kompensimin me ushqim në vend të agjërimit?

June 5, 2017

Dikush pyet: Një grua e moshuar që ka humbur logjikën, a e ka detyrë kompensimin me ushqim në vend të agjërimit?

Përgjigja: Profeti -alejhi selam- thotë: “Lapsi është ngritur për tre veta: për atë që është në gjumë derisa të zgjohet, për të voglin derisa të arrijë moshën e pjekurisë, dhe për atë që ka humbur logjikën derisa t’i kthehet.” E transmeton Buhariu.
Në këtë hadith kemi lirimin nga përgjegjësia të këtyre tre kategorive njerëzish, dhe ky është lirim i përgjithshëm sepse në atë gjendje nuk e logjikojnë urdhrin e aq më tepër ta kryejnë atë. Përgjegjësia e këtyre tre kategorive fillon kur këto pengesa i ikin, me përjashtim të atij që është në gjumë të cilit sheriati i ka kërkuar atë vepër që i ka ikur gjatë kohës së gjumit. Ky përjashtim është vetëm për shkak të hadithit: “Kujt i ka ikur ndonjë namaz nga gjumi apo harresa le ta kryej atë atëherë kur të kujtohet.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi. Ndërsa dy kategoritë e tjera mbeten te origjina, që d.m.th. lirohen plotësisht nga përgjegjësia.
Sheihu-islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë), bazuar në këtë hadith thotë: “Urdhrat dhe ndalesat të cilat dijetarët i quajnë përgjegjësitë e ngarkuara me sheriat, janë të kushtëzuar me dijen dhe mundësinë (ta njohësh urdhrin dhe ta kesh të mundur zbatimin e tij). Sheriati nuk ngarkon me detyra atë që nuk mund të logjikojë, si ai që ka humbur arsyen dhe fëmija. Dhe as nuk ngarkon me detyra atë që e ka të pamundur zbatimin, si; i verbri, çalamani dhe i sëmuri në lidhje me xhihadin. Siç nuk e kanë detyrë as pastrimin me ujë, namazin në këmbë, agjërimin etj. prej punëve që nuk mund t’i kryejnë.” Shih “Mexhmu El-Fetaua” 10/244.

Është pyetur sheih Albani (Allahu e mëshiroftë): Një grua ka humbur logjikën dhe nuk di as namaz as agjërim, ndërkohë që më përpara falej dhe agjëronte. A hyn kjo te fjala e Allahut: “Ata të cilët kanë vështirësi në agjërim le ta kompesojnë atë (çdo ditë) me ushqimin e një të varfri.”
Sheih Albani: Jo. Ajo nuk është e ngarkuar me përgjegjësi nga sheriati.
Pyetësi: As fëmijët e saj nuk japin ushqim për të?
Sheih Albani: Jo.

Shih kasetën “Silsilet el-huda ue En-nur” me nr. 1063.

Loading...