Pyetje: A është e saktë se Allahu i ka krijuar krijesat në errësirë dhe pastaj nuk është udhëzuar prej tyre veçse ai që i ka hedhur dritë Allahu?
Përgjigje: Po, kjo gjë është transmetuar nga Profeti -alejhi selam- siç tregon Abdullah bin Amr bin El As -radiallahu anhu- se Profeti -alejhi selam- ka thënë:
“Allahu i krijoi krijesat në errësirë dhe pastaj u hodhi atyre prej dritës së Tij. Ai që u prek nga ajo dritë u udhëzua dhe ai që nuk u prek prej saj humbi.”
E transmeton Ahmedi, Tirmidhiu, Hakimi, El-Axhurij, dhe e saktëson sheih Albani.
Fjala e tij “Allahu i krijoi krijesat në errësirë” do të thotë ‘në errësirën e natyrshmërisë së tyre’; errësira e paditurisë, errësira e ndjekjes së dëshirave dhe errësira e shkujdesjes ndaj vetes së tij, përsosmërisë së saj dhe çfarë e bën atë të lumtur në këtë botë dhe në tjetrën.
Të gjitha këto janë errësira në të cilat është krijuar robi, siç thekson Ibn El-Kajim -Allahu e mëshiroftë- në librin e tij “Hidajet El-Hajara”.
Hadithi flet për kohën e krijimit të shpirtrave menjëherë pas krijimit të Ademit -alejhi selam- kur Allahu i Madhëruar i nxori nga shpina e tij (Ademit), siç ka ardhur në hadith: “Allahu i Madhëruar ua ka marrë besën e besimit (njerëzve) që kur i nxori ata nga shpina e Ademit prej çdo njeriu që krijoi, dhe i përhapi para tij si grimca të vogla.” E transmeton imam Ahmedi e të tjerë, dhe e saktëson sheih Albani.
Nuk është për qëllim në hadithin e errësirës mohimi i asaj që njihet si El-Fitra (fjalë me të cilën emërtohet animi i njerëzve nga besimi në Krijuesin e tyre dhe njësimin e Tij), sepse këtë e kanë gjithë njerëzit bazuar në besën e lartpërmendur. Mirëpo është për qëllim errësira e paditurisë në lidhje me detajet e besimit dhe çfarë kërkohet prej tij.
Ibn El Kajim -Allahu e mëshiroftë- gjithashtu në lidhje me përmbajtjen e hadithit të errësirës thotë:
“Ky hadith i madh është bazë prej bazave të besimit dhe me të hapet një portë e madhe prej portave të sekreteve të kaderit (caktimit të Allahut) dhe urtësisë së tij. Allahu i Madhëruar është Ai i Cili jep sukses. Kjo dritë të cilën Allahu ua hodhi atyre (njerëzve) është ajo e cila u dha jetë dhe i udhëzoi, dhe El-Fitra mori pjesën e saj. Por përderisa nuk mund të mjaftohej vetëm me të, ua plotësoi atë me shpirtin që ua hodhi profetëve -alejhim selam- dhe me dritën që u shpalli atyre. El-Fitra arriti t’a njohë atë (dritën e shpalljes të ardhur nga profetët) me dritën e hershme të cilën e mori ditën e hedhjes së saj, dhe kështu u bashkuan drita e shpalljes dhe e profetësisë me dritën e natyrës së krijimit duke u bërë dritë mbi dritë. Prej saj ndritën zemrat, shkëlqyen fytyrat, u ngjallën shpirtrat dhe u nënshtruan trupat për në punë të mira me vullnetin dhe dëshirën e tyre.”
Shih librin e autorit me titull “El-Uabil Es-Sajjib”: 1/61.
Pra, animi i krijesave nga besimi është i saktë, por sukses në besimin e tij në këtë botë për të ndjekur dritën e mësimeve të profetëve nuk do të ketë veçse ai i cili ka parë dritën e Allahut në kohën e krijimit të shpirtrave. S’ka dyshim se atë dritë e kanë parë vetëm ata të cilët i ka ditur Allahu me dijen e Tij se do të udhëzohen, sepse dija e Tij ndryshon nga dija e krijesave. Prej dijes së Tij është se Ai i di gjërat para se të ndodhin, siç i di gjithashtu në kohën kur ndodhin dhe pas ndodhjes së tyre. Madje edhe ato që nuk do të ndodhin sikur të ndodhnin si do të ndodhnin. Mbi këtë bazë është ndërtuar Kaderi. I Madhëruar qoftë Ai në lartësinë e Tij!
Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures El Fatiha në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Cila është mënyra më e mirë për të memorizuar? Meshhur Hasen